Elmaz Sherifi: “Meta bëri aleancë me Ramën, për t’u bërë lideri i socialistëve”

556
Sigal

*Kryetar i Lidhja për Drejtësi e Progres

Ish-ministri i qeverisë “Nano” dhe tani Kryetar i LDP-së, Elmaz Sherifi, në intervistën për “Telegraf”, i kujton Ramës, se tani është Kryeministër e duhet të qeverisë, e jo të bëjë …opozitë. Zoti Sherifi, i cilëson disa premtime të Ramës, si marrëzi elektorale, ndërsa për synimet e Metës, për të marrë kryesinë e socialistëve, zoti Sherifi thotë, nuk kemi përse të hamendësojmë, derisa Rama është garant vetë. 

– Zoti Sherifi, kjo polemikë e fotove të Kryeministrisë, midis Ramës dhe PD-së, çfarë shpreh dhe sa është në dobi të pritshmërisë që kemi për qeverisjen e re?

– Do të dëshiroja që në Shqipëri nga maxhoranca e re të futej një kulturë e re politike për qeverisjen. Mbushja e emisioneve me polemika televizive, nuk mund të rezultojë e suksesshme dhe as mund të shërbejë për “mbushjen e barkut” të njerëzve në nevojë, e sidomos të atyre që e votuan këtë maxhorancë.

– Si e shpjegoni ju, që Kryeministri Rama ende nuk ka filluar konsultimet me aleatët e vet, për të shpërblyer kontributin e tyre në fitoren e 23 Qershorit?

 Lidhja për Drejtësi e Progres që unë drejtoj, ka qenë kritike ndaj mënyrës si u ndërtuan koalicionet politike për zgjedhjet parlamentare dhe marrëveshjeve partiake për ndarjen e vendeve të punës në administratën shtetërore. Qeverisja partiake duhet të zëvendësohet nga “standardet” europiane të qeverisjes ligjore. Duhet t’i jepet fund praktikave që po mbjellin mediokritetin dhe nepotizmin e interesave, nëpërmjet shpërblimit të njerëzve”të partisë” dhe “pjesëtarëve të shtëpisë”! Dhe së fundmi le të “burgoset” praktika e blerjes së vendit të punës, pasi kjo praktikë është barra më e madhe për shoqërinë dhe sidomos për njerëzit në nevojë.

Programi qeverisës i Kryeministrit Rama përmbush pritshmëritë që besoi elektorati?

– Do të dëshiroja që qeveria e re të ndryshonte jetën e shqiptarëve, nëpërmjet “qeverisjes së mirë”. Premtimet e qeverisë ishin shumë të tepruara, prandaj nuk mund edhe të realizohen…Por kjo s’do të thotë, të mos durojmë, e të fillojmë kritikat ende pa filluar punën…Duhet durim. Le të gabojmë ne, që nuk besojmë, se mund të realizohen premtimet, për t’u gëzuar ata që e votuan.

Ministri i ri i Shëndetësisë, evidentoi mungesën e ilaçeve në spital, si shkak i borxheve që ka trashëguar, pa premtuar terapinë, edhe pse në opozitë premtuan. Kemi dyfytyrësi politike, të qeverisë së re?

– Kam qenë ministër në dy qeveri dhe mund t’ja vlente ndonjë këshillë për të gjithë ministrat. Mund të ndryshojnë metodën e punës dhe sjelljen mediatike. Nuk vlejnë aspak konstatimet për gjendjen e keqe, jo vetëm sepse disa nga ministrat që kanë qeverisur, i kanë aleatë në qeverisje, por edhe sepse votën qytetarët u dhanë, se premtuan që “gjendjen mizerabël” do ta ndryshonin, nëse votoheshin. Duhet ta kuptojnë shpejt se janë në qeveri, jo në opozitë. Tani qytetarëve, jo vetëm votuesve të tyre, duhet t’u thonë se çfarë po bëjnë mirë dhe si do korrigjojnë çdo ditë “gjendjen mizerabël”! Le të flasin më pak dhe të punojmë më shumë …dhe të mos harrojnë “Kodin e Etikës”!

– Qeveria e re a mund të përmbushë zotimin se do të kemi shërbim mjekësor publik falas?

– Për mendimin tim, ky premtim ka qenë një “marrëzi elektorale” . Që në fushatë e kam thënë, mos premtoni aq shumë, nga “frika” se nuk fitoni!

– Duhet rikthyer Spitali Ushtarak, sikurse ka funksionuar deri më sot?

–  Për mendimin tim, qeveria e re duhet të shmangë spontanitetin zhurmues ditor, për të qeverisur në mënyrë të programuar. Prandaj, jo vetëm Ministria e Shëndetësisë, duhet të realizojnë premtimet. Ballafaqimi politik do të bëhet shumë shpejt.

 – Qëndrimin e Ilir Metës, për çështjen e mbajtjes së portretit të Presidentit, në kundërshtim me vendimin e qeverisë “Rama”, por edhe në qëndrimin ndaj SHQUP-it,  e shikoni si një oportunizëm, apo si një divergjencë me Ramën?

– Unë kam qenë kundër moralit të koalicionit PS-LSI, por jo kundër koalicioneve. Jam politikan karriere dhe pedagog i historisë së shtetit dhe së drejtës. Dhe e di shumë mirë se, kur pushteti është qëllim në vetvete dhe jo qeverisja, e pranon si të moralshme çdo mjet për arritjen e tij. Meta e arriti qëllimin, që të jetë përsëri në maxhorancë dhe pavarësisht mjeteve, me të cilave u realizua, për atë është sukses politik. Por ai ka edhe përvojën politike dhe e di si shteti funksionon si tërësi institucionesh. Prandaj goditi si thotë populli “me një gur dy zogj”. Ai deklaroi me qetësinë e “kontrolluar”, se do e mbajë edhe portretin e Ismail Qemali, pasi e dëshiron Rama dhe do vendos portretin e munguar të kryetarit të shtetit, si obligim kushtetues. Dhe mirë bëri.

– Ardhja e Ilir Metës në koalicion me PS-në,  a shikohet edhe si një tentativë në perspektivë e Metës, për t’u bërë ai lideri i gjithë socialistëve?

– Kjo pak rëndësi ka. Ndërsa për synimet e tjera të Metës, përse duhet të hamendësojmë, kur garant është vetë Rama!

 Sa i vërtetë është  mendimi,  që Rama me Veliajn dhe MJAFT bëri komplot kundër Nanos, për t’i rrëmbyer PS-në, derisa sot Rama shpërbleu gjitha MJAFT-in me poste qeveritare?

– Më lejoni që me këtë rast t’i uroj punë të mbarë Erion Velisë si ministër i një ministrie, që edhe unë e kam drejtuar në vitet 97-98. Kur më hoqi Nano, kam bërë një shkrim të gjatë të titulluar “më hoqi se kam punuar mirë”. E bëra këtë shkrim, pasi presidenti po vononte dekretimin e shkarkimit, pasi, kur më pyeti si e prita shkarkimin, I thashë se nuk kisha fare dijeni! Pasi askush nuk më kishte komunikuar një vendim të Kryeministrit Nano, dhe Nano as në telefon nuk më kishte komunikuar shkarkimin, ashtu si edhe më kishte emëruar me telefonatë. Presidenti z Rexhep, pasi bënte në gjysmë faqe vlerësimin për punët e bëra, dekretonte shkarkimin. Motivacioni shkarkimit më nxiti për shkrimin. PS-ja ka bërë mirë qe e kanë mbajtur vetë këtë ministri, për të ndërtuar politika punësimi, jo për të hapur vende pune, me qëllim se janë duke pritur për punësim 300 mijë vetë, midis tyre dhe socialistët. Po u realizua ky objektiv madhor nga qeveria “Rama”, nuk do të merret njeri me “listën e emërimeve”. Tani, është vonë për t’u marrë me “komplotet”!

 -Sa socialiste është qeveria e Ramës, derisa nuk ka asnjë socialist, me reputacion dhe me vlerë, qysh nga koha e Nanos, Metës?

 – Pse a nuk është socialist Meta ,“Baba Taku” dhe me mijëra të tjerë ish -socialistë që u larguan me themelimin eLSI?

–   Fino, Majko, Ruçi, Dade, Leskaj, Braçe, Balla,  Blushi, mbetën në hije, ndërsa Erjon Veliaj dhe gjithë drejtuesit e “MJAFT”-it, që kontribuuan në rrëzimin e qeverisë “NANO” janë qeveritarë të Ramës?

– Mendoj se pyetja është provokative dhe e pavërtetë, sepse të gjithë emrat që citoni, kanë patur dhe kanë besim absolut te udhëheqësi i tyre. Këtë e kam dëgjuar nga deklaratat publike të tyre gjatë gjithë kohës, jo vetëm në zgjedhje.

– Faleminderit!