Dr. Bujar Leskaj: Orikumit t’i kthehet statusi Bashki

627
Sigal

 

Reforma Territoriale-Administrative, e miratuar më 31.07.2014 me Ligjin 115/2014 dhe e projektuar për të hyrë në fuqi pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2015, nuk i ka dhënë ende frytet e saj dhe mbetet ende e paqartë nëse do t’i realizojë ose jo ndonjëherë ato. Kjo për disa arsye dhe konkretisht: Reforma administrative-territoriale nuk rrodhi nga një proces i gjerë ligjor dhe i shtrirë në kohë dhe nuk ka qenë një rezultat apo produkt i një zinxhiri procesesh dhe shqyrtimesh ligjore, administrative, sociale dhe gjeo-kulturore. Siç konstaton edhe eksperti i njohur i decentralizimit në pushtetin vendor, z. Artur Kurti: Reforma Administrativo-Territoriale është nga ato reforma që kërkojnë patjetër një pjesëmarrje dhe konsensus të të gjithë aktorëve dhe nuk mund të jetë e qenësishme pa pjesëmarrjen dhe konsensusin e opozitës. Qeverisja vendore ka në thelbin e saj parimin e “subsidiaritetit”, d.m.th. një qeverisje që është pranë qytetarëve dhe bashkëqeveris me qytetarët. Zbatimi i këtij parimi është tërësisht i parealizueshëm me ndarjen aktuale territoriale. Qytetari në Bashkinë e sotme ndihet i harruar nga qeverisja. Përmasat e mëdha të territorit e bëjnë të pamundur njohjen dhe kontaktin e përfaqësuesve të zgjedhur me zgjedhësit e tij. Njohja e territorit nga kryetarët e bashkive mbetet ende shumë e dobët. Ka një fokus tek zonat urbane, ndërkohë që zonat rurale janë jashtë vëmendjes së qeverisjes, për rrjedhojë me mungesa të mëdha në shërbime dhe investime.Qytetarët e zonave rurale sot kanë zero informacion mbi aktivitetin e bashkisë dhe vendimet që merren. Gjithashtu, përcjellja e shqetësimeve të qytetarëve është bërë më e vështirë dhe zgjidhja e tyre e pamundur. Njësitë administrative janë shndërruar në struktura amorfe që nuk kanë asnjë kompetencë dhe nuk japin asnjë zgjidhje, duke e lënë kështu qytetarin rural në harresë të plotë. Ashtu siç është theksuar nga opozita, që në procesin e realizimit të reformës, ndarja e njëanshme territoriale sjell një deformim të nivelit të qeverisjes vendore dhe të vullnetit të zgjedhësve, pasi ka shumë raste ku zona pa lidhje gjeografike, historike dhe ekonomike iu janë atashuar Bashkive pa lidhje.  Në aspektin e respektimit të parimit të autonomisë vendore, reforma administrativo-territoriale, pra një reformë për pushtetin vendor është bërë pa marrë parasysh vullnetin vendor të qytetarëve, përmes referendumit, duke shkelur Nenin 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore “Mbrojtja e Kufijve territoriale të bashkësive vendore”. Për sa më lart, rishikimi i Reformës Territoriale-Administrative është sot një domosdoshmëri. Ky rishikim duhet bërë në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, me konsensus politik e social, sikurse dhe me planifikime realiste për të garantuar autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin. Ilustrimi më tipik i gjithë mangësive të përmendura më lart, është ish-Bashkia Orikum. Aktualisht në përbërjen e Bashkisë Vlorë, janë përfshirë ish-bashkia Orikum, komunat Dukat dhe Tragjas, (pjesë e të cilave është edhe gadishulli i Karabarunit), si rezultat i zbatimit të Reformës Administrative-Territoriale të vitit 2014. Për me tepër që këto zona kanë veçoritë e tyre historike, etno-kulturore, etj, dhe në kushtet e perspektivës dhe zhvillimit të turizmit, ish bashkia Orikum duhet të funksionojë si një bashki më vete. Në territorin e Dukatit shtrihen tre qytete dhe 100 fshatra. Qyteti i Orikut ( Orikumi i sotëm), i themeluar në shekullin e VI-të para Krishtit nga Eubeasit, kishte monedhën e vetë, me një amfiteatër me 400 vende, qytet strategjik ku u zhvillua dhe beteja mes Cezarit dhe Pompeut më 4 Janar të 48 të e.r.  Për bukurinë e tij përrallore turqit e quajtën Pashaliman (Limani i Pashait). Qyteti i  Kanalit dhe qyteti i Erikues (Erihoi i sotëm) janë krijuar pasi u shkatërrua Oriku nga tërmeti në shekullin e II-të para erës sonë.  Me ardhjen në pushtet të PD-së Orikumi do t’i rikthehet banorëve të tij, me statusin që meriton, atë të bashkisë. Këto dhe të tjera problematika të zonës do të vijojnë të diskutohen e projektohen me intelektualët, burrat e mençur e të urtë, profesionistët dhe banorët e Orikumit, Dukatit, Tragjasit, Radhimës, etj. Problematika të ngjashme shfaqen po ashtu edhe në Delvinë, por që do të trajtohen më gjerësisht dhe në detaje në një shkrim të dytë, të dedikuar për këtë zonë.