Drejtësia, nga diktatura socialiste në diktaturën kapitaliste

664
Jakup B. GJOÇA
Juristët përgjigjen për “Telegraf”: Mazhoranca qëllimisht e krijoi ngërçin, të paralizojë Gjyqësorin, ta marrë peng
Mazhoranca e sotme pretendon se e realizoi reformën në drejtësi dhe se vetingu po pastron Gjyqësorin nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Mirëpo procesi i rivlerësimit nga KPK-ja ka ngrirë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, krijon vende vakante në gjykatat e tjera, sit ë Apelit, Administrative, etj, për shkak të largimit të gjyqtarëve nga Vetingu dhe pamundësisë të emërimit të gjyqtarëve të rinj, që nuk kalojnë në veting. 

E drejta e mohuar e qytetarit nga Gjyqësori dhe zyrtarë të korruptuar të pandëshkuar
Një qytetar, i cili punonte polic në Kakavijë, në sektorin e kontrollit të pasaportave, arrestohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për shkak se u gjetën në një automjet 2 ton hashash. Pas 3 muajsh paraburgim, gjykata rrëzon akuzën e Prokurorisë. Qytetari fiton gjykimin në shkallën e parë, në Apel, mirëpo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë apelon vendimin e Apelit dhe qytetari i drejtohet që në janar Gjykatës Administrative. Sipas ligjit, kjo gjykatë duhet të shqyrtojë çështjen brenda 3 muajsh, mirëpo kaluan muajt të tërë dhe ende dosja nuk shqyrtohet, sepse kjo gjykatë ka mbingarkesë. Qytetarit i mohohet e drejta nga gjykata, për shkak se është e mbingarkuar, këtë të drejtë që qytetarit ia garanton Kushtetuta. Ndërsa, janë kapërcyer afatet kushtetuese për ngritjen e institucioneve të reja të Gjyqësorit, si KLGJ, KLP, KED, por edhe SPAK, prokuroria speciale, që do hetojë korrupsionin e zyrtarëve të larë. Pra, me paralizimin e plotë të Gjyqësorit, zyrtarët e lartë të korruptuar i shpëtojnë ndëshkimit, ndërsa qytetarëve u mohohet e drejta që u garanton Kushtetuta. Drejtësia në Shqipëri, i shpëtoi diktaturës socialiste, mirëpo u “burgos” në diktaturën kapitaliste. Drejtësia shqiptare duket tashmë zyrtarisht në kolaps. Kur largimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve si pasojë e vetingut po ndodhin çdo ditë, sytë janë drejtuar nga Shkolla e Magjistraturës për të mbushur vakumin. Por ngërçi i tërë sistemit duket se e ka nxjerrë jashtë funksionit dhe këtë shkollë. 15 magjistratë të rinj mbarojnë shkollën, do të qëndrojnë pa punë deri sa të ngrihet KLGJ e KLP, që duhet t’i emërojë. Janë po këto dy institucione që do të bëjnë vetingun e kandidatëve për magjistratë si dhe do përcaktojnë dhe kuotat e studentëve për vitin 2018, i cili sipas të gjitha gjasave nuk do të nisë.

Dr. Edmond Petraj Jurist: Përgjegjësia e ngërçit në drejtësi i takon mazhorancës


Moskrijimi akoma i KLG, KLP, vonesa e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë ka futur në kolaps edhe shkollën e Magjistraturës, sepse këtë vit ky institucion i cili do të furnizojë sistemin e drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë, rrezikon që të mos hapet fare vitin i ri akademik për studentët e vitit të parë. Përgjegjësia historike i takon së pari mazhorancës. Kjo krijoi një lloj shprese mes njerëzve të thjeshtë që ndjehen të skllavëruar nga pushteti dhe shteti i korruptuar. Sa më e madhe shpresa dhe pritshmëritë, aq më i madh është edhe zhgënjimi. Raportet negative nga ILDKP, për subjektet e kontrolluara deri më tani, do t’u shtohen prova të tjera që do të mblidhen nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe anëtarët e Vetingut, rreth paligjshmërisë së pasurive të deklaruara dhe mundësisë së pasurive të fshehura të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Me këtë standard të ashpër të vendosur e cila gjithmonë bazohet në deklarimet e tyre duke iu referuar pasurive që gjyqtarët kanë deklaruar në disa vite, them me bindje se Shqipëria mund të mbetet pa gjyqtarë. Në ligj nuk është parashikuar ndonjë ngërç. 
Muharrem Xhafa: Në socializëm jepej drejtësi, sot gara bëhet kush të vjedhë më shumë


Asnjë lloj krahasimi nuk mund të bëhet midis gjykatave të sotme në kapitalizëm dhe gjykatave të djeshme në socializëm. Për dijeni të lexuesit të Telegrafit, gjyqtarët e të gjithë niveleve të gjykatave në socializëm votoheshin e zgjidheshin nga populli e jo si sot që caktohen me listë sipas oreksit të partive politike. Gjykatat në socializëm jepnin drejtësi në bazë të ligjeve të kohës e jo si sot ku gjykatat shquhen për marrje vendimesh të padrejta. Kjo për shkak të korrupsionit e të ndërhyrjeve të pista të politikës! Në socializëm jepej drejtësi, sot gara bëhet kush të vjedhë më shumë dhe kush të sigurojë mbështetje politike më të fortë! Në vitet e pushtetit popullor askush nuk guxonte të ndërhynte në veprimtarinë e gjykatave! Sot kjo është bërë çështje e modës, ndaj falet krimineli e dënohet me burg ai që vjedh një bukë për të shpëtuar fëmijët nga vdekja prej urisë! 
Zaçe Islami, jurist: Politikanët e futin qëllimisht drejtësinë në kolaps


Magjistratura është një shpikje e tipit komunist me anë të së cilës partia në pushtet filtron njerëzit e vet për t’i vendosur në sistemin e drejtësisë. Praktikisht magjistratura nuk është gjë tjetër veçse përsëritje e atyre leksioneve të cilat kandidati i ka dhënë provim dhe ka marrë diplomën dhe asgjë më tepër. Përgjegjës kryesor për këtë situatë në drejtësi është Kuvendi i Shqipërisë. Kjo gjendje është krijuar jo për të reformuar drejtësinë, por për ta vënë atë tërësisht nën pushtetin politik të ekzekutivit. Praktikisht armata e gjyqtarëve e prokurorëve të mbështetur fuqimisht nga politikanët qëllimisht e ka futur drejtësinë në kolaps. Objektivi dihet: Drejtësia një patericë në dorë të qeverisë. Personalisht e kam thënë në mënyrë të përsëritur që kjo kastë e rritur dhe e majmur në drejtësi nuk mund të reformojë vetveten. Lidhur me hartimin e projektligjeve në fshehtësi më duhet t’ju them se kjo është një praktikë e vjetër 75 vjeçare,është një praktikë tipike diktatoriale e trashëguar nga paraardhësit komunistë të kësaj mazhorance. Sot, praktikisht ne jemi në sistem diktatorial, madje edhe me ministër komunist kryetar parlamenti.
Sigal