Votat e pushtetit i duan vetëm për pagat, pasuritë, pensionet dhe qejfet e tyre, popullin po e tallin me paga e pensione lëmoshë

568
Edhe në 4 vitet e “Rilindjes”, u dëshmua fakti që agallarët e politikës nuk e duan “timonin” për t’i shërbyer shqiptarëve, por sundimit të tyre ekonomik-financiar
Përparim HALILI
Jo vetëm “Rilindja”, por edhe paraardhësja e saj e bashkuar së fundmi me të brenda “kullës” së pushtetit, kanë 25 vite që e përdorin me tallje të hapur e të përsëritur në çdo fushatë zgjedhore ndaj shqiptarëve të masakruar prej tyre, këtë thënie: “Dhelpra nuk mban kot, fjalime ëmbla para pulave”. Kështu po vepron kasta e agallarëve të “rilindjes” edhe në këtë fushatë elektorale, duke përsëritur të njëjtin refren premtimesh false prej 25 vitesh, por që i premton sërish, duke u “puthur” me popullin”, duke fjetur nëpër fshatra e familje të varfëri që nuk kanë as një “tepsi krunde” për të ushqyer fëmijët me qull! 
“Rilindja” e ktheu mandatin e 1 milion votave, në “mandat” të “njëmijë” zullume e halle për shqiptarët
Udhëheqësit përdhosës të 1 milion votave të sinqerta dhe shpresë-pritëse të popullit, të zhvatura me premtime të shumta e të bujshme “për parajsë ekonomike popullore” më 23 qershor 2013, pas 44 muajsh sundim e pasurim kanë hequr kostumet, kollaret, orët, unazat dhe byzylykët e shtrenjtë prej sheikësh, kanë braktisur zyrat, vilat, rezidencat verore, fundjavat e qejfit, restorantet luksoze, kazinotë e PUB-et, palestrat e pishinat relaksuese dhe prej 1 muaji janë hedhur në sulm për të përlarë votat e shqiptarëve edhe këtë në këtë fushatë! “Rilindësit” që “vdiqën” çdo shpresë të shqiptarëve, po sillen si në qershorin e para 4 viteve, kur shqiptarët i besuan mandatin e pushtetit, por që “rilindja” ua konvertoi në “mandatë” varfërie e papunësie më ekstreme! U zhvati taksat me koncesione në miliona euro në shëndetësi e shërbime të tjera, të cilat ua dhuroi klientëve të kupolës së re të PS. Ua shpërbleu votën e para 4 viteve, me largimin e mbi 200 mijë shqiptarëve në emigracion për shkak të papunësisë, varfërisë e pabarazisë shoqërore. Ua riktheu votën, në inkuizicion masiv e të shfrenuar me rritje të çmimeve në ushqime, ujë, energji, me gjoba, sekuestrime, dryna mbi biznese, me dhunën mbi shitësit ambulatorë, me taksa të larta e të shumta në biznese e shërbime publike, në toka, troje, banesa, transport ajror, detar e tokësor! Ua konvertoi votën me dhune policore e burgosjeje me pasojë vetëvrasjen edhe për faturën e energjisë elektrike, të ujit dhe riparimin e dritares dhe derës së kasolles! Ua ktheu kullotat në plantacione hashashi, të zaptuara prej bandave të drogës që “fermerë” të shtetarëve! Ashtu si para 4 vitesh, “krye-timonieri” dhe “çunat e rilindjes”, kanë zbarkuar nëpër qendrat banimi dhe po flasin si “dhelpra para pulave”, me qëllimin e vetëm për të gllabëruar e votat edhe për këtë mandat dhe pas 25 qershorit, për t’ia mbathur nga populli e për t’u rehatuar në zyrat, vilat, hotelet, motelet, kazinotë, bizneset, udhëtimet jashtë shtetit, plazhet e botës dhe qejfet e tyre! 
Fushatë me bejte, asnjë fjalë për premtimet, korrupsionin, koncesionet, trafiqet, zyrat më kriminelë
Edhe në këtë fushatë, ata nuk po dëgjohen të rrëfejnë “mëkatet” që kanë bërë me jetën e këtij populli dhe me hallet e këtij vendi. Nuk po flasin për korrupsionin, trafiqet, hashashin, bllokimin e votës së emigrantëve, për pasuritë që kanë vënë shtetarët duke vjedhur taksat e fondet publike, për tenderët dhe koncesionet miliardëshe klienteliste, për administratën që e mbushën me hajdutë, kriminelë dhe analfabetë, për papunësinë totale të moshave të afta për punë e cila u rrit me 25%, për krizën që krijuan në familjet shqiptare me varfërinë që instaluan. Nuk po flasin për ndihmën ekonomike mujore e cila është sa 1% e pagës mujore të deputetit e ministrit, nuk po flasin për pensionet fëmijëve jetimë të policëve të vrarë në krye të detyrës në aksionet kundër bandave të trafikantëve që drejtohen e mbrohen nga shtetarët! Nuk po flitet për dëmshpërblimin e familjeve që “Bankers” u shkatërroi shtëpitë dhe u helmoi organizmin, ujin, tokat e bagëtitë, aq sa përzunë me dajak deputetin “rilindës” të zonës. Nuk po flitet për mashtrimin me dëmshpërblimet e familjeve të përmbytura në Shkodër! Nuk po flitet për invalidët, të cilët po lodhen me ecejake e shpenzime të shumta drejt KEMP-ve, të cilët me urdhër të “rilindjes” po hiqen nga skema e pensioneve lëmoshë që u jepet! Nuk po sqarohet skandali që pensionet dhe pagat e shtetarëve janë rritur me 3 herë, ndërsa dhe pensionet e popullit janë rritur me 3%! Nuk po jepet shpjegim, se përse u tallën me shëndetësinë falas, kur çmimet e ilaçeve e të shërbimeve janë rritur me 70%-200%! Nuk po jepet asnjë sqarim se përse papunësia u rrit me 340% tek të rinjtë e moshës 18-30 vjeç, ndërkohë që u premtua se do të hapeshin 300 mijë vende pune të reja! Nuk po sqarohet se përse zyrat kanë mbushur me familjarë e të afrim të shtetarëve, ndërkohë që shqiptarët pa lidhje me pushtetin e politikën, mashtrohen me konkurse punësimi fiktive! 
Shtetarët me pensione mujore 800-900 dollarë dhe rritje 20%, populli me pensione 100-120 dollarë dhe rritje 1.6% 
Qeveria rriti pensionet e pleqërisë në një përqindje e cila sipas vlerës së llogaritjes mujore, rezulton se është një “thërrime” tallëse me pensionistët që kanë pensione mujore minimale e që faktikisht janë 90% e kësaj kategorie. në 635 mijë pensionistët që përfitojnë rritjen mujore 1.6%, vetëm 2107 pensionistë janë me pensione mujore maksimale, ku përfshihen ish-shtetarët. Se sa fuqi blerëse ka në tregun ushqimor, të energjisë, ujit e trajtimit mjekësor një pension pleqërie minimal, apo edhe mesatar, kjo tashmë dihet, mbasi vlera e tyre është sa 30-40% e minimumit jetik mujor financiar që i duhet një shqiptari për të përballuar jetesën në nivel varfërie!.Kujtojmë që pensionet e u rritën edhe në muajin korrik 2015 deri në masën 1.3%. ndërsa rritja që nis në datën 1 gusht 2016 është vetëm 1.6% për çdo pension! Sipas llogaritjeve, me rritjen 1.6%, pensioni maksimal në qytet u bë në 25 mijë e 790 lekë në muaj, pensioni minimal në qytet u bë 15 mijë e 124 lekë nga 14 mijë e 534 lekë që ishte. Me të njëjtën masë tallëse u rritën edhe pensionet në fshat. Sipas vendimit të qeverisë, janë 635 mijë pensionistë që u rritet pensioni 1.6%. ose më saktë, sipas llogarive kjo rritje 1.6% për pensionet minimale ishte e barabartë me 3 bukë në muaj, ose me 1 kilogram patëllxhan! Rritje tallëse është edhe për pensionet mesatare, për pensionet e invalidëve, të jetimëve dhe për pensionet e veçanta. Rritja bëhet me 1.6%, kur pensionistët paguajnë energjinë me 25% rritje, paguajnë ilaçet me rritje 30%, paguajnë ujin me rritje 60%, paguajnë taksën e pastrimit me 40% rritje, paguajnë transportin me 35% rritje, paguajnë trajtimet mjekësore me 150-250% rritje, paguajnë ushqimet jetike me 60% rritje!

Sigal