Çfarë ndodhi në sheshin “Skënderbej” më 20 shkurt të vitit 1991

717
Sigal

Flasin Kurt Kola Muharrem Xhafa, Adem Allçi dhe Blerim Çela

 Si e përjetuan komunistët dhe ish të përndjekurit politikë, ditën e rënies së bustit të Enverit

M 20 shkurt të vitit 1990, sheshi “Skënderbej”, u mbush plot me njerëz, por krejt ndryshe nga mitingjet komuniste, të pranishmit nuk duartrokisnin më, udhëheqësit e tyre, por ata kishin ardhur për t’i hedhur litarin në qafë, atij të e cilit i ishin bindur, prej 46 vjetësh. Kjo bindje ishte rrjedhojë e diktaturës dhe dhunës, por më 20 shkurt populli i Tiranës kishte vrarë frikën, nëpërmjet banorëve të Qytetit Studenti. Tanimë, dukej se kupola komuniste ishte një element që i përkiste së kaluarës, por gjithsesi, busti i Enverit, përballë monumentit të Skënderbeut, ishte një shkak i mjaftueshëm stresi, për ta. Prandaj, atë ditë, busti u rrëzua dhe një pjesë e madhe e qytetarëve bërtitën, duke thënë: “U krye”, ndërsa nuk munguan edhe ata që pëshpëritën: “Ballistët i rrëzuan bustin, por jo veprën e tij të ndritur”. Sidoqoftë, midis të dy gjykimeve, Shqipëria vazhdoi rrugën e vet, për 23 vjet, herë me sukseset dhe herë me dështimet e veta. Prandaj, sot pas më shumë se dy dekadash, ne iu drejtuam zotërinjve, Kurt Kola, Muharrem Xhafa, Adem Allçi dhe Blerim Çela për të thënë opinionet e tyre mbi atë ngjarje të 20 shkurtit, në vitin 1990.

  Blerim Çela: “Me Berishën shkuam në mbledhjen e Ramizit”

 Zoti Blerim si e përjetuat 20 shkurtin?

Më 20 shkurt, unë isha në sheshin “Skënderbej”, së bashku me protestuesit e tjerë, Qëndrova atje, derisa ra busti i diktatorit dhe pastaj, shkova në ndërtesën e Partisë Demokratike dhe i thashë Sali Berishës: “Busti ra”. Ai në fillim nuk  besoi. Por, menjëherë ne hipëm në një makinë dhe u nisëm drejt Qytetit të Studentëve, ku ndodheshin grevistët e urisë. Gjatë rrugës, ne, pamë me sytë tanë, një zetor që tërhiqte kokën prej bronzi, të diktatorit. Në makinë isha unë, i ulur përpara, ndërsa pas meje ishte ulur Berisha, Eduart Selami dhe E.Trako. Më pas Trako dhe Selami shkuan diku tjetër dhe unë me Berishën, vajtëm te Qyteti Studenti. Atje studentët, për momentin, nuk na linin të takonim grevistët e urisë. Por lajmi i rënies së bustit kishte marrë dhenë dhe ata, ishin shumë të entuziazmuar.

Çfarë ndodhi më vonë?

Më vonë, na erdhi një oficer që na njoftoi se Ramiz Alia do të bënte një mbledhje, në orën 3 pasdite. Dhe ai, na tha, se duhej të ishim edhe ne, si përfaqësues të Partisë Demokratike. Por ne, në atë kohë, nuk kishim as makinë. Kështu, që na sollën një tip “Arro” dhe ne shkuam në takimin e lajmëruar.

Përse ju thirri Ramiz Alia?

Atje, Ramiz Alia kishte si qëllim që të bënte Këshillin Presidencial, pasi qeveria e fundit komuniste, kishte rënë. Por Berisha nuk ra dakord dhe nuk pranoi realizimin ndofta të skenarit të fundit komunist.

Muharrem Xhafa: Vepra e Enverit jeton në të gjitha shtëpitë tona!

 Zoti Xhafa çfarë menduat më 20 shkurt?

Më 20 shkurt, duke parë ballistët dhe zogistët, që të tërhiqnin bustin e kryetrimit, Enver Hoxha, unë mendova pikërisht, atë gjë, që mendoj edhe tani. Pra, unë mendova dhe mendoj se këto banda ballistësh, më 20 shkurt, arritën ta rrëzonin bustin prej bronzi dhe çeliku të Enver Hoxhës. Por nuk do të arrinin asnjëherë, ta rrëzonin dot, veprën dhe kryeveprën e tij.

Cila është vepra dhe kryevepra e Enver Hoxhës?

Vepra e Enver Hoxhës është Shqipëria. Ai, brenda një kohe të shkurtër e shndërroi Shqipërinë, në një vend të mrekullueshëm, ku mbizotëronte paqja, mirëkuptimi, dashuria dhe respekti. Enver Hoxha i siguroi popullit tonë gjatë luftës aleancën me vendet më të fuqishme të botës, siç ishin SHBA, Anglia, Bashkimi Sovjetik, etj.. Enver Hoxha ndërtoi rrugët, urat, ndryshoi krejtësisht, infrastrukturën e vendit, zhduku analfabetizmin, zhduku malarien, gjakmarrjen, vagabondazhin, tradhtarët dhe antikombëtarët. Ai ndërtoi kombinate, uzina hidrocentrale, rigjeneroi shëndetësinë dhe ngriti spitalet të cilat deri në atë kohë, ishin inekzistente. Por kryevepra e kryeveprave, të tij ishte fakti, se ai i riktheu shqiptarëve dinjitetin në botë. Ai e bëri Shqipërinë, vendin e paprekshëm që askush prej armiqve nuk guxonte t’i afrohej. Edhe grekët që tentuan në provokacionet e gushtit, të vitit 1946, ia mbathën vrapit, nga frika duke e mbajtur frymën në Athinë. Ndërsa, sot, pushtetarët tanë po shesin tokën dhe detin. Pra, ata që rrëzuan Enverin, më 20 shkurt, nuk i bën mirë llogaritë. Duke e hequr nga sheshi, ata harruan se ai ishte prezentë në dhomat dhe kuzhinat e tyre, në kujtesën kombëtare, në respektin e brezave të ardhshëm që po përulen gjithmonë e më shumë para veprës së tij, të ndritur.

Çfarë konstatoni tani, pas 23 vjetësh në lidhje me figurën e Enverit?

Tani konstatoj me kënaqësi se populli nuk mund të gënjehet dot, për një kohë të gjatë. Sot Enver Hoxhën e kërkon i gjithë populli, ose shumica e popullit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve. Sot, pas 23 vjetësh shqiptarët e Kosovës, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Plavës e të Gucisë, etj, po ngrihen në këmbë gjithmonë e më shumë, sa herë që përmendet emri i Enver Hoxhës. Se ai ishte një nga burrat më të shquar të Shqipërisë, që së bashku me Skënderbeun, janë dy divat e historisë sonë kombëtare. Ai të gjitha energjitë e tij, i vuri në shërbim të kombit dhe tani, pas 23 vitesh, askush nuk ka guxuar të thotë, se Enveri ka marrë qoftë edhe një stilolaps nga pasuria kombëtare, për veten e vet. Kurse këta kanë marrë jetët e njerëzve në Gërdec, për të fituar për vete. Këta kanë shitur detin për të fituar për vete. Këta kanë vjedhur floririn, për t’u pasuruar për vete, duke lënë popullin në mëshirë të fatit. Por unë këtyre hajdutëve dhe këtyre kriminelëve u them vetëm një gjë: Do vijë një ditë kur Enver Hoxha i madh, do të zgjohet. Dhe atëherë shkoni gjeni vrimë që të futeni! Do vijë një ditë që llogaritë do të bëhen në shesh të burrave dhe hajdutët e kriminelët do të marrin dënimin e merituar, sipas ligjeve të popullit, jo sipas ligjeve të mafies politike të sotme. Sot ka ende njerëz, që nuk e duan Enverin, por janë dhjetëfishi i tyre, që nuk  e duan Sali Berishën, apo të tjerë. Kështu që edhe në garën e historisë, këta liliputët e sotëm nuk i vijnë as te maja e gishtit Enver Hoxhës së madh. Do t’ju them edhe diçka tjetër!

Çfarë do të thoni?

Para disa ditësh, isha në 65- vjetorin e minierës së Kromit, në Bulqizë. Atje, nuk ishte askush nga qeveritarët dhe nga politikanët. Por në këtë takim, unë thashë midis të tjerave se: “Nuk ka çfarë t’i bëjë borgjezia klasës punëtore, por klasa punëtore ka të ardhmen me vete”.

Dhe si reaguan të pranishmit?

Ata që ishin të pranishëm, u ngritën në këmbë dhe filluan të brohorisnin në korr: “Parti-Enver”.

Ju mendoni se ata janë gati, për një sistem të ri komunist?

Ata mezi po presin rikthimin e prijësit të tyre të madh, që ka qenë dhe mbetet Enver Hoxha. Dhe nëse ai ka vdekur, vepra dhe aspirata e tij, nuk vdes kurrë dhe ajo do ta shpëtojë Shqipërinë.

Sepse nuk ka burrë më të madh që të ketë kontribuar për këtë komb, më shumë se ai.

Adem Allçi: Fundi i kryekriminelit të kombit shqiptar

 Zoti Allçi çfarë simbolizon për ju, 20 shkurti?

Për ne, ish të burgosurit politikë, të Shqipërisë dita e 20 shkurtit është dita e madhe dhe e bekuar e kombit shqiptar, që rrëzoi monumentin e kryekriminelit, më të poshtër të historisë së kombit shqiptar, siç ishte ai, i Enver Hoxhës.

Si e perceptoni këtë ditë?

Kjo është një festë kombëtare për të gjithë shqiptarët. Për këtë arsye, ne ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë, i kemi drejtuar Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, një kërkesë për të hequr të gjitha dekoratat dhe medaljet, apo vlerësimet për të gjithë komunistët, të cilët kanë marrë në qafë, popullin shqiptar. Dhe sidomos, ata kanë marrë në qafë përfaqësuesit e shtresës  së ish të përndjekurve politikë.

Çfarë do të kërkoni tjetër, në lidhje me të drejtat e ish të përndjekurve?

Ne do të kërkojmë të gjitha të drejtat tona dhe sidomos do të kërkojmë edhe hapjen e dosjeve, sepse po na marrin në qafë disa përfaqësues të ish inkuizitorëve tanë. Ne duam që secili të dalë me fytyrën e tij të vërtetë dhe për këtë arsye kërkohet në mënyrë urgjente, hapja e dosjeve për të gjithë politikanët, apo zyrtarët e administratës.

Kurt Kola: Rrëzimin e bustit e ndoqa nga zona e internimit

 Zoti Kola, ku ishit ju më 20 shkurt?

Më 20 shkurt, unë isha në fshatin Plug të Lushnjës, ku kryeja dënimin e internimit. Në atë datë, unë kisha vetëm rreth tre javë, që isha liruar nga burgu, ku më kishin futur qëkur isha fëmijë. Këtë radhë dënimi që më kishin dhënë, ishte me burgim të përjetshëm. Por, pas protestave të studentëve, erdhi vendimi për lirimin tonë.

Ku e ndoqët rënien e bustit të Enver Hoxhës?

Rënien e bustit të kryediktatorit të historisë njerëzore, e ndoqa nga shtëpia, apo kasollja ime, në Plug. Atje ishte sajuar një televizor dhe ishin mbledhur shumë njerëz, duke ndjekur atë që po ndodhte. Dhe e vetmja dëshirë e imja, në ato momente ishte që të kisha mundësi për të qenë i pranishëm edhe unë, në atë shesh të Tiranës, pra në sheshin “Skënderbej”, në mënyrë që ta tërhiqja atë litar, në emër të ish të burgosurve, të cilët vdiqën nëpër qelitë e burgjeve.

Çfarë ndodhi kur u rrëzua busti?

Kjo ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime, pas gjithë atyre torturave, që kisha kaluar, nëpër burgjet komuniste. Nuk gjej dot fjalë për të përshkruar atë emocion pozitiv që ndjeva.

Po tani çfarë mendoni, për atë ditë?

Përsëri, unë mendoj, se ajo ishte një ditë e bekuar nga Zoti. Dhe nuk ndryshoj asnjë presje, në gjykimin tim, ndaj komunistëve dhe spiunëve. Por tani, ka ikur një komunist dhe vendin e tij, e ka zënë një komunist tjetër. Prandaj, ka ardhur koha ta heqim edhe komunistin, Sali Berisha.