Debate të ashpra në Kuvend për sigurinë, rendin dhe shëndetësinë

479
Sigal

Vrasja e Santos, Berisha: Po dëmtoni hetimin, po e poshtëroni për së vdekuri!

 Doda: Beqaj po përvetëson fondet e parashikuara për ilaçe. Nuk ka zanatin e duhur

Ish-Kryeministri Berisha u rikthye dje në Kuvend me akuza të ashpra ndaj Qeverisë lidhur me vrasjen e bankierit Artan Santo, pasi ka hedhur në media disa pista hetimi që në fakt nuk janë nga Prokuroria dhe se Qeveria është e lidhur me krimin. Berisha, duke rikthyer vëmendjen tek ngjarja tha se, shteti ose nuk ekziston ose atë e ka vrarë qeveria, pasi sipas tij, nuk ka mundësi që vrasësit t’i shpëtonin postblloqeve të shumta atë ditë. Berisha flet në Kuvend, deputetët e PS-së dalin jashtë

Deputetet e Partisë Socialiste janë larguar nga salla e Kuvendit në momentin që fjalën e ka marrë ish-Kryeministri Sali Berisha. Deputetet Dade, Spahiu, Xhuvani, Shkjau kanë lënë sallën në mënyrë demonstrative për fjalorin e përdorur nga Berisha në Kuvend.

Ish-Kryeministri Sali Berisha është rikthyer në Kuvend pasi ka plotësuar dënimin e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve.

BERISHA: JU TELEFONOI 10 MINUTA PARA VRASJES, E POSHTËRUAT KUR E SHPALLËT PISTË KOLUMBIANE

“Një javë më parë u ekzekutua para syve tanë dhe gjithë botës, një bankier që për ata që e kishin njohur, e kanë mbajtur për njeri suksesi. Ngjarja ishte shokuese. Ky bankier mjaft i njohur, për disa rrethana të caktuara, i përkiste kryekëput të majtës shqiptare, por kjo s’e kishte penguar aspak atë dhe ne, në pushtet, të ngrihej. Çfarë ndodhi? Pse u vra para syve tanë? Ai u vra në zonën më të filmuar të kryeqytetit, 5 m larg tij ishin policët. Me tej, ishin 32 efektivë policie që ishin me zv.kryeministrin e Maqedonisë në hotel “Grant”. Për të dalë nga Tirana vrasësit duhet të kalonin nëpër vrima gjilpëre, pasi kishte 5 postblloqe a më shumë. Po si ikën ata? Kjo tregon se, ose e vrau qeveria ose shteti nuk ekziston. Kjo ishte evidente. Por, ju e shpallët atë pista e Mamurrasit”,- tha Berisha. – “Ju jo vetëm që nuk mund ta luftoni krimin, por e shtyni Shqipërinë në kriminalitet”. Sipas Berishës, nxjerra në dritë e disa prej pistave të hetimit, që e lidhin vrasjen me histori të trafikut të drogës në Kolumbi nuk bëjnë gjë tjetër veçse e vranë për së dyti bankierin e ndjerë. Për këtë ai bëri sërish përgjegjës maxhorancën. “E vratë për së dyti dhe e poshtëruat në mënyrën më cinike. Ju për arsyet tuaja e shpallët atë pistë kolumbiane, pista e Mamurrasit. Nga një hero që e kishin tani duhet të poshtërohej për së vdekuri. Nëse ka pasur njeri për lidhje me kolumbianit jeni ju. Kur u kapën 250 kg kokainë në Mal të Zi, ju të nesërmen deklaruat se droga nuk kishte destinacion Shqipërinë. Cilin donit të mbronit me deklaratën tuaj? Ndërsa tani për një të vdekur thoni po hetojmë pistën kolumbiane. Jam i bindur se po hetohet në mënyrë serioze, por qëndrimi juaj, duke urdhëruar mediat tuaja, është trillim i juaji. Doni të poshtëroni nëpërmjet kufomës këtë vrasje. Kur flet prokuroria ka provat e veta, kur flisni para saj ju bëni çdo gjë për të prishur hetimet. Ai ju ka telefonuar ju para vrasjes, kjo është e sigurt, ai ju njoftoi juve dhe kryeministrin për motorin që e ndiqte. Ju telefoni 10 minuta para vrasjes, kjo është 100% e sigurt”, vijoi Berisha. Ai akuzoi qeverinë për lidhje me krimin. “Ju jeni aleancë e krimit, ju nuk shkarkoni dot njeri. Sepse lidhjet e zinxhirit të krimit nuk ju lejojnë se ua nxjerrin të gjitha. Kriminelët ikën të njoftuar nga sërët e policisë  dhe tani duhet arrestuar Dashua se njoftoi kriminelët. Ju nuk mund të luftoni krimin e kriminalitetin ju çdo ditë e më thellë po shtyni Shqipërinë në krim, e kriminalitet”. Ish kryeministri deklaroi se, nuk ka përdorur kurrë fjalë banale dhe se dënimin e mori vetëm se citoi fjalët e Kryeministrit Rama. “Kurrë në jetën time nuk i kam lejuar vetes të shaj një qytetar një bashkëpunëtore me fjalët prostitutë dhe kurvë. Harroje se e përdor unë këto fjalë. Kurrë si kryeministër nuk i kam lejuar vetes të fyej dhe shaj askënd sepse është abuzim me pushtetin. Ishte Mehmet Shehu që i thoshte njerëzve të var këtu e të var aty. Po ne jemi shkëputur nga ajo politikë. Morët vendim pse unë citova fjalët që zotëria i adresonte ministres dhe të shoqes së ministrit dhe një të trete për të cilën nuk jam prononcuar”,- u shpreh Berisha. Por menjëherë pas kësaj deklarate ai ka përmendur rastin e ish kryeprokurores Ina Rama të cilën e cilësoi “lavire politike”. Berisha ka theksuar se nuk ja heq këtë cilësim Ina Ramës duke u shprehur se ajo është puçiste.

BUMÇI: POLICIA NË KËMBË, POLICI E RRËNUAR

Ndërsa duke folur për sigurinë, deputeti i PD-së në Kuvend, Aldo Bumçi, solli në vëmendje vrasjen e bankierit dhe biznesmenit Artan Santo. Sipas tij, mos kapja e autorëve tregon dështim dhe paaftësi. “Vrasësit i ikën postblloqeve. Kemi të bëjmë me polici në këmbë apo polici të rrënuar? Kush e ka fajin për këtë vrasje? Fajin e ka paaftësua, ka segmente të kapua me krimin, por ky dështim vjen nga paaftësia e madhe”,- tha ai.

NOKA: KU JANË ÇUNAT?

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka pasi ka bërë një përmbledhje të situatës së rendit në vend që nga periudha kur erdhi në pushtet qeveria e Ramës, e cila filloi me tritolet dhe po vazhdon me vrasjet dhe krimet. Duke u ndalur te vrasja e Artan Santos ai akuzoi qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme se nuk mori asnjë masë për të kapur vrasësit e biznesmenit. Ku i kishe çunat Edvin dhe Sajmir që t’i thoshe bravo çuna, ku në mes të ditës në zonën më të survejuar, më të populluar, u vra një nga biznesmenët më të suksesshëm të këtij vendi. U vra në sy të policit dhe çunat e Sajmirit bënin sehir. Policia bënte sehir kur u vra Santo. Thuhet se, polici njoftoi, po ku ishte shtetit, policia, Ministria e Brendshme që nuk reagoi që e la motorin të sillej vërdallë dhe asnjë postbllok nuk u ngrit ta ndalojë, ku ishin pra çunat? Kjo ndodhi sepse këtu nuk ka shtet. Policia po gremiset me shpejtësi marramendëse, policia është e shkatërruar. Këtë e thonë vetë dokumentet e policisë”,- tha Noka.

TOPALLI: KU ËSHTË KRYEMINISTRI? A KA PËGJEGJËSI?

Ish-Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar, para Berishës, trajtimin e vrasjes së bankierit Santo duke lënë mënjanë çështjet e tjera. Topalli tha:

“Unë po ndjek me vëmendje dhe shoh që nuk është Kryeministri, shoh Ministrin e Brendshëm që qesh gjithë kohën, ndërkohë që maxhoranca këtu flet për problematikën mjedisore, flet për Federatën e Gjuetarëve, na tregon se kanë ardhur e kanë rënë lejlekët, na tregon për gjuetinë e derrit e mbas zagarë, pastaj na flasin për gjueti lepuri me drita natën. Z.Dule, në këtë vend po ndodhin gjëra shumë të rënda! Ka përgjegjësi këtu? Ka humanizëm këtu? Duhet të flasë dikush për atë që ka ndodhur një javë më parë? Duhet të japë llogari dikush për një tronditje, për një gropë të krizës së besimit që është instaluar në shoqërinë shqiptare? Ku jetojmë ne? Me kë talleni ju kur flisni për gjueti derrash natën apo për lejlekë që ulen këtu? Këtu numri i vrasjeve ka arritur sa nuk ishte menduar ndonjëherë. Këtu para nja jave ka ndodhur një vrasje mafioze, e rëndë, shumë e rëndë që ka ndodhur. Ku është Kryeministri? Çfarë ka që hesht prej një jave? Ku është Kryetari i Parlamentit? Përse nuk flisni?!”

Vangjel Dule: Ju keni të drejtë të thërrisni në interpelancë kryeministrin. Në pikën e fundit të rendit të ditës nuk ka asnjë koleg të regjistruar për të diskutuar këto çështje që ju thoni. Nuk mund të diskutojmë për një çështje që mund të jetë madhore pa u ndjekur procedura parlamentare.

Bare-Topallit: Je personi më agresiv në të gjithë Parlamentin që ke fyer njerëzit nga nëna e baba. Më flet për ndjeshmëri nuk e meriton të respektohesh.

BALLA: POZITË-OPOZITË TË MBËSHTESIM POLICINË!

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha dje në Kuvend se, të dyja palët, pozitë-opozitë duhet të mbështesin Policinë e Shtetit që të zbulojë dhe të vërë para drejtësisë autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo. “Të nxisim Policinë e Shtetit që të zbulojë vrasjen e bankierit Santo, një mik i mirë, një qytetar i zoti për Shqipërinë tonë. Shteti duhet t’i kapë ata dy kriminelë që e sfiduan në mes të ditës, por ne së bashku, pozitë-opozitë, socialistë e demokratë, duhet të jemi sot në mbështetje të policisë dhe jo të bëhemi zëdhënës të “Gates”. Ta mbështesim policinë që ta hetojë me përpikëri këtë rast dhe menjëherë të arrestohen dy kriminelët e të vihen para drejtësisë”, u shpreh Balla në parlament. Diskutimi i rezolutës së Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2013 solli në qendër të debatit vrasjen një javë më parë të bankierit Santo. Deputeti Balla tha se, diskutimi i kësaj rezolute bëhet vetëm pak ditë ‘nga fitorja e shtetit me krimin në Lazarat. “Superaksioni në Lazarat ishte treguesi më kuptimplotë i rezultateve në rritje të Policisë së Shtetit. Lufta me krimin ka qenë dhe mbetet prioritet themelor i kësaj qeverie. Pjesa më e vështirë e betejës ka qenë kthimi i policisë në krye të detyrës brenda 300 ditëve të para të qeverisjes”,- tha Balla në Kuvend. Në vijim të komenteve për aksionin në Lazarat, ai akuzoi ish-Kryeministrin Sali Berisha për lidhje me baronët e drogës. “Lazarati nuk ishte thjesht një plantacion droge jashtë kontrollit të shtetit, por ishte më shumë se kaq. Ai ishte shëmbëlltyra e dorëzimit pa kushte të shtetit që opozita e sotme i kishte bërë për shkak të pazareve të ulëta të Berishës me baronët e drogës në Lazarat. Ai që sulmon sot për lidhje të fshehta të policisë me kriminelët i kishte vendosur vetë ato me ‘Gatet’ e shokët e tij. I vetmi njeri në këtë parlament që komunikonte orë pa orë me ‘Gaten’ e miqtë e tij në Lazarat, ishte vetëm Sali Berisha. ‘VIP’-at e Lazaratit e kishin shtetin vetëm një telefonatë larg dhe e drejtonin atë me telekomandë’, u shpreh Balla në parlament.

Shëndetësia/ Tafaj: Spitalet pa mjekë, Beqaj: Faji juaj. Doda: Po përvetëson fondet, punon për xhepin tënd

Debate ka pasur në Kuvend teksa diskutohej pr/ligji mbi marrëveshjen e kredisë për Shëndetësinë. Deputetët e PD-së kanë hedhur akuza mbi sistemin e Shëndetësisë e ministrin aktual Beqaj. Deputeti i PD-së, Myqerem Tafaj u shpreh se, gjendja e spitaleve në vend sa vjen e përkeqësohet, ndërsa shtoi se, në disa rrethe nuk ka as mjekë specialistë.

TAFAJ: GJENDJA E SPITALEVE NË VEND SA VJEN E PËRKEQËSOHET, NË DISA RRETHE NUK KA AS MJEKË SPECIALISTË

“Shëndetësia nuk është falas, po shumë e shtrenjtë, cilësia është shumë e ulët dhe qytetarët nuk kanë besim tek ajo. Tullumbace elektorale janë të gjitha premtimet e bëra nga ju. Për ketë është sot i bindur çdo qytetar”,- tha ai ndër të tjera. Ndërsa ministri Beqaj, në replikë i kujtoi deputetit Tafaj se, mungesa e mjekëve reanimatorë në disa spitale vjen si pasojë e mos hapjes së specializimeve për tre vjet, në kohën kur qeverisnin të djathtët. “Disa spitale nuk jemi në gjendje të ofrojmë 20 shërbime sepse nuk ka mjekë të specializuar, përgjegjësi për këtë situatë është ai që ka drejtuar ministrinë e Arsimit dhe ish-kryeministri. Për 3 vjet asnjë specializim nuk është hapur për Shëndetësinë. Ne do i hapim specializimet, por nuk zgjidhet menjëherë problemi, kërkohen disa vite”,- tha ai. Më tej, ministri tha se nuk është shkarkuar nga puna asnjë mjek për arsye politike, ndërsa 3 drejtorët e zëvendësuar janë bërë deputetë dhe duheshin zëvendësuar sipas tij.

MESILA DODA: BEQAJ PO PËRVETËSON FONDET E PARASHIKUARA PËR ILAÇE. NUK KA ZANATIN QË DUHET TË KISHTE

Ndërsa deputetja Mesila Doda sulmoi ministrin Beqaj, duke thënë se po përvetëson fondet e parashikuara për ilaçe. Duke analizuar projektligjin ajo theksoi se, ka një mori problemesh si mungesa e transparencës, klientelizmi dhe monopolizimi i sistemit. “Mungesë transparence që shoqërojnë këtë projektligj. Ky nuk është një projekt i ri, është një projekt i vjetër dhe kostoja është rreth tre herë më pak. Në asnjë rresht në asnjë paragraf të saj nuk ka përcaktim të kostove të këtij shërbimi. Ju keni përcaktuar kostot e paketave pa asnjë lloj kriteri. Duhet të bëni transparencën e të gjitha hapave që po merrni”,- u shpreh Doda. Ajo theksoi se, sistemi shëndetësor ka mungesë profesionalizmi. “Problemi i parë është mungesa e profesionalizmit. Sistemi juaj ka një defekt të thelbit. Ju keni vënë gomarin para kalit. Ish-infermieret kanë zëvendësuar doktorët, ish-sanitare janë bërë kryeinfermiere. Kjo është e kuptueshme kur ministri i Shëndetësisë nuk ka zanatin që duhet të kishte. Problemi i dytë është klientelizmi dhe monopolizimi që i keni bërë sistemit. Ju keni punuar vetëm për xhepin tuaj. Jeni i vetmi njeri në parlament që u është hequr mandati me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Dolët me 240 milionë nga greva në një kohë kur kolegët tuaj nuk morën asnjë gjë. Keni kërkuar të fusni distributorë të tjerë rasti i vetëm që ministri sillet si sekser i rëndomtë. Ju jeni i vetmi ministër edhe drejtues i sistemit. Kemi me ju një ndarje shumë të madhe formimi dhe mirëkuptimi. Ju sistemin e konsideroni si lopë për tu mjelë. Merri dhe këto fonde përvetësoi siç ke bërë edhe herë të tjera por mos harro duhet të përdoreshin për ilaçe”,- theksoi Doda.