Ish ministri Ditmir Bushati flet për Zërin e Amerikës: Zgjedhjet vendore pa opozitën ishin një e keqe, mazhoranca ka peshën më të madhe në bashkëpunim. Në ligjin për median të përfshihen rekomandimet e OSBE. Është shqetësim që 3 zyrtarëve shqiptarë u është ndaluar hyrja në SHBA për korrupsion
Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në VOA: Është shqetësuese që DASH u ka ndaluar hyrjen në SHBA zyrtarëve të PS-së
2019 ishte i mbrapshtë, përfshi zgjedhjet e 30 qershorit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati deklaron se viti 2019 ishte një vit i mbrapshtë dhe shpreson që 2020 të jetë viti i reflektimit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Ditmir Bushati tha se edhe zgjedhjet e 30 qershorit ishin “një e keqe” në vitin 2019, ndërsa theksoi se në vitin e ardhshëm duhet ndërtuar një kulturë e re politike, përfshi maxhorancën që ka peshën më të madhe të bashkëpunimit. “2019 ishte një vit i mbrapshtë. Nisi me djegien e mandateve, më pas zgjedhjet e 30 qershorit, tërmetet që prekën vendin. Uroj që 2020 të jetë jo thjeshtë viti i reflektimit, por edhe bashkëpunimit, për ti dhënë jetë reformës në drejtësi. Qëllimi i saj nuk ishte thjeshtë spastrimi i atyre personave të papërshtatshëm për drejtësinë. Ne duhet të ndërtojmë një proces dhe një kulturë të re politike, ku ne si maxhorancë kemi peshën tonë për të shtrirë dorën e bashkëpunimit”, – tha ndër të tjera ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe i pyetur për projektligjin e Antishpifjes që do të diskutohet në 19 dhjetor në parlament, tha: Liria e medias është një prioritet për çdo shoqëri demokratike dhe në rastin në fjalë Shqipëria nuk bën përjashtim. Natyrisht që mund të ketë çështje të cilat kanë nevojë për t’u trajtuar për sa i përket kuadrit ligjor dhe regullator edhe në fushën e medias. Prandaj dua të shpreh besimin që do të gjendet gjuha e përbashkët në mënyrë që të reflektohen plotësisht të gjitha rekomandimet e zyrës së OSBE-së në Vjenë dhe gjithashtu të merren në konsideratë përmes një procesi sa më përfshirës edhe shqetësimet e komunitetit të medias.
Zëri i Amerikës: Por duket se qeveria është e vendosur për të shtyrë përpara këtë projekligj megjithë kritikat që i janë bërë…
Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që ne jemi në fazën e një diskutimi në Kuvend. Por nga ana tjetër siç ka ndodhur edhe në të shkuarën gjithnjë në finale ka mbizotëruar le të themi një sens me racional duke marrë parasysh rekomandimet që vijnë në këtë drejtim nga ana e OSBE-së nga ana e BE-së, por edhe faktin që siç ju me të drejtë e shtruat në pyetjen tuaj, se duke nisur nga 2020 Shqipëria do të jetë kryesuese e OSBE-së dhe në këtë organizatë liria e medias është një prej shtyllave kryesore të punës së saj.
Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit foli për ndalimin e të korruptuarve për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Nga Shqipëria janë tre ish-zyrtarë me familjet e tyre të ndaluar për të hyrë në Shtetet e Bashkaura, gjithsej 14 persona, por nuk ka patur një qëndrim nga ana e qeverisë së Shqipërisë për këtë çështje. Si e shpjegoni?
Ditmir Bushati: Natyrisht, fakti që janë tre persona apo 14 në total së bashku me familjarët e tyre nga një listë prej rreth 100 personash që janë shpallur në të gjithë botën. Dhe kur vjen puna, kjo listë është shpallur nga partneri kryesor strategjik i Shqipërisë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbën një shqetësim dhe nuk është një lajm i mirë dhe në këtë kontekst është e rëndësishme që ne të punojmë në mënyrë më të strukturuar me agjencitë ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara për të identifikuar problematikat, rastet konkrete dhe për të marrë masat e duhura në këtë dretjim. Ajo që ne shohim praktikisht janë rastet që shpallen publikisht nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ne jemi një subjekt politik dhe nuk mund t’i bëjmë “një gjyq” një anëtari të caktuar të familjes tonë politike. Por, nga ana tjetër duhet të marrim masa të karakterit politik në radhë të parë, por edhe të karakterit ligjor dhe institucional për të kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur pjesëmarrjen në jetën publike të personave të tillë.