Ministrja Nikolla: Universitetet të përmbushin pritshmëritë e maturantëve

512
Sigal

Nga Durrësi, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla kërkoi nga institucionet e Arsimit të Lartë, që të riorganizojnë programet e studimeve dhe të përmbushin pritshmëritë që kanë maturantët.

Lindita Nikolla: “Biem dakord, nëse themi që mësuesit dhe cilësia e tyre është kushti themelor për të pasur cilësi në arsimin parauniversitar dhe më pas kjo cilësi për të ardhur në arsimin e lartë dhe kështu me radhë. Do të kërkoja nga secili prej jush, nga profesorët që jepni mësim në programet e mësuesisë, departamentet po ashtu, një vëmendje të plotë dhe një qartësi me gjithçka që ka ndodhur në arsimin parauniversitar për sa i përket qasjes së re kurrikulare të orientuar nga kompetencat. Ju lutem, jo vetëm se është një detyrim ligjor, por shiheni edhe si një prioritet të kohës, duke u ngritur në nivelin e përgjegjshmërisë qytetare që të gjithë kemi, për të adresuar këtë problem, këtë plagë të rëndë në fakt të sistemit arsimor, që lidhet me cilësinë e mësuesve. Ka shumë rëndësi nëse ne këtë vit do të dimë bashkërisht ta adresojmë këtë moment, është një nder i madh që i bëjmë shkollës shqiptare. Diga e parë për të çuar në shkollat e fëmijëve tanë mësues cilësorë në ato diploma që kemi, është ngritur, besoj se jeni ju ata që do të bëni të mundur atë që është shumë e rëndësishme, formimin bazë të mësuesve cilësorë në programet tuaja të studimit.