Debat në distancë me zotin Matthews Palmer

147

Flet shqiptaro-amerikani Asllan Bushati: Raporti i OSBE-ODIHR, zgjedhjet moniste pa opozitën, presioni mbi administratën, paligjshmëria e mospublikimit të dekretit, milionat e USD për reformën, mungesa e gjykatave, rrëzimi i 30 qershorit dhe a do të ketë një thirrje pro 13 tetorit

Debat në distancë me zotin Matthews Palmer

Asllan BUSHATI

I nderuar Zoti Palmer. Unë shtetasi amerikan (por edhe shqiptar Asllan Bushati), kam publikuar më 30 qershor të këtij viti, në faqen time ne fb dhe në disa organe te shtypit të shkruar shqiptar shkrimin me titull:”Shkëlqesisë (më mirë lartmadhërisë) së tij Metthews Palmer”. Shpresoj se do ta keni parë, por edhe nëse jo, (meqenëse tashmë jeni emëruar si përfaqësues special i DASH-së për Ballkanin perëndimor), si vazhdim i shkrimit dëshiroj të debatoj me Ju publikisht për disa probleme. Tashmë që u bë publik raporti zyrtar i OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, dëshiroj t’ju bëj disa pyetje.

  • Zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit në Shqipëri, pa opozitën a vazhdoni t’i konsideroni akoma si një gjë normale apo jonormale?
  • Mos publikimin e Dekretit të Presidentit të Shqipërisë për zgjedhjet lokale në faqen zyrtare, a vazhdoni ta konsideroni normal dhe të ligjshëm apo të paligjshëm?
  • Gjykimin e Dekreteve të Presidentit nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor (kur me Kushtetutë e ka vetëm Gjykata Kushtetuese), a mendoni se ishte e ligjshme dhe e pranueshme për një shtet ligjor që aspiron ti bashkëngjitet BE-së?
  • Mos respektimi i parimeve themelore demokratike, dhunimi i institucioneve, frikësimi i administratës, rikthimi në sistemin një partiak nga qeveria e Edi Ramës, a kanë qenë dhe janë shqetësuese për Ju apo vazhdoni të mendoni, se stabiliteti fals, që teatron qeveria është më i rëndësishëm se demokracia funksionale, që synon opozita në Shqipëri?

SHBA-ja në radhë të parë, por edhe BE-ja, kanë investuar shumë mjete monetare dhe mundim për bërjen funksionale të reformës në drejtësi në Shqipëri. ( Madje, dukshëm ka pasur synim për ta bërë atë shembull edhe për disa vende të ngjashme me të).

  • Por tani, që atje Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, organet e drejtësisë dhe të prokurorisë mungojnë e nuk funksionojnë për një kohë të gjatë, duke shkaktuar një kaos të vërtetë ligjor e institucional, e konsideroni normale apo anormale, dhe Ju e vartësit tuaj në Ambasadën Amerikane në Tiranë a ndjeni ndopak përgjegjësi për këtë?
  • Raporti OSBE-ODIHR-it hodhi dyshime të rënda mbi vettingun që është elementi më thelbësor i reformës në drejtësi, duke aluduar se gjyqtarët e prokurorët vepruan nën tutelën e vettingut e trysninë e Qeverisë Rama. Madje, disa shkojnë edhe më larg duke e konsideruar reformën ne drejtësi si “pushtimi Rama i drejtësisë”. Ju pajtoheni, apo e kundërshtoni këtë qëndrim të OSBE-së?

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pas publikimit të raportit të OSBS-së deklaroi se “përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!”.

  • Ju, Zoti Palmer, e konsideroni se është normale dhe e qenësishme kjo deklaratë?
  • Në gjykimin tim, OSBE-ODIHR, i rrëzoi zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri, (në një kohë që Ju kishit deklaruar se do t’i njihni ato edhe pa pjesëmarrjen e opozitës). Në këtë situatë të re pas zgjedhore, Ju do të vazhdoni t’i njihni ato apo jeni në një linjë me OSBE-në?
  • Nëse pajtoheni me OSBE-në a do të keni kurajën t’i ftoni shqiptarët të dalin në zgjedhjet vendore më 13 tetor siç është paraparë në Dekretin e Presidentit?

Kaq pyetje kisha. Shqiptarët, kanë qenë, janë e do të jenë më dashamirët e amerikanëve në botë, sepse kanë arsye thelbësore e të qenësishme për një gjë të tillë. Individë të ndryshëm (në të dy vendet ) mund të lozin ndonjë rol në lartësimin, apo ngadalësimin e marrëdhënieve, por ai është i përkohshëm. Miqësia midis popullit amerikan e shqiptar është e përjetshme. Ajo nuk lidhet me gjëra të vogla, si për shembull ku jetoj unë dhe ku jetoni ju apo, nëse unë jam dhëndër në Korçë e ju në Beograd.