Fatmir Xhafaj nuk përgënjeshtroi dot në parlament as akuzën e falsifikimit

512
Petraq Barjami
Kryeministri Rama, përballë fakteve e mbron ministrin e Brendshëm, sikurse mbrojti, dhe Tahirin, dhe Roshin
Dje PD-ja zbardhi edhe skemën, sesi Fatmir Xhafaj, si kryetar i Komisioni të Ligjeve, falsifikoi edhe nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, pa bërë asnjë diskutim në Komisionin Parlamentar të Ligjeve shton pika “f”, për të favorizuar mos ekstradimin e vëllait të tij të dënuar në Itali. Është tepër e rëndë edhe moralisht, edhe politikisht, por edhe juridikisht, që një ministër i Brendshëm të qëndrojë akoma në detyrë, por edhe si deputet, kur vëllai i tij është i dënuar, si kryetar i organizatave kriminale të trafiqeve ndërkombëtare. Nuk e di, se çfarë morali politik, juridik mund të pretendojë këtej e tutje ministri i Brendshëm Xhafaj, kur nuk ka ndjeshmërinë, që të japë dorëheqjen me nder, derisa vëllai i tij është i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë e Italisë, si kryekriminel e trafikant ndërkombëtar i drogës, ndërkohë, që vetë Xhafaj si ligjbërës, u kërkon veting punonjësve të policisë, që të dëshmojnë edhe të ardhurat financiare të vjehrrit e vjehrrës. Është për t’u habitur, pse kryeministri Rama ende nuk reagon politikisht. Përkundrazi. Dje nga parlamenti kryeministri Rama e mori nën sqetull ministrin e vet të Brendshëm Xhafaj, duke pretenduar se Italia nuk ka kërkuar …ekstradimin e vëllait të ministrit të vet. Por, kryeministri Rama, po me këtë gjuhë justifikimesh mbrojti edhe ministrin e vet të Brendshëm Tahiri, para 6 muajsh, duke pretenduar se nuk ka prova nga gjykatat e Italisë, ndërsa pardje Tahiri përballë provave të pakundërshtueshme, u detyrua të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Kryeministri Rama, po me këtë qëndrim politik mbrojti edhe kryebashkiakun Roshi, derisa u detyrua ta …shkarkojë. Përse kryeministri Rama i mban nën sqetull ministrat dhe kryebashkiakët socialistë, të akuzuar për bashkëpunim me krimin? 
Kryeministri Rama: Italia nuk ka sjellë asnjë kërkesë në 6 vite për vëllanë e Xhafës
Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të opozitës për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se gjatë këtyre 6 viteve nuk ka pasur kërkesë formale apo informale nga autoritetet italiane për këtë rast. Duke iu referuar akuzave ndaj ministrit Xhafaj, kreu i Qeverisë tha se në sistemin demokratik secili përgjigjet individualisht përpara drejtësisë. Rama akuzoi Partinë Demokratike se ka shpërndarë në anglisht këtë dosje. “S’ka asnjë kërkesë formale apo infromale nga autoritet et vendit ku ka ndodhur ngjarja për autoritetet shqiptare, për 6 vite me radhë. Nëse nuk ka asnjë kërkesë, nëse nuk ka asnjë përgjegjësi të lidhur me qeverinë apo personalisht me ministrin e Brendshëm, dhe nëse bëhet fjalë në fund të ditës, për vëllanë, dhe jo për të, në një sistem në të cilin secili përgjigjet individualisht përpara drejtësisë, përse del sot. Dua t’ju them se dosja e rizbulimit në të njëjtën kohë që ka dalë në televizor, dhe ka filluar të shpërndahet në anglisht, unë kam mësuar se çfarë do të thoshin këta, nga ata që dosjen e kishin lexuar anglisht. Dhe më pyetën si ka mundësi, dhe pse sot kur ne presim që politika shqiptare të provojë çdo ditë pretendimin e argumentuar për të hapur negociata, ne na vënë përpara një dosje që na e kanë vënë përpara shumë kohë më parë, për një çështje që ne e kemi ezauruar. Ka edhe një element tjetër në këtë orvatje, që do të vazhdojë të bëhet edhe me e ngatërruar, përgatituni të dëgjoni çudira të thëna të rithëna, të rizbuluara, për ta bërë baltë Shqipërisë sa të munden. Se në fund të ditës për të huajt këto muhabete nuk janë për të ndarë kush është djalli, kush është engjëlli, kush i miri dhe kush i keqi”, u shpreh kryeministri Rama.
Sali Berisha: Fatziu falsifikator dhe kriminel faqezi!
Të dashur miq, sipas procesverbaleve origjinale të parlamentit, Fatzi Xhafa, në kohën kur ishte kryetar i Komisionit të Ligjeve falsifikoi në mënyrë monstruoze tekstin e ligjit të miratuar nga Komisioni i Ligjeve për ekstradimin e kriminelëve, që kanë kryer vepra penale në vendin ku ata janë dënuar. Ai i paraqiti seancës plenare të mazhorancës së krimit një tekst krejt tjetër të falsifikuar prej tij, vetëm për të mos lejuar ekstradimin e Gonit të tij trafikant ndërkombëtar në Itali dhe Venezuelë! Në variantin origjinal të ligjit të miratuar unanimisht në Komisionin e Ligjeve thuhet:

– Nëse një shtetas i dënuar në mungesë jashtë territorit shqiptar nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar dhe për ta vuajtur dënimin në vendin, ku është dënuar, atëherë ai e vuan dënimin të plotë në burgjet shqiptare. Kurse në variantin e falsifikuar nga Xhafa thuhet:

-Personi i kërkuar (për ekstradim) i dënuar në mungesë, ekstradohet vetëm kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit. Pra, Xhafa me falsifikimin e tij bën të pamundur ekstradimin e Agronit të dënuar nga gjykata e Lartë e Italisë, pasi nuk ka shtet që merr përsipër rigjykimin e vendimeve të gjykatës së Lartë. Por me falsifikimin e tij, duke hequr rreshtin “atëherë ai vuan dënimin në burgjet shqiptare”, Fatziu mbron Agronin në kryerjen e dënimit në Shqipëri. Me këtë falsifikim, faqeziu me Edi Ramën bëjnë të mundur që çdo kriminel shqiptar, pavarësisht nga krimi që kryen në vendin ku jeton, po arriti të fshihet dhe të dënohet në mungesë nga drejtësia e vendit, ku ka kryer krimin ai, po nuk pranoi ekstradimin, jeton i lirë në Shqipëri, sikur nuk ka kryer asnjë vepër penale. Ky është standardi kriminal i narkoshtetit shqiptar të Edvin Xhafës dhe Fatmir Ramës. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të ngrihemi fuqishëm për t’i shporrur sa më parë! sb
Lulzim Basha, në Parlament: Fatmir Xhafa vetë është vetë peshku i madh
Ky është vëllai i Fatmir Xhafajt i dënuar në Itali, me 7 vjet e dy muaj me vendim të formës së prerë, që nuk ka vuajtur një ditë në Itali, dhe asnjë ditë dënim në Shqipëri, jeton i lirë në Shqipëri. Dje Fatmir Xhafa tha se nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë fakt.

E vërteta tronditëse është se Fatmir Xhafa ka të gjithë përgjegjësinë ligjore, politike dhe penale. Sipas ligjit, detyrë kryesore e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, është pikërisht identifikimi i personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, në mungesë. Pra, është detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7 vjet e dy muaj burgim. Ku është forca e ligjit? Pse nuk ka efekt operacioni “Forca e Ligjit” mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge? Agron Xhafa është një kriminel i dënuar për trafik kokaine por që nuk ka vuajtur asnjë ditë dënimin, sepse Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është vëllai i tij dhe refuzon të zbatojë ligjin. Për Agron Xhafajn është shtrembëruar Kodi i Procedurës Penale përmes një falsifikimi, një vepre penale të Fatmir Xhafajt për të siguruar paprekshmërinë që ai as mos të esktradohet në Itali, as mos vuajë asnjë ditë dënimi në Shqipëri. Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka një Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti të dënuar droge me vendim gjyqësor të formës së prerë që nuk arrestohet për të vuajtur dënimin. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi falsifikon procesverbalet zyrtare të Parlamentit për të mbrojtur vëllain e tij trafikant. A ka krim më të madh se të falsifikosh dokumentet zyrtare të Reformës në Drejtësi për të mbrojtur vëllain trafikant droge nga vuajtja e dënimit? Fatmir Xhafaj vetë është peshku i madh, kokë e një prej familjeve mafioze ku i vëllai bën trafikun e kokainës dhe ai vetë falsifikon ligjet për të mbrojtur vëllain e tij kriminel nga vuajtja e dënimit.
Petrit Vasili: Rama shfajësohet përmes ambasadorit Lu, sa turp!
Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në Kuvend kur tha se, nëse Xhafaj do kishte përgjegjësi për dënimin e vëllait të tij në Itali për trafik droge siç pretendon opozita do kishte reaguar dhe SHBA dhe BE. Vasili thotë: “Kryeministri shfajësohet përmes ambasadorit Lu,sa turp! Kryeministri përgjegjësi i vetëm për kriminalizimin e qeverisjes dhe shkatërrimin e imazhit të vendit, i zënë në faj të rëndë politik shfajësohet, duke shpërdoruar emrin dhe autoritetin e përfaqësimit të ambasadorit amerikan në Tiranë z. Donald Lu. Asnjë dhe askush nuk i jep dot asnjë alibi, apo shfajësim pushtetit kriminal të Kryeministrit. Amerika e parimeve të shkëlqyera demokratike, që nga George Washingtoni e deri tek Donald Trump, nuk u ka dhënë kurrë alibi, por u ka treguar vendin autoritarëve të vërtetë dhe atyre qesharakë, pushteteve të drogës dhe atyre antidemokratikë. Është koha dhe shqiptarët po presin që Amerika t’i prijë këtij misioni edhe në Shqipëri në këto ditë të vështira, kur kryeministri ka mbjellë me krim zyrat e qeverisjes.
Sigal