“BILD” trondit Rilindjen/ Reporteri gjerman: BE i dhashë të vërtetën për Shqipërinë. Nishani: :Bild” tregoi pushtetin e gangsterëve

130

PS-ja u mundua të përgënjeshtrojë, duke akuzuar opozitën se pagoi për të nxirë realitetin, reagon reporteri: Isha në Shqipëri

 

“Bild” tronditi Rilindjen Socialiste, duke i dhënë Evropës të vërtetën e Shqipërisë

 

Gazeta më e madhe gjermane “Bild” tronditi Rilindjes Socialiste, duke grisur gjithë maskën se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e saj për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Gazeta në një reportazh të gjatë shkruan seShqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duar gangsterësh. Prej dy vitesh, vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese- Kushtetuta e vjetër është shfuqizuar, e reja nuk është akoma në zbatim. Po Rama vetë? Emri i tij lidhet shpesh me drogën. Kështu, opozita e akuzon atë për blerjen e votave me paratë e drogës. Regjistrimi i një telefonate duhet ta provojë këtë. Vetë policia shqiptare konsiderohet shumë e korruptuar, veçanërisht udhëheqja e policisë. Pjesë të drejtuesve janë nën dyshime mafioze- sipas të dhënave që vijnë nga jashtë. Rilindja Socialiste nuk guxoi që ta përgënjeshtronte shkrimin, por, duke dashur ta zhvlerësojë, e përgënjeshtroi me deputeten Gjylameti, e cila, ndër të tjera deklaroi se “Opozita paguajnë para për të nxire imazhin e Shqipërisë në botë. Është e vërtetë, artikuj si ai i djeshmi në gazetën gjermane, i bëjnë dëm imazhit të vendit jashtë. Fatkeqësisht, prej parave të pista, të ardhura nga vende të huaja (dhe kjo pistë është nën hetim serioz), përfaqësues të opozitës duan thjesht dhe vetëm të botojnë në media ndërkombëtare baltën dhe shpifjen që recitojnë çdo ditë në Shqipëri. Kjo është strategjia e opozitës, e cila pa vizion dhe program për të ardhmen do vetëm të djegë e të shkrumbojë të tashmen.

Reporteri i “Bild” i përgjigjet Gjylametit: Mund të ketë tymosur gjëra të gabuara, deklarata e saj çmenduri

Autori i shkrimit, Peter Tiede, i kontaktuar nga TPZ.al, u shpreh se deklarata e Gjylametit mbështetet në teori konspirative dhe sulme personale dhe se aludimi se ai ka marrë para është thjesht një çmenduri. “Ajo sigurisht bën të njëjtin gabim që bëjnë ‘politikanë’ të tillë: ata vendosin vetë që të tjerët e kanë gabim. Shpresoj, për të mirën e saj, që ky të mos jetë rasti dhe që thjesht të ketë tymosur gjëra të gabuara, siç themi ne në Gjermani. Ka shumë nga këto “gjëra të gabuara”. Më vjen keq që zonjës i janë shteruar argumentet që në fjalinë e parë – dhe se i duhet të mbështetet në teori konsipirative dhe sulme personale. Aludimi se unë kam pranuar para, është thjesht një çmenduri”, Para se maxhoranca të shigjetojë edhe gazetarët e huaj njësoj si ata shqiptarë të cilët i quan “kazan” pse raportojnë të vërtetën, duhet të kthejë njëherë sytë nga vetja, jo për të korrigjuar gabimet, sepse tashmë s’ka më kohë, por për t’i dhënë fund kësaj situate kaotike ku kemi mbërritur dhe ta pranojë realitetin ashtu siç është, u shpreh Peter Tiede. Në shkrimin e prestigjiozes gjermane, thuhej se Shqipëria është shembulli kryesor, i një vendi kaotik në duar gangsterësh. Në shkrim gjithashtu përmendej edhe një bisedë e kryeministrit Rama, në dosjen 184. Vetë gazetari Peter Tiede ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se gjërat në Shqipëri, ku ai ka qenë i pranishëm vetë, nuk duken mirë. “Kam shkruar njëherë diçka për Shqipërinë. Isha vetë atje. Gjërat nuk duken mirë në atë vend të bukur“, shkruan Tiede.

Bujar Nishani: ‘Bild’ tregoi si asgjësohet e vërteta publike, kur pushtetet financohen nga gangsterët

Gazeta e madhe dhe influente në Gjermani, BILD shkruante dje : “…Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duar gangsterësh…”. E turpshme për të gjithë ne ! Konstatimi i “Bild” se Shqipëria është në duart e gangsterëve nuk është i panjohur për shqiptarët, por ai tregon se çfarë imazhi ka imponuar për ne në perëndim qeverisja aktuale e “rilindësve”. Denoncimi i “Bild” nuk e zgjidh dot kaosin që kanë krijuar anarkistët në pushtet, por tregon se sa të mëdha dhe të vështira janë përgjegjësitë e shqiptarëve për vendin dhe fëmijët e tyre. Natyrisht, që “Bild” nuk jep receta se si shqiptarët duhet të gjejnë rrugën e kthimit të vendit të tyre në normalitet, por ajo qartëson opinionin publik në perëndim se gangsterët shqiptarë nuk janë të rrezikshëm vetëm për qytetarët e Shqipërisë por kërcënojnë tashmë drejtpërdrejt edhe sigurinë e qytetarëve evropianë. Alarmi i “Bild” tregon se si mund të asgjësohet e vërteta publike në një vend prej propagandës spekulative kur pushtetet e rëndësishme të medias dhe drejtësisë financohen e menaxhohen nga krimi organizuar në funksion të gangsterëve në pushtet. Media e lirë dhe prestigjioze “Bild” nuk shkruan për të informuar qytetarët shqiptarë, sepse nuk ka njeri në këtë vend që nuk i njeh gangsterët, qofshin ata që përndiqen e dhunohen nga gangsterët e qofshin ata që i ndjekin pas e u shërbejnë gangsterëve. “Bild” u tregon qytetarëve evropianë se si taksat dhe parimet e tyre keqpërdoren, tjetërsohen dhe hidhen në koshin e korrupsionit, kapakun e madh të të cilit gangsterët e kaosit shqiptar e mbajnë hapur “non stop” !