Dekriminalizimi i parlamentit fillon nga lista e kandidatëve që ka në dorë kryetari i  partisë

433
Sigal

Maxhoranca dhe opozita, me firmosjen e Rezolutës së PE-së në fundvitin e 2014-s, se do të dekriminalizojnë së bashku në konsensus parlamentin, pranuan njëkohësisht, së bashku në konsensus, për herë të parë, se parlamenti ynë na qenka i kriminalizuar. Natyrisht, kur PD dhe PS bien dakord se do ta dekriminalizojnë produktin e kriminalitetit në parlament, duan të na e shesin neve se kriminalizimi i parlamentit na qenka një … mall i importuar dhe ka depërtuar në sallën e parlamentit …kontrabandë, pa dijeninë e tyre. Nuk e besoj se do të ketë ndonjë shqiptar naiv që të presë të zbardhen  nga PD-ja dhe PS-ja dosje për persona fizikë (deputetë) nga parlamenti ynë, që të vërtetojnë se këta (deputetë) janë kriminelët dhe duhet t’i zbojmë, qoftë edhe me shqelma jashtë salle. Këtë nuk e presin as zyrtarët e Brukselit nga politika jonë, as si opsion politik,  për të besuar se politika shqiptare tashmë e kalon me sukses dushin e …katarsit penal dhe politik.  Por, ajo që nuk duan të na thonë PD-PS është se nga cila portë e parlamentit hyri kriminalizimi dhe cilët janë ata që e dëshiruan! Kriminalizimi i politikës në përgjithësi dhe paskëtaj i Parlamentit, filloi në 21 prill 2008, me marrëveshjen Berisha-Rama për ndryshimet kushtetuese. Berisha-Rama bënë pazarin midis tyre që të gremisin Kodin Zgjedhor, ku votuesi zgjidhte me votë përfaqësuesin e tij në parlament dhe sollën nga porta kryesore e Kuvendit, Kodin Zgjedhor, ku kandidatët për deputetë i përcakton vetë Kryetari i Partisë me listë, me kritere personale, sikurse janë zellshmëria e servilizmi i kandidatit për deputet ndaj kryetarit të Partisë, pa u bërë aspak merak për personalitetin, reputacionin dhe integritetin intelektual dhe profesional të kandidatit për deputet. Sipas Kodit Zgjedhor aktual, kryetarit të Partisë i leverdis cilido kandidat, që i mbush thesin e votimeve, qoftë edhe nga një ushtrim i influencës së forcës e kërcënimit ndaj elektoratit nga kandidati i tij, pavarësisht se kjo përbën vepër kriminaliteti. Mjeti justifikon qëllimin, edhe pse një produkt i kësaj, është kandidat anonim në personalitet, në reputacion për elektoratin. Por e keqja nuk ndalet edhe kur ky deputet anonim i votuesve, por deputeti i Listës së Kryetarit të Partisë nuk flet qoftë edhe një fjalë të vetme në parlament, veçse ngre dhe ul gishtin në çdo votim, sa herë urdhërohet nga kryetari i partisë. Ndaj, pyetja duhet të shtrohet vetëm  ndaj kryetarëve të PD-PD, Rama dhe Basha: A duan këta të dy  kryetarë, që kanë  ekskluzivitetin e vendimmarrjes së politikës shqiptare, të ndryshojnë Kodin Zgjedhor dhe të bëjnë filtër të çdo lloj kriminalizimi të spektrit politik, vetë votën, që elektorati të zgjedhë përfaqësuesin e vet në Kuvend? Të jetë populli të votojë drejtpërdrejt dhe jo të përcaktojë lista e kryetarit të partisë, cilin do përfaqësues në Parlament? Një copë kartë dëshmie për pastërti penaliteti, e dhënë nga  çdo zyrë sekretarie administrate, është e pavlerë, pasi kurrë dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që krimi, sado i organizuar dhe i fortë të demonstrohet,  kurrë nuk mund të blejë personalitetin, reputacionin, besimin e votuesve dhe të popullit. Historia nuk ka dëshmuar asnjëherë të ketë popull të kriminalizuar. Ndërsa me kryetarë shtetesh, me kryetarë partish, me  parlamente të kriminalizuara, është i mbushur koshi i historisë së popujve!

Jakup B. GJOÇA