Çfarë po bëhet me nëpunësit që u zbuan nga DAP nga qeveria “Berisha” për bindjet e majta

492
Është fakt, që në këto 27 muaj qeverisjeje të PS, pas 8 vjetësh opozite, qeveria e “Rilindjes”, nuk ka mbajtur shumë nga premtimet elektorale që dha në 23 qershor 3013. Ndërsa në planin ekonomik, edhe pse dështimet janë të njëpasnjëshme, qeveritarët, ende pas 27 muaj (keq)qeverisje, justifikohen me teorinë e “Tokës së djegur”, që gjetën në financat e shtetit dhe me borxhet e trashëguara, që ende paguajnë tani, pa mundur që të investojnë për veprimtari prodhuese dhe zhvillimore. Mirëpo, kryeministri Rama, deputetët socialistë, ministrat socialistë, kanë harruar premtimin më të madh që u bënë elektoratit të tyre socialistë. Mbajtjen e fjalës së dhënë, për të rikthyer në punë të gjitha ata nëpunës të ndershëm, profesionistë, që u përzunë nga administrate publike, gjatë qeverisjes 8-vjeçare të Berishës, vetëm e vetëm, sepse ishin me bindje të majta. Ky është një realitet i hidhur, sepse këta socialistë me bindje, por profesionistë të zotë, jo vetëm që u përzunë nga administrata publike, por edhe u persekutuan, u torturuan në opozitë, mbetën rrugëve të papunë. Elektorati socialist në 23 qershor dha votëbesimin socialistëve, pikërisht, për të ndërtuar standarde demokratike edhe të punësimit, edhe të mirëqeverisjes.
Ryshfeti dhe korrupsioni, standarde edhe të qeverisjes socialiste
Zhgënjimi që pësuan socialistët dhe votuesit e Majtë me qeverisjen e “Rilindjes’ në këto 27 muaj (keq)qeverisjeje, ishte më i madh, se edhe persekutimi, torturat që pësuan në opozitën 8-vjeçare, kur panë që edhe qeveritarët dhe pushtetarët e PS, po sillen me të njëjtën monedhë shpërfilljeje me ata. Ministrat dhe deputetët socialistë nëpër qarqe, filluan të emërojnë në administratën publike, në postet drejtuese njerëzit e tyre, ata që nuk kishin kontribute, që nuk kishin lidhje me socialistët, por që financuan për xhepat e padronëve pushtetarë. Fakt është që shumë drejtues të tillë, që u emëruan nga miqtë ministra dhe deputetë, u zbuluan më vonë për zullumet e tyre penale dhe u shkarkuan me ceremoni, por pardonët e tyre pushtetarë, mbeten akoma pa u ndëshkuar. Kjo është edhe arsyeja, pse PS në 21 qershor 2015 në zgjedhjet vendore humbi 15 % elektorat, kjo është arsyeja përse tani elektorati socialist nuk ka më interes për procesin zgjedhor të PS dhe u ka kthyer krahët. 
Socialisti i zhgënjyer, i dërgon letër të hapur Kryeministrit socialist
Edmond Yzeiri: Zoti Kryeministër! Latë sërish rrugëve të papunë, ata policë që u përzunë nga Berisha, se ishin të majtë!
Socialisti Edmond Yzeiri nga Fieri, i dërgon një letër të hapur Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm dhe deputetëve, duke u shprehur zhgënjimin për premtimet e pambajtura, duke u drejtuar edhe pyetjen: Çfarë po bëhet me ish-policët e liruar për arsye politike në vitet e 2005-2013? Ja letra e Edmond Yzeiri: I nderuar zoti Kryeministër! I nderuar zoti Ministër i Brendshëm dhe ju deputetë të Partisë Socialiste! Kur fituat zgjedhjet e 2013 me kontributin e votuesit të Majtë, mbani mend që një kontribut të veçantë në fitoren e së Majtës dhanë ish- punonjësit e Policisë që në 2005 u flakën në rrugë nga qeveria berishiane, pa asnjë arsye vetëm e vetëm se Saliu i quante me bindje të Majta. Më 23 qershor 2013, juve ju dhatë një premtim që do i riktheni në punë këta punonjës. Sot,pas dy vitesh,ata janë përsëri në rrugë të madhe dhe dyerve të kuadrit për t’u riveshur në polici. Sot flitet me të madhe për dekriminlizimin dhe pastrimin e institucioneve nga persona të inkriminuar, po a e dini ju që ka akoma nëpër komisariate njerëz që kanë rrahur e torturuar në 8 vite opozitën dhe simpatizantë të PS. Ka akoma njerëz që punojnë në administratën publike, por kanë vjedhur kuti votimi e kanë bërë shumë e shumë pisllëqe të tjera, në dëm të socialistëve në opozitë. Këta, elektorati i Majtë i di mirë kush janë, e shprehin hapur revoltën e tyre e bëjnë pyetje kush i mban akoma në punë këta njerëz? Pyetja ime për ju është: Çfarë po bëhet me ish-policët e liruar për arsye politike në vitet e 2005-2013?

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 03.12.2015
Sigal