Dje ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, u mundua që të bëjë fajtor ish- ministrin e Infrastrukturës Edmond Haxhinaston, për faturën e 44 milionë eurove, që Shqipëria do t’i paguajë kompanisë greke “Aktor”, sipas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i LSI-së.
Ministri Haxhinasto informon kryeministrin Rama për vonesat në punime
Lëvizja Socialiste për Integrim i përgjigjet MIE për 44 milionë dollarë dëmshpërblim që duhet të paguajë shteti shqiptar për kompaninë greke “Aktor”. LSI-ja nxjerr letrën e ministrit të asaj kohe, Haxhinasto, i cili informon kryeministrin Rama për vonesat në punime, e po ashtu për moslikujdimin e punimeve të kryera. Ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto i ka shkruar që në vitin 2016, kryeministrit Edi Rama në lidhje me vonesat në realizimin e projektit të rrugës, e po ashtu edhe për punimet e bëra nga “Aktor”, por të papaguara. Ndërkohë që vetë LSI-ja në deklaratën bashkëngjitur letrës së Haxhinastos thotë se ministri përgjegjës për humbjen e gjyqit është Arben Ahmetaj, i cili ka patur përgjegjësi për pagesat, buxhetet dhe rimbursimin e TVSH-së, që sipas LSI-së është shkaku pse u humb gjyqi. Po ashtu, LSI i kërkon prokurorisë që të hetojë pse janë zhdukur e-mailet e komunikimit mes Eridana Çano-s dhe drejtuesve të njësisë së menaxhimit të projektit Z. Aksel Gjurduka dhe Z. Albens Alite.
LSI: Balluku dezinformon me urdhër të Ramës
Në tentativën e radhës për të hedhur baltë ndaj LSI-së, Belinda Balluku e urdhëruar nga Edi Rama, ka nxjerrë një deklaratë dezinformuese ndaj LSI-së. Për të informuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Fugën që përgatit Deklaratat e Ministrive të Rilindjes, iu bëjmë me dije se para se të përmendni emrin e LSI-së, duhet të thërrisni që t’iu sqarojnë: Znj. Eridana Çano ish Zv. Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit të Rilindjes Edi Rama. Personi i ngarkuar nga Rama për ndjekjen e mbarëvajtjes së këtij projekti dhe komunikimin me ARRSH, Ministrinë dhe firmën greke “AKTOR”. Z. Arben Ahmetaj, ish -Ministër i Financave dhe personi që firmoste dhe aprovonte buxhetet, shpronësimet dhe rimbursimin e TVSH-së. Arbitrazhi është humbur pikërisht për mosrimbursimin e TVSH-së dhe shpronësimeve. Z. Afrim Qendron, që ishte kryetari i Këshillit Teknik dhe ishte ai që miratonte çdo ndryshim projekti që kishte efekt në buxhet. Dhe si mund të evitoni Taulant Ballën nga marrja në pyetje, që jo vetëm përdori kunatin dhe motrën për lëvizjen e parave, por edhe listën e njerëzve që punësonte në Elbasan. Cila është lidhja e Kristlen Kerrit me Taulantin? Së fundmi, i bëjmë thirrje Prokurorisë, të zbulojë pse janë zhdukur e-mailet e komunikimit mes Eridana Çanos dhe drejtuesve të njësisë së menaxhimit të projektit Z. Aksel Gjurduka dhe Z. Albens Alite? Përpara se Znj. Balluku të bëjë deklarata inati ndaj Damian Gjiknurit, e këshillojmë që të shikojë letrat mirë. Meqënëse është dhe ish-studente e Fakultetit Juridik Tiranë. Ankesa e firmës Greke “AKTOR” ka ardhur në ARRSH, një javë pasi Dashamir Xhika ka dhënë dorëheqjen. Trajtimi i këtyre ankesave duhet të ishte marrë në konsideratë nga Damian Gjiknuri dhe Afrim Qëndro. Kur LSI-ja qenka kaq e rëndësishme, përse firma Greke ka nisur gjyqin me qeverinë shqiptare në 2019-ën, 2 vite pasi LSI-ja ishte në opozitë, dhe pse kryeministri Rama nuk ka marrë asnjë veprim ndaj informimit që Ministri i LSI-së Z. Haxhinasto i bëri në Mars 2016-ën, me anë të një letre zyrtare mbi problematikat me firmën Greke në rrugën Tiranë-Elbasan?




















