Edi Rama: Reformën në Drejtësi t’ua besojmë ekspertëve

497
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në emisionin “Shih Programin” të gazetarit Enkel Demi se, Reforma në drejtësi si e tërë do të kërkojë vite, por si bazë për reformën është domosdoshmërisht paketa e ndryshimeve kushtetuese e cila mund të votohet brenda marsit. Sigurisht nëse do ketë vullnet për të gjetur dakordësi në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. “Nëse duam një reformë reale, politika duhet të bëjë një hap prapa dhe t’ia lërë këtë punë ekspertizës më të mirë të mundshme”, u shpreh Rama. Rama shtoi se, “Reforma nuk është tek teknikalitetet, por tek thelbi dhe thelbi është që kjo reformë do të sjellë një tronditje të sistemit të drejtësisë dhe premisa se cilido mund t’i shërbejë shqiptarëve në ketë sistem do të kalojë nga një proces rigoroz qëmtimi të kandidaturave që nga eksperienca tek pasuria etj”. Duke komentuar draftin e Venecias për Reformën në Drejtësi, Rama tha se, “Pjesa e parë e reformës, ndryshimet në kushtetutë hyjnë në proces, reforma në drejtësi si e tërë do kërkojë vite por si bazë për reformën është domosdoshmërisht paketa e ndryshimeve kushtetuese. Në rast se do të ketë vullnet për të gjetur dakortësi. Nuk jam në dijeni të detajeve, i qëndroj asaj që nëse duam një reformë reale, politika duhet të qëndrojë nga prapa dhe t’ia lërë ekspertizës më të mirë të mundshme”. Rama tha se ajo palë politike që identifikohet si bllokuese e Reformës do të ketë një rezultat shumë negativ në zgjedhjet e ardhshme. Më tej kryeminsitri Rama tha se po synohet që reforma të miratohet duke gjetur konsensusin e opozitës. I pyetur për hapat që do të ndiqen nëse nuk gjendet konsensusi me opozitën, Rama tha se nuk do ta bëjë këtë parashikim, por gjithsesi pranoi se ka një plan B të cilin nuk deshi ta sqarojë. “Ne synojmë të miratojmë reformën me konsensus. Ky është plani A. Nëse kjo dështon atëherë kalojmë në planin B”, tha Rama. Ndërsa duke folur për Byronë Kombëtare të Hetimit, Rama theksoi se, “Byroja e Hetimit e ndërmjetësuar nga amerikanët nuk varej nga Policia por prania e Prokurorisë ishte vendimtare. Thelbi është që kjo reformë do sjellë një tronditje të sistemit të drejtësisë”. Rama tha se nuk ka çfarë të rinegociohet për Byronë Kombëtare të Hetimit. “Do bëhet një proces në komisionin e reformës dhe në atë proces sigurisht që do ketë takime. Ne do synojmë dakortësi me opozitën dhe nuk do fillojmë me planin B por do synojmë planin A, me dakortësi”, theksoi Rama. Kryeministri Rama ka komentuar dhe incidentin e ndodhur gjatë seancës së fundit parlamentare. Në këtë seancë deputetët e opozitës e qëlluan atë me vezë për shkak të prezencës së deputetit Armando Prenga në sallë. “Duhet të pyesni ata që e bënë sepse ajo që ndodhi nuk ka të bëjmë me Partinë Socialiste. Armando Prenga është përjashtuar nga PS. Se kush janë fajtorët dhe kush janë të pafajshmit i takon gjykatës”, tha Rama. “Për sa na takon neve, Armando Prenga nuk ka asnjë lidhje me ne. Nuk kam asnjë kriminel në listën e deputetëve të PS-së. Para kandidimit u kam kërkuar dëshmi penaliteti”. Rama, tha se ishte pikërisht mazhoranca që e shtyu procesin e dekriminalizimit në binaret e një reforme. “Ne e shtymë procesin e dekriminalizimit në binaret e një reforme. As Prenga dhe as Doshi në momentin kur janë përjashtuar s’kanë qenë të paragjykuar në asnjë shkallë. PD do vetëm të baltosë sa më shumë kundërshtarin”, është shprehur kryeministri. Për koalicionin me LSI dhe takimet me Ilir Metën, Rama tha se, “Me Ilir Metën takohemi si dy partner dhe bashkëkryetarë të një koalicioni. Ne bashkëkryetarë të koalicionit jemi. Ne diskutojmë temat e qeverisjes që kanë të bëjnë me reformat dhe zbatimin e tyre. Ne flasim edhe për ndonjë ngjarje të vecantë sportive apo kulturore, por takohemi për punë, dy herë në javë”. Për ndryshimet në qeveri, Kryeministri Rama tha se, “ndodhin rast pas rasti sipas rastit”. Për ish- ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, Rama tha se, ka qenë një ministër i suksesshëm që ka punaur një një periudhë majft të vështirë për ekonominë e vendit. Për perceptimin jo të mirë të të qytetarëve për sektorin e shëndetësisë, Kryeministri u shpreh se, ka një dallim mes perceptimit të pëgjithshëm dhe atyre që e marrin këtë shërbim. Rama pranoi se ka mjaft probleme, por edhe janë bërë shumë gjëra. Sipas tij, në shëndetësi në këto dy vite janë bërë më shumë gjëra se në 25 vite më parë. “Atë që kemi bërë ne në shëndetësi, nuk është bërë në këto 25 vite. Padyshim që ka plot probleme e të meta, situata që nuk janë të denja, por ajo që ne po bëjmë është një reformë e tërë sistemit. Kemi kaluar 7 milionë dollarë në xhepat e familjeve. Kemi bërë falas mjekun e familjes. Kemi hapur një rrugë të re për njerëzit që marrin shërbim”, tha Rama. Duke folur për Bashkimin Europian dhe krizën e emigrantëve, Rama tha se, “jam i mendimit se Europa sot nuk funskionon sic duhet, jo se projekti është i gabuar, por është i papërfunduar. Është e nevojshme të ketë një Europë shumë më të integruar”.
Kryeministri flet në emisionin ” Shih Programin” të rtvsh
Sigal