Dekriminalizimi, arrihet konsensusi për të gjitha çështjet

518
Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe të Rregullores, ku janë diskutuar aktet nënligjore të ligjit të dekriminalizimit. Në përfundim të tij, deputeti i PS, Taulant Balla ka konfirmuar se është arritur konsensusi për të gjitha çështjet. Ujdia mes palëve ka mbërritur pas orësh të gjata bisedimesh, të cilat nisën rreth orës 19:30 të së mërkurës, vazhduan deri afër mesnatës dhe vijuan edhe paraditen e së enjtes. Në këto bisedime nuk munguan përplasjet e forta maxhorancë opozitë, ku pika kryesore e ndasive ishte formulari i vetëdeklarimit për zyrtarët. Dakortësia e shprehur në miratimin e ligjit u kris pas letrës së Zyrës Juridike të Kuvendit që thotë se aktet nënligjore nuk mund të miratohen nga Kuvendi pasi janë në shkelje me Kushtetutën dhe me akt nënligjor do të ngrihet edhe i famshmi formular i vetëdeklarimit. Partia Demokratike paraqiti 9 ditë më parë propozimin e vet për formularin e vetëdeklarimit, ndërkohë që Partia Socialiste ka bërë të njëjtën gjë të mërkurën. PS tha se ka dorëzuar propozimin e vet për formularin e vetëdeklarimit në mënyrë të njëanshme pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe PD më 23 shkurt.
Sigal