Dritan Ylli: Familja është oaz qetësie dhe kënaqësie

527
Dritan Ylli, drejtori i Inspektoratit të Punës është një nga figurat më të spikatura mediatike dhe një zë i fuqishëm në luftimin e çdo padrejtësie që bëhet duke shkelur ligjin dhe për mbrojtjen e respektimin e të drejtave të punonjësve. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Dritan Ylli flet për karrierën, por edhe për familjen. Vendi ku i fal qetësi dhe i largon lodhjen e orëve të punës. Dy vajza të mrekullueshme e shumë të qeshura, dhe një bashkëshorte e dedikuar dhe përkrahëse në punën e tij, janë një bekim për Dritanin. 
Dritan Ylli prej tetorit të vitit 2013 mban detyrën e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Punës. Më përpara ka pasur disa pozicione të tjera në nivele drejtimi në administratën publike. Është i angazhuar që nga viti 2002 në politikë dhe është një ndër themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Aktualisht është anëtar i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI dhe drejtues i LSI në njësinë nr.8 në Tiranë. Përpara se të angazhohej në politikë, ka qenë gazetar pranë disa gazetave të përditshmeve kryesore.
Një zë shumë i fuqishëm, që lufton për të drejtat, për respektimin dhe mbrojtjen e punëtoreve. Kështu e njohim kreun e Inspektoratit të Punës të gjithë Dritan Yllin. Unë kam ndjekur nga afër deklaratat tuaj, po kështu dhe analizat vjetore kur ju tregoni situatën si ka qenë dhe si është tani. Sa progres ka pasur me të gjitha përpjekjet tuaja për të mos lejuar shkeljen e të drejtave të punonjësve dhe respektimi i tyre? 
Ju falënderoj shumë për mundësinë e kësaj interviste dhe për parashtrimin që ju bëni në pyetjen tuaj. Kur bëhet një analizë apo bilanc për punën e një institucioni, për më tepër kur duhet të shqyrtohet puna e një harku kohor prej thuajse tre vitesh, që daton emërimi im në këtë detyrë. Unë sot e them me shumë bindje që këto tre vite, kanë sjellë një standard më të lartë në tregun e punës në Shqipëri. Përpjekjet që ne kemi bërë gjatë këtyre tre viteve, kanë sjellë jo vetëm ndryshim dhe përmirësim të dukshëm në marrëdhënien e punës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe kushtet e punës në tërësi, por duke ditur se puna është pjesë e rëndësishme e jetës së njeriut, për rrjedhojë kanë sjellë një përmirësim të cilësisë së jetës, për shumë qytetarë në marrëdhënie pune. Vetëm gjatë vitit 2015, edhe falë punës që u bë në operacionin e koordinuar nga kabineti qeveritar, u arrit që të futen në skemën e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, më shumë se 100 mijë punonjës, që ishin në punë të zezë. Natyrisht, që kjo është një sfidë që vazhdon deri në regjistrimin dhe formalizmin e punëmarrësit më të fundit, dhe ne do të kemi gjithnjë vullnetin e duhur, për ta luftuar këtë fenomen. Mund t’ju them që nga puna sistematike dhe e vijueshme, vetëm nga trupa inspektuese e Inspektoratit të Punës, gjatë 6 muajve të parë të këtij viti (2016) u zbuluan dhe janë futur në skemë rreth 650 punonjës, që ishin në të zezë.

 Të fokusuar fort në luftë kundër punësimit informal, si forma më poshtëruese e një marrëdhënie pune, pasi një punëmarrës i padeklaruar nuk gëzon asnjë të drejtë nga puna e tij, është punuar shumë edhe për të krijuar një mjedis të mirëqenë për një punë të denjë. Ka mjaft skeptikë dhe unë bashkohem me ta, pasi kemi zgjedhur të përballemi me realitetin dhe jo t’i fshihemi atij, që kërkojnë kushte edhe më të mira trajtimi për punonjësit. Por nuk duhet harruar se deri para tre vitesh, me keqardhje duhet thënë, punëmarrësit fshiheshin nëpër dhoma të fshehta apo mbylleshin nëpër magazina sapo në derën e subjektit të shfaqeshin inspektorët e punës. Nuk mund të flitej në një situatë të tillë për kushte pune, për sigurinë dhe shëndetin në punë, apo për trajtim dinjitoz të punonjësve. Sot, nuk gjen më nga 30 apo 50 punonjës, pa sigurime, siç gjenim rëndom përpara tre vitesh në kompani të ndryshme. Tani ne kemi hyrë në një fazë të re të rritjes së standardit të marrëdhënies së punësimit. Si rezultat i fokusimit të kontrollit dhe inspektimit tek ndërgjegjësimi dhe ndërmarrja e masave mbrojtëse individuale dhe kolektive për të shmangur rrezikun, kemi mijëra punëmarrës më shumë, të pajisur me pajisje mbrojtëse për jetën e tyre. Kemi 2800 subjekte më shumë të cilët kanë përmirësim të kushteve të punës për punëmarrësit e tyre, kemi 562 ndërmarrje, në të cilat janë ngritur dhe kanë filluar të funksionojnë këshillat e sigurisë në punë, forume ku diskutohet për kushtet e punës në mes punëdhënësit dhe punëmarrësve. Sot kemi; 1400 ndërmarrje më shumë që kanë të punësuar mjek dhe 730 punëmarrës më pak të evidentuar me sëmundje profesionale. Kuptohet që kjo situatë flet për një bashkëpunim shumë të mirë edhe me sipërmarrjen private. Ne jemi shumë të keqardhur, për çdo aksident që ndodh në punë, por ama konstatojmë një rënie të numrit të aksidenteve nga vit në vit. Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti janë 17 punonjës të aksidentuar, më pak se e njëjta periudhë e vitit 2014 dhe 6 punonjës më pak se në vitin 2015. Ndërkohë që ka një rritje të ndërgjegjësimit për deklarimin e aksidenteve. Më përpara, ashtu si punonjësit informatë, edhe aksidentet fshiheshin, duke ju mohuar të drejtën e përfitimit të trajtimit social, për ato punonjës që lëndoheshin fizikisht. Aktualisht kemi regjistruar 10 ankesa për aksidente të ndodhura dhe të panjoftuara në kohë pranë Inspektoratit të Punës nga punëdhënësit. 
Zoti Ylli ju ka ndodhur që t’ju dërgojnë letra për hallin që kanë, apo vet punonjësit të duan të flasin personalisht me ju? Ndonjë ngjarje që mund të tregohet?
Inspektorati Punës, sot është bërë një institucion i njohur dhe për më tepër i besueshëm nga qytetarët. Një derë e hapur gjithnjë për çdo punonjës, që troket për të ankimuar çdo shkelje të të drejtave që i garanton ligji. Unë pres thuajse çdo ditë në zyrën time punonjës, që duan të më paraqesin direkt shqetësimin që kanë. Pavarësisht rrugëve të ankimimit, ne i kemi mirëpritur dhe e kemi trajtuar shqetësimin e paraqitur në mënyrë të menjëhershme, pavarësisht vendit apo natyrës së shkeljes. Ndryshe ndodhte dikur, kur ankesat e punonjësve binin në vesh të shurdhër, apo letrat e tyre hidheshin në koshin e plehrave. Sot çdo ankesë e punonjësve trajtohet me seriozitet, me korrekte në përputhje me legjislacionin e punës dhe për më tepër duke mos tejkaluar afatet ligjore të trajtimit të tyre. Por, kërkohet me shume ndaj dhe Inspektorati i Punës ka zhvilluar një serë takimesh, trajnimesh, mesazhe publike përmes medias, në mënyrë që qytetaret të njihen me shume me te drejtat e tyre. Mund të veçoj njërën prej tyre, një grua që punonte në një fason dhe vuante nga një sëmundje e rëndë. Dhe për pasojë kishte bërë mungesa të gjata në punë dhe punëdhënësi kishte gjykuar, pa të drejtë të ndërpriste marrëdhëniet e punës me atë person. Më ka ardhur në zyrë me lot në sy kjo grua, nënë e tre fëmijëve, se përveç sëmundjes që kishte kaluar, kishte mbetur dhe pa punë. Menjëherë e trajtuam këtë rast dhe e rikthyem në punë zonjën, duke i rikthyer në fakt edhe të gjithë të drejtat që asaj i takonin, të drejta që do i kishte humbur, nëse nuk do kishte trokitur në zyrat e inspektoratit të punës.
Po arsimi profesional, sa po përqafohet nga të rinjtë sot?
Arsimi profesional në mënyrë te padiskutueshme është një edukim shumë i rëndësishëm me zanatin, që një i ri apo e re ta gjeje veten ne tregun e punës. Nëse një i ri ka dëshirë për punë, arsimi profesional është çelësi që ja hap më shpejt dyert e tregut të punës. Sot zyrat e punës kanë deklaruar mijëra vende të lira pune të lajmëruara nga bizneset, por presin që në ato vende te lira te vijnë njerëz te cilët janë te kualifikuar dhe i përshtaten pozicionit te punës. Arsimi profesional është një hallkë shume e rëndësishme e lidhjes se zyrës së punës me biznesin, të kërkesës për punë me pozicionin e punës. Nga ajo që vërejmë çdo ditë, më vjen mirë të them që ka gjithnjë dhe më shumë të rinj që po ju drejtohen shkollave profesionale, apo qendrave të trajnimeve profesionale. Ne si Ispektoriat pune e vlerësojmë si shumë pozitive formimin profesional, sepse një punëkërkues me arsim profesional është shumë herë më i përshtatshme për tregun e punës, pasi do jetë një punonjës i ardhshëm që njeh më shumë të drejtat e tij, sidomos në drejtim të sigurisë në vendin e punës. 
Cili është çelësi i suksesit në punën tuaj?
Krijimi i një fryme motivuese në ekip, ku secili të ndërgjegjësohet për detyrën, rolin dhe mundësinë që ka për të ndikuar dhe dobinë që mund të sjellë puna dhe rezultatet e mira. Nga ana tjetër, ndjekja me vendosmëri dhe këmbëngulje e prioriteteve dhe objektivave, duke kërkuar me çdo kusht rezultatin pozitiv dhe tejkalimin e vetvetes. 
Shkelësit më të mëdhenj janë privatët apo shteti?
Sektori privat, nisur edhe nga një përvojë jo shumë e gjatë me funksionimin e tregut të lirë të sipërmarrjes, vijon të jetë problematik, veçanërisht në respektimin e raportit punëdhënës-punëmarrës. Edhe pjesa mbizotëruese e shkeljeve që evidentohen vijnë nga sektori privat. Por, ka edhe disa kompani që i përkasin sektorit publik apo shtetëror që herë pas here janë në shkelje apo që marrim ankimime nga punonjësit. Fjala vjen për OSHEE, kemi shume ankesa dhe ka shumë probleme veçanërisht sa i përket masave të sigurisë në punë, gjë që shkakton aksidente dhe nganjëherë për fat të keq, edhe me pasojë humbjen e jetës. Por, edhe në sektorë të tjerë të institucioneve shtetërore, ka shkelje të kodit të punës, apo të legjislacionit të punës në tërësi. Por, përgjithësisht punonjësit e sektorit shtetëror vetëpajtohen me disa shkelje. Fjala vjen në disa dikastere apo institucione shtetërore, punohet edhe me orare te tejzgjatura, por kjo bëhet me një lloj mirëkuptimi në mes të eprorëve dhe vartësve dhe nuk mund të trajtohet si një shkelje e mirëfilltë e të drejtës së punonjësit, që në fakt duhet të punojë jo më shumë se orari zyrtar. 
Po kështu, ju zoti Ylli realizoni takime informuese për kushtet e sigurisë në punë, takime me biznese, një praktikë për t’u vlerësuar… përveç qëllimit final, bëhen këto takime sebep për t’u njohur me probleme të ndryshme apo ankesa?
Ne e kemi bërë pjesë të punës sonë, takimet e vijueshme me organizatat e punëmarrësve, ose përfaqësitë e sindikatave, sikurse dhe me organizatat e punëdhënësve, ose përfaqësues të biznesit. Ne kemi një aleancë të ngushtë me sindikatat kudo që ato janë të pranishme, madje i kemi nxitur edhe krijimin e tyre ku kanë munguar. Kjo për faktin se prania e sindikatës në një kompani, është një lehtësi më e madhe në punën tonë, sepse ato janë çdo ditë të pranishëm në vendin e punës, kurse një inspektor pune nuk e ka këtë mundësi. Ndaj dhe kemi mirëpritur dhe trajtuar me shumë seriozitet çdo problematikë që na është bërë e ditur nga sindikalistët. Madje, herë pas herë kemi pasur edhe aksione të përbashkëta me përfaqësuesit e sindikatave, sidomos në ato sektorë që paraqesin një rrezikshmëri të lartë për punonjësit. Nga ana tjetër, kemi zhvilluar dhe vijojmë të organizojmë tryeza dëgjimore me përfaqësues të biznesit. Kjo na ka krijuar një frymë më bashkëpunuese, të domosdoshme me sipërmarrjen private. Por gjithnjë kemi pasur parasysh që ndarja dhe ndjekja e përgjegjësive, të jetë në funksion të qëllimit të përbashkët, krijimit të një mjedisi më të denjë për punonjësit. Ndërkohë, që sugjerimet apo vërejtjet që na vijnë nga biznesi, jemi përpjekur ti reflektojmë dhe ti kthejmë në axhendë të përmirësimit të punës sonë të përditshme.
Në fundvitin 2015, ju shpërndatë certifikata vlerësimi për trupën inspektuese. Por ajo që më bëri shumë përshtypje mes jush, pra “Shefit dhe vartësve” ishte familjariteti i krijuar, fryma bashkëpunuese… janë këto të dyja një çelës suksesi mes jush?
Nisur nga përvoja modeste politike dhe administrative deri më tash, kam kuptuar që nëse funksionon fryma e skuadrës, do ketë gjithnjë rezultate pozitive. Në formimin dhe karakterin tim, nuk ka asnjë arsye të ekzistojë një marrëdhënie arrogante shef-vartës, përkundrazi. Në çdo organigramë, apo strukturë, secili ka vendin e vet dhe duhet të vlerësohet për performancën dhe rezultatet që ofron. Sigurisht që nuk kam lejuar ndonjëherë dhe as do të lejoj ndonjë shfaqje papërgjegjshmërie, shkelje të etikës, apo më keq akoma shkelje të ligjit në institucion apo në kryerjen e detyrës. 
Ta lëmë për një moment punën dhe të kthehemi tek familja juaj zoti Ylli. Ç’mund të na rrëfesh për vendin ku vërtet gjen qetësi dhe çlodhje pas një dite të gjatë pune?
Familja është oaz qetësie dhe kënaqësie. Por, njëkohësisht mendoj se familja është gjithnjë një impuls shumë i fuqishëm që të jep energji thellësisht pozitive, për të pasur një sukses në çdo punë dhe detyrë. Mendoj se përgjegjësia ndaj familjes, të mbart me një përgjegjësi më të madhe edhe ndaj shoqërisë dhe sensit të detyrës. Jam shumë i lumtur me familjen që kam dhe për këtë falënderoj njëqind herë Zotin dhe bashkëshorten që më ka dhuruar dy vajza të mrekullueshme dhe një qetësi familjare.
Vajzat, dihet botërisht që janë të lidhura shumë me babain, atij i japin më shumë dashuri dhe e shohin si mbretin e tyre. Mund ta ndash me lexuesit e gazetës “Telegraf” lidhjen tuaj me vajzat? 
Ndoshta kjo është e vërtetë, pasi edhe unë e ndjej shpesh këtë gjë. Ndjej qe ne mënyrë instiktive vajzat e kuptojnë faktin qe unë nuk e kam kohen e duhur për te qëndruar aq sa duhet me to. Ata duket se ma falin këtë gjë dhe jemi shume te lidhur ne kohen qe jemi bashke. Por mbetem i mendimit se dashuria për nënën është e pazëvendësueshme për fëmijët, ndërsa babai ka një rol tepër të rëndësishëm që nuk duhet ta harrojë asnjëherë. Mundohem t’jua shpjegoj vajzave, se edhe pse punoj shumë, ato janë prioriteti jetës sime. Falënderoj bashkëshorten që i edukon me një dashuri të pashtershme për babain dhe unë gjej një kënaqësi të pafund kur jam në shtëpi, që nuk krahasohet me asgjë në botë. Nuk thonë kot “kush ka vajza, boten ka”. 
Sa shpesh përpiqesh të gjesh kohë për t’i plotësuar kohën e munguar familjes, apo edhe për ju, fundjava është plotësuesja për të qenë pranë saj?
Unë përpiqem të jem një baba i përkushtuar. Është e vërtetë se nga impenjimet e shumta, kam një mungesë të vazhdueshme të kohës së nevojshme për të qëndruar me vajzat. Por, përpiqem që atë boshllëk të kohës së munguar, ta mbush në atë pjesë të kohës që jam me to. Bëhet fjalë për kohë të munguar, por e cila kompensohet me një dashuri të madhe. Gjithçka bëj e bëj për to dhe ato arrijnë ta kuptojnë këtë gjë dhe do e kuptojnë më mirë në të ardhmen
Si është Dritani si baba?
Mundohem të jem baba i përkushtuar. Meqenëse vajzat dhe bashkëshortja ma pohojnë shpesh, po them se e besoj.
Çfarë këshillash u jep më shumë vajzave?
Këshilla të ndryshme që prindërit japin për fëmijët e tyre, në varësi të rrethanave, që të rriten të mbarë, të ditur dhe të shëndetshëm. Por, një ndër kryesoret që mundohem t’jua ndikoj më shumë dhe gjithnjë, është që zgjedhjet që do bëjnë në jetë, të përpiqen ti bëjnë me dashuri. 
Pas daljeve mediatike, në shtëpi kush është, mes vajzave dhe bashkëshortes, që interesohet të di më shumë si vajti puna, takimet?
Të tria janë ndjekëse të rregullta në rastet kur unë dal në ekran. Por, ndërsa vajzat shprehin kënaqësinë e të parit të babait nga ekrani dhe gjithnjë janë të kënaqura, bashkëshortes i përket gjithnjë pjesa e një interesimi më të madh dhe herë pas here të frymës kritike. 
Në mesazh për lexuesit e gazetës “Telegraf”…
Unë kam një marrëdhënie të hershme bashkëpunimi mjaft pozitiv me gazetën “Telegraf” dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Më vjen shumë mirë, që mijëra lexuesit e “Telegraf” si print dhe qindra mijërat e “Telegraf” on-line, kanë mundësi që çdo ditë të marrin lajme, informacione, apo dhe analiza mjaft të vërteta dhe nganjëherë edhe shumë më të guximshme se në mediat e tjera. Por, fundja njohja dhe thënia e së vërtetës është misioni që duhet të ketë çdo media. “Telegraf” e përmbush këtë mision, me shumë sukses. Ju faleminderit shumë për intervistën dhe shumë suksese!


Intervistoi: Klaudia Malaj 
Sigal