Fushata për zgjedhjet e 23 Qershorit

147

 

Rama prezantohet sot si kandidat në Vlorë: “ Ndihem i emocionuar, si para provimit të maturës”

Me anë të një shkrimi të postuar në blogun e tij, Edi Rama ka njoftuar se sot do të prezantohet si deputet i qarkut të Vlorës. Prezantimi si udhëheqës i ekipit të rilindjes shqiptare në Vlorë do të zhvillohet gjatë pasdites në Pallatin e Sportit. Duke ndarë ndjesitë para këtij prezantimit me ndjekësit e tij në blogun edirama.al, lideri i opozitës pranon se si asnjëherë në rrugën e jetës së tij politike ndihet i emocionuar si para provimit të maturës. “Si asnjëherë në rrugën e jetës sime politike, ndjehem i emocionuar si të isha përpara provimit më të vështirë të maturës. Kam shumë gjëra për të thënë për Vlorën dhe më duket sikur nuk do di t’i them. Sot Vlora është një sfidë e madhe. Një projekt i mbetur në mes që mund të përfundojë mirë, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Po mund të përfundojë edhe keq, në dëm të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Varet nga drejtimi që do të marrë Vlora dhe vetë Shqipëria në 23 qershor. Por për këto dua të flasim të shtunën”, shkruan Rama.  Një pjesë të mirë të shkrimit Rama ia ka dedikuar kujtimeve të fëmijërisë së lumtur gjatë stinës së verës në këtë qytet  duke bërë një panoramë të Vlorës së shumë viteve më parë dhe pamjet që të ofron qyteti sot.  “Plazhi ynë i Skelës ngjan si vend-xhirimi i braktisur i një filmi. Vlora sot ngjan me Vlorën dje, sa ç’ngjaj unë me atë fëmijën që përqafonte gjyshen, si për t’u siguruar se nuk ishte në ëndërr’”, shkruan Rama. E për të ndryshuar këtë panoramë, Rama vlerëson se sot Vlora është një sfidë e madhe. “Një projekt i mbetur në mes që mund të përfundojë mirë, për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Po mund të përfundojë edhe keq, në dëm të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Varet nga drejtimi që do të marrë Vlora dhe vetë Shqipëria në 23 qershor. Por për këto dua të flasim nesër shkruan lideri socialist duke i lënë takim mbështetësve të tij në prezantimin zyrtar në Vlorë.

 Edi Rama në Gjirokastër, prezanton kandidatët e PS-së për deputet

Kreu i Partisë Socialiste,Edi Rama, është ndalur në Gjirokastër për të prezantuar skuadrën e Rilindjes në këtë qytet. I pritur mes brohoritjeve të shumta nga pjesëmarrësit në këtë tubim në qytetin e Gjirokastrës, kryesocialisti Rama ka shprehur mirënjohjen e tij. “Kjo mikpritje është shenja se të gjithë janë gati për rilindjen dhe për fitoren e Partisë socialiste në 23 Qershor. Edhe pse pushteti ka bërë presion që njerëzit të mos dalin në shesh ju i rezistuat këtij presioni dhe i dhatë përgjigjen e merituar duke u mbledhur të gjithë në këtë shesh. Pas 23 Qershorit do tu japim atyre edhe përgjigjen tjetër të merituar, përgjigjen për sjelljet e tyre antikushtetuesve dhe kriminale ndaj zgjedhësve, ndaj atyre që do të votojnë për herë të parë, atyre që do të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë Shqipërinë duke ndryshuar edhe shkollën në Shqipëri. Kurrë më drejtorë shkollash që bëjnë presion mbi mësuesit dhe nxënësit për të dalë në miting, kurrë më një qeveri që e përdor shtetin dhe institucionet e shtetit për interesat e pushtetit”, u shpreh Rama.

 PS-ja prezanton kandidatët në Fier. “Rama: Më 23 Qershor do çojmë drejtorët e PD-së në gjyq”

Rama premtoi se qeveria e ardhshme e majtë do bëjë aq sa është nuk bërë për 20 vite radhazi. Ai tha se pas 23 qershorit do ndëshkohen drejtorët e PD-së që nxjerrin me dhunë punonjësit në mitingje. “Do më lejoni që në këtë tribunë t’u them 2 fjalë njerëzve të zakonshëm demokratë, jo atyre drejtorëve që pas 23 qershorit i pret gjyqi i publikut. Gjithë drejtorët demokratë që bëjnë presion mbi nëpunësit me votë do të përfundojnë në gjyq, për të dhënë llogari për presionet e tyre. Pas 23 qershorit shteti do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e gjithë shqiptarëve. Unë e di fare mirë se çfarë do i thotë Fieri Saliut më 23 qershor. Ndër të tjera ai tha se pas 23 qershorit shqiptarët do të çlirojnë pasuritë e naftës dhe burimet natyrore nga kthetrat e uzurpatorëve.

Ilir Meta: “LSI ka prioritet pjesëmarrjen e grave në politikë”

Kreu iLSI-së Ilir Meta ka prezantuar kandidaten për deputete në Njësinë 1 në Tiranë, Klajda Gjoshën. Meta kërkoi  votën përLSI-në në 23 qershor, si forca politike që mbështet gratë dhe vajzat e që ka prioritet punësimin e tyre. “LSIi jep një prioritet të veçantë si asnjë parti tjetër pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike, sepse pjesëmarrja në rritje e vajzave dhe grave në jetën politike është garancia kryesore për përfaqësimin e denjë dhe të duhur në shoqëri në familje në të gjithë jetën ekonomike e shoqërore të grave dhe vajzave në të gjithë vendin” ka theksuar Meta. Duke rikonfirmuar mbështetjen për biznesin fason, Meta tha se pas fitores së 23 qershorit do i jepet mbështetje e veçantë bizneseve që punësojnë gratë. “Ne do t’i japim një mbështetje të veçantë punësimit në të gjithë bizneset, sidomos sa i takon biznesit fason, sa i takon të gjitha bizneseve në fushën e shërbimit, në mënyrë që ne të arrijmë të shtojmë vendet e reja të punës sidomos për gratë dhe për vajzat” tha Meta. Meta premtoi që brenda 4 viteve bizneset që iniciohen dhe drejtohen nga vajzat dhe gratë e Shqipërisë do dyfishohen deri në 35 %.

 

Berisha në Korçë: “Rama dhe Meta të hedhin tek a çift për debat me mua”

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryeministri Berisha theksoi se si Ilir Meta ashtu dhe Edi Rama kërkojnë që të jetë në debat me të, por e kaloi me batutë përgjigjen nëse ai pranon të bëjë debati. Ai sulmoi dhe ish- aleatin e tij, Ilir Meta duke i thënë se nuk mund të jetë një ditë në opozitë e një ditë në qeveri. “Keni parë ju që do edhe zoti Meta debat. Të bëjnë tek a çift. Unë e kam ftuar 2 herë në debat. Unë kryeministër e ftoja, jo më thoshte. Të zgjidhin problemet që kanë me njëri- tjetrin. Një gjë kam me Metën. Nuk mundet që një ditë të flasë si qeveri dhe njëherë si opozitë” tha Berisha.

Berisha i përgjigjet analistëve

Kryeministri Berisha i është përgjigjur edhe akuzave të analistëve se ai nuk përballet dot me ta në studiot televizive. “Unë jam Kryeministër dhe është në detyrimin tim të dalë ballë për ballë me qytetarët dhe këtë e konsideroj të domosdoshme. Secila nga këto është një debat televiziv.  Ata shtrojnë probleme nga më të ndryshmet. Kurrë ndonjëherë në media nuk kam qenë më aktiv se në këtë fushatë por kjo nuk do të thotë që nuk do të jem pjesë e studiove televizive.” shtoi kryeministri.

Berisha: Nuk ndërhyjmë në problemin e KQZ-së

Ndërkohë, kryeministri Berisha theksoi se mazhoranca nuk do të ndërhyjë në mënyrë absolute në problemin e KQZ-së. “Ai u shndërrua në një problem pazar të kreut të PS-së dhe aleatët e vet në mënyrë më bizantine. Dy anëtarët e PS-së e dhanë dorëheqjen në shtrëngim të plotë dhe totale” shtoi kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi se është i gatshëm të mbledhë parlamentin dhe të votohen anëtarët e opozitës. “Po të duan që nesër. Nuk e parashikon ligji, por ne mund ta bëjmë. Por Rama nuk i sjell anëtarët sepse do ta përdor si akuzë për të mos njohur zgjedhjet.  Është unik ai s`ka energji. Unë s`kam energji për të futur në labirintet e zotit Rama.   Unë aspak nuk mund të tërhiqem. Favori që i bëj është që t`i votojmë anëtarët në Parlament” shtoi kryeministri.

Berisha për heqjen e vizave me SHBA-në

Kreu i Qeverisë është pyetur edhe në lidhje me deklaratën e ambasadës së SHBA-së se Shqipërisë nuk mund t`i hiqen vizat pasi nuk i ka mbushur kriteret për të cilën ka thënë: “Ambasada e SHBA-së ka thënë një të vërtetë në lidhje me heqjen e vizave me Shqipërinë. Qeveria as sot dhe asnjëherë nuk do të kërkojë favore që nuk i përkasin. Kjo gjë përbën një premisë shumë të mirë për plotësimin e kritereve për heqjen e vizave. Ne plotësuam120 kritere për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian dhe do të  kërkojmë ndihmë për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave me SHBA”.

Akuzat e Ramës për përfshirjen e administratës në fushatë

Kryeministri Berisha i është përgjigjur edhe akuzave të kryesocialistit Rama se po përdor administratën në fushatë. “Në një vend të lirë administrata e tërë ka të drejtë të padiskutueshme, përveç ushtrisë dhe SHIK-ut, ka të drejtë të angazhohet në fushatë pa shkelur orarin zyrtar. Ne kemi draftin që thotë që punonjësit civilë të marrin pjesë në fushatë. Ti nuk mund t’i mohosh tjetrit veprimtarinë politike. Ata mund të marrin pjesë në fushatë  në vullnetin e tyre të lirë. A po bëjnë fushatë punonjësit e bashkisë së Durrësit? Absolutisht që po dhe le të bëjnë. Por vendimi ynë është ky: asnjë mjet dhe asnjë burim qeveritar nuk mund të përdoret për fushatë, përveçse fondet e partisë.  Unë i bëj thirrje administratës të mos ndikohet nga kërcënimet e tij, pasi është në një gjendje nervoze.  U thotë policëve që jeni banditë. Shkon në Berat dhe u thotë jeni armiq, shkon në Shkodër dhe u thotë se jeni tradhtarë. Të gjitha këto janë stisje dhe sajime të një njeriu të dëshpëruar që iu fik fushata. Atë të shkoj ta gjej me Koçon, jo me mua” tha Berisha.