Berisha: Soros të shpallet “non grata”

453
Ish-kryeministri Sali Berisha, në mes të muajit mars, e ka sulmuar ashpër miliarderin Xhorxh Soros, gjatë një fjalimi të mbajtur në çadrën e ngritur nga PD-ja në sheshin para kryeministrisë. Berisha ka thënë se drafti i reformës në drejtësi është hartuar nga ekspertë të miliarderit Soros, të cilin e quajti si kryemafioz të planetit. Ish-kryeministri tha se opozita është përjashtuar nga reforma në drejtësi, ndërsa kërkoi që Soros të shpallet person “non grata” në Shqipëri. “Një e vërtetë e madhe po del sot si drita e diellit. Në vitin 2014 presidenti Nishani thirri forcat politike për të bërë reformën ne drejtësi, ai i thirri për të inkurajuar, pasi reformën do ta bënin forcat politike. Çfarë ndodhi? Menjëherë reformën e mori Rama në dorë duke përjashtuar opozitën. Ai tha do e bëjmë ne. Në krah të Ramës u reshtuan edhe guvernatorja edhe ambasadorja, por edhe pak Donald Lu. I them se me deklarata të tilla, ti destabilizon Shqipërinë. Drafti i reformës bëhet me ekspertë të Xhorxh Soros. Draftin e bënë siç e deshën. “Venecia” e përmbysi. Ne kërkuam që ta bënim bashkë ata thanë ta bëjmë vetë. A mundet ne qe të pranojmë një drejtësi në dorë të Ramës se do Xhorxh Soros? Ju them se po shtyni Shqipërinë drejt destabilizimit. Të rikthehet konsensusi dhe të vijë qeveria teknike për drejtësi që meritojnë shqiptarët. Reformën jo të projektuar në zyrat e kryemafiozit të planetit Xhorxh Soros. Do qëndrojmë në të drejtën tonë dhe të shqiptarëve”, tha Berisha. Ai vijoi sulmin e tij, duke e quajtur Sorosin mostër të korrupsionit e krimit. Berisha i bëri thirrje Kongresit amerikan të hetojë. “Po i bëj thirrje Kongresit amerikan të hetojë me përgjegjësinë më të madhe, të kryekorruptuarin Xhorxh Soros. I bëj thirrje Senatit amerikan, Kongresit amerikan që të ndalojë këtë mostër që favorizon krimet, bandat. I bëj thirrje BE të ndërpresë tentakulat e tij në KE. Ai meriton ‘non grata’ kudo”, deklaroi Berisha.
Sigal