Berisha: Ulni TVSH e energjisë 6 %, ose riktheni fashën mbrojtëse

485
TIRANE – Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë nisi me prezantimin e amendamentit të opozitës për uljen me 14 % të TVSH-së së energjisë elektrike. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka tha se ulja në 6 % e TVSH-së nga 20 që është aktualisht, do të lehtësonte barrën e rëndë ekonomike që sipas tyre po përballojnë shqiptarët me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Edhe pse ulja e tatimit të energjisë është një premtim elektoral i Partisë Socialiste, Paloka shprehu bindjen se mazhoranca nuk do ta miratojë këtë amendament. Megjithatë, shtoi ai, opozita do të shkojë para me këtë kërkesë, si pjesë e alternativës së re që Partia Demokratike ofron për shqiptarët.
Për mazhorancën, ulja e TVSH-së për energjinë në një kohë që sistemi energjetik në vend edhe nuk është kthyer në një burim potencial të rritjes ekonomike të vendit, do të ndikonte negativisht të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ishte deputeti socialist Ervin Koçi i cili solli në vëmendje vlerësimet e dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për regjimin e ndjekur deri më tani nga qeveria shqiptare. Po ashtu Koçi risolli nga foltorja e Kuvendit citime të deputetëve të djathtë në kohën kur ata kanë qenë në qeverisje. Sipas tij, ishte vetë mazhoranca e atëhershme e cila nuk pranoi propozimin e opozitës (tashmë në qeveri), ndërsa sot e paraqet si amendament të sajin. “Përgjigjen do ta merrni nga shqiptarët më 21 Qershor”, tha Koçi. 
Debatet gjatë diskutimeve të një shtese në ligjin për “tatimin mbi vlerën e shtuar”
Ora 12:15 Berisha: Të ulim TVSH-në për energjinë ose të kthejmë fashën mbrojtëse
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se deputetët e Kuvendit duhet të miratojnë uljen e TVSH-së së energjisë në 6 %, në të kundërt tha ai duhet të rikthehet fasha mbrojtëse për çmimin e energjisë elektrike, duke u hequr kështu çmimi i mesatarizuar që miratoi mazhoranca.
“Pse kërkojmë uljen e TVSH-së? Sepse kryetari juaj bëri fushatë me ty duke kërkuar vota se do heqë TVSH e energjisë, as nuk skuqet nga gënjeshtra. Të kthejmë fashën t’i mbrojmë njerëzit, por është bërë i papërballueshëm çmimi i energjisë dhe i them shqiptarëve se do rritet edhe më tej dhe këtu do jemi. Ne me rrogat që e marrim si deputetë e përballojmë, po ata që marrin rrogë 10 herë më pak se ne ata do shkojnë në qeli. Ndaj dhe ju ftoj siç votuat për rritjet e rroga tuaja, votoni edhe për të varfrit e Shqipërisë, të heqim TVSH ose të kthejmë fashën, mbrojtjen me 300 kilovat. Jam në favor të pagesës së energjisë, por është i paimagjinueshme veprimi më stalinist, ligji juaj për të prekur shtëpinë qytetarit për energjinë. I keni vënë kazmën shtëpisë me një ligj që përveç imagjinata e sëmurë e njeriut që ka dëshirë të shfrenuar të burgosë të tjerët mund t’i lejojë vetes një gjë të tillë”, u shpreh deputeti demokrat Sali Berisha.
Ish-kryeministri bëri një tjetër propozim, kur foli për një amnisti të përgjithshme të të gjithë debitorëve të energjisë.
“Është jetike një amnisti për ata që kanë prapambetje në këtë fushë. Të bëhet një fillim i ri dhe qeveria të garantojë pagesën për të gjithë ata që skano mundësi të paguajnë mbi bazën e përllogaritjeve të sakta. Të tjerët të paguajnë pa asnjë mëdyshje. Por siç e keni nis ju doni politikë policeske”, tha Berisha.
Ora 11:15 Energjia, Bushati: Propozimi i PD dashakeqës për fushatë
Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati tha se propozimi i opozitës për të ulur TVSH-në energjisë elektrike qëndron jashtë kontekstit, sepse tashmë sipas tij, sektori i energjisë nuk konsiderohet më si një “peshë e varur në qafën e ekonomisë, por si një sektor që mund ta çojë para atë”.
“Është dashakeqëse kjo fushatë me prapavijë politike e PD kundër një sektori që po ecën shumë mirë. Duhet të pranoni se ka ndërgjegjësim për faturat elektrike, dyfishimi i arkëtimeve. Në 3 muaj mblodhëm saç ju mblidhnit në 6 muaj”, tha Bushati.
Duke argumentuar se përse tre vjet më parë socialistët propozuan uljen e TVSH-së për energjinë, Bushati tha se ndryshe nga qeveria e mëparshme, tashmë çmimi i energjisë i përafrohet kostos. “Ne nuk luajmë me kostot”, tha ai.
Deputeti Ervin Bushati shtoi se tashmë qeveria ka bërë skema që familjet të marrin lekë për kompensim. 
Ora 10:47 Koçi: Sot kërkoni ulje TVSH-je, në 2011 rrëzuat propozimin tonë
Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Koçi argumentoi se ulja në 6 % e tatimit të vlerës së shtuar të energjisë do të ndikonte negativish buxhetin e shtetit.
“Partia Demokratike e kërkon këtë pa treguar se si do të zëvendësohen këto para në buxhetin e shtetit. Ulja e nivelit të tatim vlerës së shtuar do të ketë ndikim negativ sepse këto të ardhura përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të buxhetit. FMN është shprehur kundër këtij regjimi, duke argumentuar se lënë hapësira për shtrembërime. FMN vlerëson pozitivisht regjimin aktual të TVSH-së” , tha Koçi.
Amendamenti që paraqesin demokratët ka qenë një propozim i socialistëve në kohën kur ishin në opozitë, por kërkesa e tyre u rrëzua nga qeveria Berisha. Në këtë kontekst deputeti Koçi risolli në vëmendje citime të deputetëve të djathtë të cilët në atë kohë kundërshtuan propozimin e opozitës socialiste.
Ai u ndal veçanërisht tek argumentet që ministri i Financave të qeverisë Berisha dha në atë kohë, kur është shprehur se përfituesja kryesore nga ulja e TVSH-së do të ishte opozita dhe jo shtresat në nevojë.
Koçi tha se propozimi që socialistët bënë në vitin 2011, vinte në një kohë kur kryeministri i atëhershëm Sali Berisha deklaronte se Shqipëria ishte e dyta pas Gjermanisë. 
“Në kushtet ku ndodhet sektori i energjisë sot, ku me përjashtim të vitit 2010 bilanci i energjisë paraqitet negativ, mendoj se tatimi i TVSh-së duhet të diskutohet në të ardhmen, kur sektori energjetik të jetë kthyer efiçent, në sektor që ndikon rritjen ekonomike të vendit”, përfundoi deputeti socialist Ervin Koçi.
Ora 10:42 Paloka: TVSH e energjisë të ulet në 6 %, kjo oferta jonë e re
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka propozoi në Kuvend uljen në 6 % të TVSH-së për energjinë elektrike nga 20 % që është aktualisht.
“Ekonomia shqiptare gjatë vitit të fundit po kalon momente të vështira. Paketa fiskale ka rritur taksat për 100 % të qytetarëve shqiptarë. Biem dakord me kryeministrin Rama për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike, por ndryshe nga ai që e mbajti këtë qëndrim vetëm në fushatë elektorale, ne propozojmë që TVSH të ulet nga 20 në 6 %. Kjo do të lehtësonte barrën e rëndë ekonomike që po përballojnë shqiptarët.
Ulja e normës së TVSH nuk ndikon në performancën e kompanive shtetërore si KESH, OSHEE, OST. Këtë amendament e kemi paraqitur që në janar, po u shty për arsye që i di vetëm qeveria. Kur ne bëmë amendamentin qeveria gënjente qytetarët se nuk kishte rritur çmimin e energjisë. Sot çdo familje shqiptare po përballen me faturat e reja dhuratë e kësaj qeverie, burgun dhe vetëvrasjet. E dimë që nuk do ta miratojë këtë amendament tonin sot edhe pse ky ka qenë një nga premtimet elektorale të Ramës. Kjo është pjesë e ofertës së re të PD për qytetarët shqiptarë që po presin ndryshimin e shpejtë nga kjo mazhorancë që përveç krimit e mjerimit nuk ka për të ofruar gjë tjetër”, tha Paloka
Kuvend, sot dekretet e Presidentit për 2 anëtarët në Gjykatën e Lartë
Kuvendi pritet të votojë sot në seancë plenare dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Fuat Vjerdha dhe Markelian Koça.
Dy dekretet janë rrëzuar më parë nga mazhoranca në komisionin e Ligjeve, me argumentin se kreu i shtetit nuk është konsultuar me Kuvendin.
Një pikë e rëndësishme e seancës së sotme është dhe shqyrtimi i dy pr/ligjeve të fushës ekonomike, një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe një ndryshim në ligjin “Për taksat kombëtare”, për të cilat, grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi një ditë më parë, se do të paraqesë amendimet e saj. Rendi i ditës i Kuvendit parashikon dhe ratifikimin e tre marrëveshjeve për financimin e projekteve në furnizimin me ujë të zonave rurale 
Sigal