Gazetarja italiane sfidon Ramën: Çfarë do të bëni për fëmijët e Bulqizës?

527
Gazetarja italiane e emisionit “Le Iene” në “Italia 1”, Alice Martinelli, replikoi me kryeministrin Edi Rama lidhur me një reportazh për fëmijët që mbledhin krom në Bulqizë. Dy ditë më parë ishte kryeministri Edi Rama që qortoi emisionin e gazetarëve italianë, duke pretenduar se pamjet ishte të vjetra. Por gazetarët italianë kanë këmbëngulur, duke e sfiduar shefin e qeverisë shqiptare. 

Komenti i gazetares Alice Martinelli:
“Dikujt, kronika jonë për fëmijët shqiptarë që shkojnë të mbledhin krom, i ka shkaktuar bezdi. Edi Rama, kryeministri shqiptar, gjatë një pasarele në favor të telekamerave ka thënë se ‘Le Iene’ janë ‘një emision kazani’ dhe na akuzon se kemi realizuar ‘një reportazh m*ti me imazhe të vjetra, mbi një fenomen që nuk ekziston më’.

I dashur kryeministër Edi Rama e kuptoj se reportazhi ynë nuk ju ka pëlqyer, por për një gjë të rrini i qetë: është xhiruar mes 14 dhe 16 tetorit 2017, më pak se një muaj më parë. Nëse pamjet që keni parë nuk ju mjaftojnë (jam e pranishme unë në 90% të pamjeve, si mund të jetë një kronikë e vjetër?), kemi gjithë provat që e dëshmojnë: filmime dhe fotografi me datë, dhe faturat e qëndrimit tonë.

Por më thoni, duke qenë se mund t’iu dëshmojmë se është gjithçka e vërtetë dhe aktuale, ju tani do të bëni ndonjë gjë për fëmijët nga Bulqiza dhe për familjet e tyre? Sepse, ne i pamë me sytë tanë të mbledhin gurë dhe më pas t’i shesin me 0,10 qindarka kilja. Ashtu sikurse kemi parë se kur bie nata, një pjesë e qytetit është tërësisht në errësirë. Dhe se kushtet strukturore dhe higjienike të disa shtëpie janë të tmerrshme. Ju çfarë mendoni të bëni?”.

Sigal