Dy deputetë socialistë, drejt LSI-së

479
Sigal

Parashikimi i Metës se, LSI do të dalë në 23 qershor me 10 deputetë, kaloi çdo hamendësi

Duket se, LSI po ecën e sigurt drejt grupimit ndoshta më referent dhe më të lakmuar në Parlament. Pak ikjes së Luan Duzhës nga PR, i cili fitoi me votat e zgjedhësve elbasanas, dhe bashkimi i tij me  grupin parlamentar të LSI, pritet që brenda pak javësh edhe dy deputetë të PS nga qarku i Elbasanit, të “rrëshqasin” drejt partisë së Ilir Metës. Lëvizja Socialiste për Integrim, u shfaq qysh në fillimet e veta dhe po ecën vrullshëm drejt një faze finale në rrugën e saj për të konsoliduar grupimin e saj parlamentar dhe njëherësh për të diktuar në kampin e majtë të gjitha lëvizjet politike. Parashikimi i Metës se, LSI do të dalë në 23 Qershor me 10 deputetë, ndoshta e kaloi çdo hamendësi dhe gjithçka ka ndodhur muajt e fundit. Po përse ky afrim i deputetëve të lëkundur ndaj LSI? Deputetë të tillë, me tendencën e “rrëshqitjes” drejt LSI, duhet thënë se ka edhe nga PD, ose më mirë edhe nga grupimi parlamentar i kësaj partie. Ka zëra se pritet ndonjë largim drejt Metës. Por duke parë Qarkun e Elbasanit, ku LSI në zgjedhjet e 23 Qershorit arriti të 10-të fishojë votat e saj, konstaton rritjen e parë me zili nga PS-ja lokale dhe kandidatët e saj pas daljes së përfundimeve nga KQZ. Realisht, LSI mbetet forca kryesore në Këshillin Bashkiak të qytetit të Elbasanit, në Qark dhe shumicën e bashkive dhe komunave në Prefekturën e Elbasanit. Tek zgjedhësit e majtë, të cilët duhet thënë se janë në përqindje më të madhe se ata të djathtë, tashmë pas afro 6 muaj qeverisje nga PS janë shfaqur zhgënjimet e para dhe janë kalkuluar të tjera qasje drejt LSI. Kjo duket tek rritja e kësaj force politike në aspektin numerik, pasi ka çdo muaj pranime të reja, tek trokitja e hallexhinjve dhe militantëve socialistë në dyert e zyrave të LSI-së lokale,dhe tek ritmet e punësimit që kjo parti po kryen jo vetëm ndaj anëtarëve të saj. Por, një faktor tjetër që po shtyn jo vetëm anëtarët dhe militantët, por edhe ndonjë deputet socialist drejt LSI, është edhe fakti se, këta të fundit nuk po gjejnë hapësira dhe mbështetje nga qendra dhe vetë Rama në aksionet e tyre të motivuara politikisht. Ata ndjehen të ndrydhur dhe të shtypur, të vënë në rresht dhe pa iniciativë, gjë të cilën Meta nuk e ka patur asnjëherë me të vetët, duke krijuar më tepër demokraci brenda partisë. Zërat e përhapur së fundit për krijimin e një Federate të Majtë, me kryetar Ilir Metën, ndoshta janë motivet kryesore që po shtyjnë deputetët e PS drejt afrimit me LSI. Qysh prej 6 muajsh, përfaqësuesit e socialistëve të qarkut të Elbasanit, nuk kanë marrë asnjë takim zyrtar me kryesocialistin Rama, për t’i kërkuar atij zgjidhjen e problemeve që kanë sot zgjedhësit e tyre. E për pasojë edhe vetë zgjedhësit ndjehen të braktisur nga ata që në 23 qershor i votuan me shpresën për të rilindur. Mjafton të krahasosh një fakt të thjeshtë. Meta prej shtatorit ka ardhur e pakta 6 herë në Elbasan, në selinë e LSI, ka marrë takime të gjata pune me krerët e degëve, anëtarësinë, madje, edhe me aleatët në qeverisje. Shkëputja e kontakteve me të zgjedhurit në rrethe mbetet defekti kryesor dhe shkaku i pakënaqësive të militantëve, për një pjese të mirë të deputetëve socialistë. Këta deputetë që dhe një pjesë e tyre ministra kanë sistemuar njerëzit e tyre në drejtoritë kryesore dhe këta të fundit, kundrejt detyrimeve bëjnë listat e punësimit. Shumica e të punësuarve janë të djathtë pasi ata paguajnë , dhe këto pagesa i kanë siguruar gjatë tetë viteve që socialistët e thjeshtë mbetën rrugëve të kurbetit dhe të qarkut të Elbasanit si, Librazhd, Peqin, Gramsh, Cërrik, Belshit etj. Në muajin e fushatës përgjëroheshin dhe ne shpresuam se ditë të bardha do të vinë edhe për socialistët e shkolluar por të hedhur rrugëve. Por e vërteta ishte se këta u  kthyen në horra dhe se shprehja popullore se vendin e merë tatëpjeta kur “politikani kthehet ne horr dhe horri bëhet politikan”.  Shkëputja e dy prej deputetëve socialistë të Elbasanit nga grupi parlamentar i PS, pritet të bëhet shumë shpejt, madje sipas burimeve të sigurta, ata largimin do ta deklarojnë në sallën e Parlamentit, ndërkohë që pritet “OK” nga Meta. Kjo padyshim do të vërë në pikëpyetje edhe fitoren e kandidatëve socialistë në zgjedhjet e afërta lokale për bashkitë e komunat, të cilat sipas parashikimeve priten të fitohen me shumicën dërrmuese nga LSI.