Eduard Selami: “Problemi më i madh i politikës është mungesa e konsensusit, në momentet kyçe për Shqipërinë”

506
Sigal

INTERVISTA/ Eduart Selami: “Një mbështetje për Kryeministrin Berisha, mendoj se është një mbështetje e drejtpërdrejtë për Shqipërinë”

 

Ai vendosi të rikthehet nga Amerika pothuajse pas dy dekadash, për të dhënë ndihmën dhe kontributin e tij për Shqipërinë dhe sigurisht për të përshpejtuar integrimin në strukturat europiane. Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”, kandidati për deputet, Eduart Selami jep arsyet pse vendosi të rikthehej në Shqipëri, momentet e pritjes së kandidimit dhe pse zgjodhi pikërisht rrethin e Librazhdit.

 

– Zoti  Selami përse vendosët të riktheheni pothuajse pas dy dekadash?

– Ishte një vendim që më mori kohë dhe që mendoj që është një moment i rëndësishëm për progresin e Shqipërisë, për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane. Më vjen keq që ky proces, për shkak të bllokimeve që kanë ardhur nga opozita, është ngadalësuar, prandaj vendosa t’i jap një mbështetje PD-së në këto momente. Një mbështetje për Kryeministrin Berisha, mendoj se është një mbështetje e drejtpërdrejtë për Shqipërinë.

– Si e pritët kandidimin dhe përse ju zgjodhët rrethin e Librazhdit?

– Është nder për mua. Pozicioni im në atë periudhë relativisht të shkurtër, gjashtë vjeçare më ka krijuar kontakte me të gjithë Shqipërinë, por me Librazhdin më lidh një histori e veçantë personale. Unë jam rritur në Librazhd.  Kam mbaruar shkollën e mesme dhe Qarku i Elbasanit është një qark mjaft i rëndësishëm në këto zgjedhje, për shkak të ligjit elektoral.  Ndaj, me shumë kënaqësi prita emërimin në Qarkun e Elbasanit dhe në veçanti në rrethin e Librazhdit.

– Sipas mendimit tuaj, cili është problemi më i madh i politikës shqiptare?

– Problemi më i madh është mungesa e konsensusit, në momentet kyçe për Shqipërinë  dhe që akoma mbetet problem kryesor. PD-ja në këtë pikë, si forcë e re politike, është fituese në këtë drejtim, jo se nuk ka patur probleme, por në përgjithësi ka qenë më ftuese dhe më gjithëpërfshirëse.

– Çfarë rezultati pret PD-ja në Qarkun e Elbasanit?

– Është plotësisht e mundshme fitorja e një deputeti më shumë në Qarkun e Elbasanit. Në zgjedhjet e 2009-s,  është 7 me 7. Mendoj që për shkak të punës që është bërë, për shkak të entuziazmit që është krijuar, për shkak të punëve të mira që janë bërë, për shkak të mundësive reale, për shkak të investimeve të shpresës për të ardhmen, për shkak të programit më të mirë qartësisht integrues për Europën, për shkak të një infrastrukture moderne, ku është investuar, të një politike ekonomike për taksat, politike ekonomike për zgjerim biznesi është shumë e mundshme marrja e një mandati të tetë nga PD-ja.

– Gjatë takimeve me elektoratin tuaj në rrethin e Librazhdit, cilat kanë qenë problemet më kryesore që ju keni hasur?

– Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në këto zona, problemi kryesor është punësimi. Por më vjen mirë që PD-ja (dhe kjo është arsyeja kryesore e optimizmit tim) është një forcë politike që jo vetëm i drejtohet, jo vetëm ka një bilanc pozitiv konkret, por dhe politikat e saj ekonomike do të krijojnë më shumë vend pune, politika e taksave, që bëhet nga PD-ja,  do të rritë numrin e bizneseve, do të rrisë vendet e punës, politika e arsimit, politika e gjithëpërfshirjes të të rinjve, mendoj që janë në anën e duhur dhe në drejtimin e duhur për të gjetur më shumë vende pune. Ky është problem kryesor që unë kam hasur gjatë fushatës.

– A po përdorni ju një model amerikan gjatë fushatës elektorale?

– Unë po ndjek fushatën që bëhet nga qendra, sepse që atje ajo po drejtohet nga një grup amerikan, kështu që është e natyrshme për mua. Amerika tashmë është pjesë e jetës time. Mënyra e të menduarit, mënyra e të konceptuarit, pas një jete kaq të gjatë dhe qenia e një qytetari aktiv në Amerikë janë pjesë të jetës time. Më vjen mirë që dhe fushata e PD-së është një fushatë e mirë, më perëndimore, më progresive dhe mendoj që është një nga arsyet e fitores së PD-së me gjithë vështirësitë që ka qeverisja në këto tetë vjet, me gjithë ato minuset që të jep qenia kaq gjatë në pushtet, unë mendoj që do të jetë një nga arsyet kryesore, një fushat optimiste, një fushatë pozitive, e cila jep shpresë, ngjallë shpresë, jep alternative, kapilare.  Kemi takimet e mëdha që janë pjesë e PD-së, me brohoritjet me dy gishta, me  entuziazëm të jashtëzakonshëm, kemi takime me 30 me 40 veta, kemi dialog dhe bashkëbisedime për problem tepër konkrete, ndarja e ujit, plehrat kimike që kanë çmimet e lartë, problemet e ujit të pijshëm, ujësjellësve, të shkollave të ndërtuara, të të gjitha niveleve, pra unë mendoj që është një fushatë perëndimore, ne shkojmë aty, ku janë njerëzit.

– Si e komentoni mungesën e anëtarëve të KQZ -së?

– Është një gabim i madh, nuk kishte se përse të prishej KQZ-ja. Jam drejtuar dhe herë tjetër këtij problemi, nga problemet që u krijuan me largimin e LSI-së dhe problemet që u krijuan për faktin që për herë të parë që një forcë e majtë ishte në koalicion më një forcë të djathë. Marrëveshja ka qenë e tillë, që pas ndërhyrjes nga ana e PD-së, nuk kishte rrugë tjetër për të ruajtur raportin 4 me 3. Dorëheqja që u bë nga përfaqësuesit e PS-së mund të kishte një kuptim për të dhënë një mesazh për një farë kohe, por pastaj, për mosplotësimi pas 48 orëve, që kërkon ligji dhe futja në zgjedhje me një më një KQZ  jo të plotë, gati të përgjysmuar, mendoj që është një taktikë në vijimin e politikave bllokuese dhe mohuese, që kreu i PS-së,  Rama, vazhdon të bëjë, njësoj si me tre ligjet ashtu dhe me KQZ-në, fatkeqësisht nuk po kalon atë që quhet testi kryesor për një politikan.  Që interesi i çdo politikani do të jetë dytësor në raportin me interesin e Shqipërisë. Dy herë në një periudhë të shkurtër Rama nuk e kalon këtë test, një herë në votimin e tre ligjeve dhe njëherë në prishjen e KQZ-së. Dhe nëse është kaq i bindur për fitoren, siç kam patur rastin ta them edhe herë të tjera, duhet të bjerë anëtarët e tij në KQZ.  Fakti, që nuk i bie, tregon që më tepër po përgatitet se si të justifikojë humbjen për të mbajtur karrigen e kryetarit, se sa të fitojë zgjedhjet.

– Mendoni që mungesa e anëtarëve të KQZ, do të ndikojë në plotësimin e standardeve të zgjedhjeve?

– Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë më komplekse se kaq. KQZ-ja nuk ndihmon dhe ky hap i bërë nga Rama qartësisht bie në kundërshtim me atë çka thotë, që është për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për mendimin tim, nga shoqëria, ku unë vij nga formimi që unë kam jetuar kaq gjatë në SHBA, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një proces i gjithanshëm, ku ka vend pozita, opozita ka vend për partitë politike, shteti, shoqëria civile, shtypi dhe në radhë të parë qytetari dhe është një përpjekje e përbashkët.  Gjithkush duhet të bëjë punën e tij.  Në vetvete unë mendoj që jo, por fakti që ky e përdor këtë si alibi, fakti që shpeshherë bën thirrje dhe për ballafaqim me një revoltë popullore, pra për thyerjen nga ky vetë të kushtetutës, unë mendoj që flet jashtëzakonisht negativisht për programin e tij. Kjo është arsyeja kryesore që nga kjo politikë, shqiptarët janë të lodhur, kjo politikë nuk do të ketë të ardhme më 23 Qershor.

– Çfarë kujtoni 21 vjet më parë kur u përmbys diktatura komuniste, në lëvizjet e dhjetorit, cilat ngjarje ju kanë mbetur në mendje?

– Ah pyetje e bukur kjo, atëherë kam qenë pedagog. Janë kujtimet me të bukura… Nga ai moment kujtoj atë shprese dhe energji që kishim, atë ankthin a do të kishim sukses apo jo dhe në mënyrë paqësore për të ndërruar sistemin në Shqipëri. Kujtoj ata entuziazëm atë sinqeritet dhe mbështetje pa kufi që i jepej, por edhe atë frikë, se edhe ankthi ishte. Shqipëria ka ecur shumë përpara dhe unë mendoj dhe i referohem asaj kohe, për të treguar se sa larg kemi ecur në këtë pikë dhe kontributi është i përbashkët. Por, kuptohet, që një forcë politike, si PD-ja, që e ka filluar atë proces, përfshi edhe mua si një nga pjesëmarrësit aktiv të asaj pune, kjo është një diçka që të shoqëron dhe jam krenar dhe siç jam krenar për të gjithë atë brez, që bëri të mundur dhe i dha Shqipërisë demokracinë,  e cila ka ecur. Ta përdorim atë eksperiencë për të përshpejtuar ecjen në kohë përpara, për të vënë Shqipërinë të parët, për të vënë progresin të parët, për të vënë qytetarët të parët dhe unë prandaj jam këtu, për të bërë një fushatë të tillë në interes të qytetarit, ku të fituarit do të jenë shqiptarët. Do të fitojë alternativa më e mirë dhe të gjithë ne të tjerët do të jemi krenarë për këtë kohë për veten tonë për të sotmen, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen.

– Faleminderit!