EURALIUS: Reforma në drejtësi nuk po respekton afatet kushtetuese

599
Sigal

EURALIUS, misioni i asistencës në drejtësi i financuar nga BE, në një raport që përfshin periudhën qershor 2017-shkurt 2018 dha dje alarmin, se periudha kalimtare dhe formimi i institucioneve të reja të drejtësisë është zgjatur ndjeshëm, përtej çdo afati të parashikuar nga kushtetuta dhe paketa ligjore e reformës në drejtësi. Raporti thekson se institucione të rëndësishme si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) nuk janë formuar ende, pasi kandidatët për anëtarë të tyre janë ende në proces vlerësimi të figurës, njohur ndryshe si procesi i vetingut. Kjo vonesë prej më shumë se 18 mujore nga afatet e parashikuara në Kushtetutë, ka bërë që dhe një sërë institucionesh të tjera të jenë aktualisht totalisht të paralizuara për shkak të mungesës së KLGJ e KLP, kandidatët e të cilëve janë ende në proces vlerësimi të pasurisë e figurës. Sipas parashikimeve të EURALIUS, krijimi i tre institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, përfshi Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) do të ndodhë në fund të vitit 2018. Ndërsa procesi i vetingut për të gjithë anëtarët e sistemit të drejtësisë supozohet të mbarojë brenda tre vjetësh, në vitin 2021, fiks në kohë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për sa kohë sa KLP, KLGJ e KED nuk janë krijuar, do të vazhdojë mosfunksionimi i plotë Gjykatës Kushtetuese, paralizimi i Gjykatës së Lartë dhe paligjshmëria në sistemin e prokurorisë.