DEKLARATA E PLOTË / Vasili: LSI, tolerancë zero ndaj hajdutërisë dhe kriminalitetit shtetëror

101

Konferenca e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili pas përfundimit të mbledhjes së grupit

Është kënaqësi që jemi sërish në këtë takim së bashku mbas një periudhe disa javore të mbylljes së sesionit të shkuar parlamentar. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim u mblodh dhe përfundoi mbledhjen e tij para pak minutash dukë marrë disa vendime të rëndësishme që lidhen jo vetëm me veprimtarinë parlamentare e cila starton sot në sesionin e ri parlamentar, por dhe që reflektojnë drejtpërsëdrejti situatën shumë të rëndë politiko ekonomiko shoqërore me të cilën përballet vendi për shkak të një fajtori të vetëm i cili është qeveria që drejton vendin dhe kryeministri i saj, të cilët janë ideatorët, fajtorët dhe përgjegjësit e vetëm të një situate kaq të rëndë. Sot Shqipëria përballet me një situatë të krimit në vend, nga më të rëndat që mund të jetë përballur ndonjëherë.

Në mënyrë të veçantë Shkodra po përballet në mënyrë të përditshme me krimet e njëpasnjëshme, njëri më i rëndë se tjetri, krime të cilët kanë nxjerrë qartë në pah një shtet i cili e ka të pamundur që të veprojë, i ka duart e lidhura. Arsyeja pse i ka duart e lidhura është shumë e thjeshtë dhe e qartë, sepse ka qenë përdorues dhe ka qenë njësh me kriminelët në të gjitha situatat e qeverisjes apo në momentet e marrjes së pushtetit, siç janë zgjedhjet. Dhe për këtë arsye janë kriminelët që diktojnë edhe në komisariatin e Shkodrës, nuk është më shteti. Shteti është i trembur, i frikësuar atje në qosh pasi është bashkë fajtor në këtë situatë tepër të rëndë kriminale.

Por kjo situatë kriminale ka diktuar dhe një rrënim ekonomik të pandalshëm i cili ka bërë ashtu si publikisht dhe botërisht njihet që mijëra shqiptarë duan të lënë vendin. Llotaria amerikane është aplikuar si asnjëherë në historinë e Shqipërisë në një numër rekord qytetarësh, që është një nga treguesit më negativë që mund të ekzistojë. Mbi 70% e shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria dhe duan të lënë vendin. Shifra të frikshme të njëjta janë edhe për të rinjtë e vendit që duan të ikin sa më parë dhe nuk e gjejnë të ardhmen e tyre këtu. Duke u përballur pra me një shtet dhe me një vend, i cili i rrëmbyer nga një qeverisje aventurierësh dhe hajdutësh, ia ka bërë të pamundur jetën shqiptarëve. Pamundësia e cila është një plagë që vetëm thellohet dhe kontraston me përqeshjen mizore të qeverisë e cila raporton shifra punësimi të turpshme ndërkohë që flet qartë tendenca masive për tu larguar dhe për ta lënë Shqipërinë më të shpopulluar se kurrë.

Dhuna dhe arroganca nën shenjën e hajdutërisë dhe të përvetësimit të pronës publike kanë qenë ato që shënjuan të gjithë sesionin parlamentar që ne kemi lënë pas dhe pikërisht për këtë arsye në këtë sesion të ri që nis, veprimi politik i LSI-së, në parlament por jo vetëm, por gjerësisht në jetën politike do të jetë në një moto: Tolerancë zero ndaj hajdutërisë dhe kriminalitetit shtetëror që ka uzurpuar vendin dhe luftë pa kompromis me çdo mjet demokratik, me të gjithë forcën e duhur të politikës dhe të qytetarëve për të ndaluar këtë hordhi që po e shkatërron vendin në mënyrë të pakthyeshme.

Pasi është fare e qartë që kultura e pa ndëshkueshmërisë dhe realiteti i pa ndëshkueshmërisë është një realitet që po përdoret poshtërsisht nga zyrtarët e lartë, nga qeveria dhe nga kryeministri vetë, pasi e ashtuquajtura Reformë në Drejtësi, tashmë një reformë e kapur, një reformë drejtësie e vdekur, një reformë në drejtësi që prodhoi padrejtësinë më të keqe që kishin shqiptarët, duke ia kaluar shumë herë drejtësisë që lamë pas. Pra duke qenë thjesht dhe vetëm ricikluese e fenomeneve më të këqija të asaj drejtësie dhe duke sjellë disa fenomene të reja akoma më të rënda dhe më të poshtra, ka bërë që përfundimisht sikurse e shikoni kjo drejtësi e parealizuar të mos veprojë, të mos identifikojë asgjë në tribunalet që zhvillohen.

Është një drejtësi që ka mbetur pa kokë dhe pa drejtim. Një drejtësi që ska gjykatat më supreme të vendit në funksionim . nuk ka asnjë nga instrumentat themelorë të drejtësisë së re. Dhe si e tillë kemi një sistem drejtësie i cili mban gjallë kriminalitetin dhe hajdutërinë, e ushqen dhe e frymëzon me qetësinë e pandëshkueshmërisë dhe shembujt i jep që nga kryeministri i vendit. I cili siç dihet ka një denoncim të hapur penal, për manipulimin dhe deformimin e provave për vëllain e ish-ministrit të brendshëm duke deklaruar siç e dini, brenda ditës kishte bërë ekspertizën e audio-përgjimit që ju tashmë e njihni publikisht. Ekspertizën e të cilit nuk e ka përfunduar prokuroria vetë. Pra, ka një padi atje dhe prokuroria nuk lëviz gishtin. Pati padi po prapë për kryeministrin, i bëri thirrje policisë të hidhte uniformat dhe të bënte vota për PS dhe përsëri nuk lëviz gishtin. Ka një fakt publik të bërë, publik jo vetëm nga unë si ish-ministri i drejtësisë por rreziku që i kërcënohet Shqipërisë për të humbur 2 miliardë  euro dhe për mos veprimet flagrante të kryeministrit të vendit.

Tre çështje të mëdha të cilat kanë të bëjnë me fatet  dhe jo vetëm me zbatimet e shtetit ligjor por dhe me të ardhmen ekonomike të vendit. Tre çështje për të cilat prokuroria hesht, i mbulon, i fsheh, sikurse fsheh edhe hetimet për ngjarje shumë të rënda në Shkodër, ku autorët  janë plotësisht të njohur, i di gjithë Shkodra me emër dhe mbiemër. I di shumë mirë sesi i rrëmbejnë e i nxjerrin të arrestuarit nga komisariati pa pyetur fare policinë. Duke e kthyer përfundimisht veprimtarinë shtetërore dhe të policisë në një plasdarmë, në një festë të kriminelëve dhe të banditëve. Duke e kthyer Shqipërinë në një far west të vërtetë. Thënë e gjithë kjo parlamenti ka për të qenë një barrikadë e pakapërcyeshme.

Numrat janë të parëndësishëm për ne, nuk ka rëndësi fare se 70 e ca numra ndodhen në krahun e një grupi hajdutërisht të demotivuar, të cilët janë sot përpara opionit publik të identifikuar si e keqja më e madhe e këtij vendi dhe përballja do të fillojë që nga rifutja, duhet ta dinë qytetarët  që do rifutet sërish ligji për Teatrin, mbas kthimit nga Presidenti i Republikës, kthim i cili ishte një mundësi e madhe, në rradhë të parë për mazhorancën, të hiqte dorë të bënte një hap pas  nga kjo hajdutëri e jashtëzakonshme, hajdutëri e shekullit, bëhet fjalë për 200 e ca milionë euro. Po kështu është një sfidë tjetër, qëndrimi që do të mbajmë mbas kthimit  të dekretit nga Presidenti dhe që ka lidhje me bixhozin, me lojërat e fatit, me shkatërrueset e mijëra familje shqiptare e cila ka mbjellë mjerim në këto familje.

Shqiptarët të dëshpëruar luajnë këto lojëra se nuk kanë mundësi se ku të gjejnë fatin gjëkundi dhe nuk kanë ku të gjejnë punën, mendojnë se diçka do tu vijë që andej, duke shkatërruar familjet. Duke bërë që mijëra familje për shkak të familjarëve që luajnë bixhoz mos të kenë mundësi të blejnë librat e fëmijëve të tyre.  Dhe këtu kemi të bëjmë me një betejë parimore për tu përballur me këta hipokritë dhe intrigantë të cilët rrahën gjoksin që do të çlironin Shqipërinë  nga lojërat e fatit.

Nuk bënë asgjë tjetër veçse ndryshuan dhe rigrupuan klientët e tyre në duar më të përqëndruara. Për të pasur gjithë të ardhurat dhe gjithë mekanizmin e pastrimit të parave në pak duar dhe gjithë lumi i parave të vejë vetëm në xhepat e tyre. Përsëri është një çështje madhore problemi i rrënimit ekonomik nga konçensionet. Që në 16 shkurtin e vitit 2016, dy vjet e gjysmë më parë, kjo Rilindje që drejton vendin ka bllokuar në mënyrën më të turpshme, tashmë e mbështetur gjerësisht  dhe nga Kryetari i Kuvendit, të zgjedhur prej tyre, për të qenë masha dhe instrumenti I tyre, një nismë e cila ka  të bëjë me konçensionet ku ne i kërkonim pikërisht transparencë të plotë, ardhjen në parlament, miratim në sallën e parlamentit.

Gjithë shqiptarët  të dinin se çfarë detyrimesh merrnin përsipër. Çfarë ishte e mire dhe çfarë ishte e keqe nga këto konçensione dhe kjo nismë prej dy vjet e gjysmë bllokohet në parlament. Grupi Parlamentar i LSI-së dhe unë personalisht i jam drejtuar dhe me letër zyrtare Kryetarit të Kuvendit. Por ai nuk e ka lëvizur gishtin dhe përsëri me prioritet qeveria dhe në axhendën e re të parlamentit fut aktin normative, në mënyrën sesi i kanë rishpërndarë hajdutërirat qeveritare që nga milionat e zyrave që harxhojnë për lukse, makina nga më të luksozet e deri për gjërat e tjera.

Ndërkohë që për konçensionet që shkatërrojnë vendin dhe që LSI propozon një ligj i cili sigurisht ndryshon gjithë mënyrën e qasjes ndaj tyre, kontroll shumë të rreptë ndaj tyre dhe moslejimin e konçensioneve të cilët i sjellin dëm ekonomik vendit, dy vjet e gjysmë bllokohet. Kjo është mazhoranca, këto janë standardet demokratiken që këta kanë, prandaj këta janë zgjidhja më e keqe për vendin. Vendimi është i prerë, tolerance zero ndaj krimit dhe hajdutërisë, shpërdorimit të pushtetit shtetëror dhe arrogancës shtetërore, me çdo mjet dhe çdo instrument, sigurisht demokratik për një përballje pa kthim pas.