Me projektligjin për “Presidentin e Republikës”, kërkohet kapja e Kushtetueses dhe zgjedhjeve

427
Sigal

Flet konstitucionalisti Ledio Braho: Projekti i mazhorancës është simbol i antikushtetueshmërisë ligjvënëse me qëllimin final kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha pushteteve nga kryeministri për të manipuluar zgjedhjet parlamentare të 2021. Në mungesë të mosfunksionimit të Kushtetueses kjo iniciativë nga ligjvënësit ilegjitim, thellon krizën dhe duket së shumti si projektligj  “Për Ilir Metën” se sa ‘Për Presidentin e Republikës”

Ledio Braho, konstitucionalist

 Një iniciativë e tillë që zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me ligj, duke e konsideruar Presidentin e Republikës si thjesht një “hallkë procedurale administrative” për t’u kaluar, ipso jure dhe ipso facto, sjell si pasojë edhe kufizimin e kompetencave të Presidentit të ri

Projektligji “Për Presidentin e Republikës, si simbol i antikushtetueshmërisë ligjvënëse

 Gazeta Telegraf

Ledio Braho, konstitucionalist, në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se nisma e mazhorancës së Rilindjes Socialiste, me projektligjin “Për Presidentin e Republikës” është një ligj më shumë për Ilir Metën, sesa për Presidentin e Republikës. Konstitucionalisti Braho,  pohon se ky projektligj i Rilindjes e konsideron Presidentin e Republikës thjesht një “hallkë procedurale administrative” për t’u kaluar, ipso jure dhe ipso facto. Konstitucionalisti Braho e vlerëson këtë projektligj, si një hap pas në krizën kushtetuese dhe për demokracinë tonë, sepse është krejtësisht e pamundur, që mosmarrëveshjet kushtetuese midis institucioneve, që duhet t’i nënshtrohen gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të shmangen e të shndërrohen në ligj.

– Zoti Braho, ju si e gjykoni, pse kjo mazhorancë parlamentare, që ka tashmë mandat skadimi vetëm 2 muaj, ndërmerr një hap kaq të rëndësishëm kushtetues, duke sjellë për votim projektligjin “Për Presidentin e Republikës”?

– Qëllimet e kësaj mazhorance për iniciativa të tilla ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar janë e kundërta e të qenit “ortodokse”, kjo e analizuar edhe në raport me opinionet e Komisionit të Venecias që nga nisja e krizës kushtetuese dhe institucionale mes mazhorancës dhe organeve kushtetuese të kontrolluara prej saj dhe Presidentit të Republikës. Kjo iniciativë ligjvënëse duket më së shumti si projektligj “Për Ilir Metën” se sa “Për Presidentin e Republikës”. Në legjislacionin shqiptar është e vështirë të gjesh një ligj tjetër organik që miratohet me shumicë të cilësuar dhe të ketë përmbajtjen e një akti administrativ që më së shumti ngjason me një udhëzim apo urdhër. Është krejtësisht e pamundur që mosmarrëveshjet kushtetuese që duhet t’i nënshtrohen gjykimit në Gjykatë Kushtetuese, aq më tepër që për një pjesë të këtyre mosmarrëveshjeve janë depozituar kërkesa në Gjykatë Kushtetuese dhe janë në pritje për t’u gjykuar me kthimin e saj në funksionalitet, të shmangen e të shndërrohen në ligj, qoftë ky dhe ligj që miratohet me shumicë të cilësuar.

Në këndvështrimin Tuaj, nëse duhet një ligj për Presidentin e Republikës, çfarë vakumi kushtetues duhet të plotësojë?

– Një ligj për Presidentin e Republikës kurrsesi që nuk mund të plotësojë vakume kushtetuese për aq kohë sa Kushtetuta është ligj themelor i shtetit dhe rishikohet e miratohet me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërkohë që ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta, siç është Presidenti i Republikës, miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Për më tepër, një ligj i tillë që rregullon çështje që parashikohen nga Kushtetuta dhe që nuk autorizohet nga Kushtetuta, është tërësisht antikushtetues. Nëse i referohemi organeve të tjera kushtetuese siç janë Gjykata Kushtetuese apo Inspektori i Lartë i Drejtësisë, është pikërisht Kushtetuta që parashikon rregullimin e një sërë çështjeve të tyre me ligj të veçantë, por sërish jo për ato çështje që parashikohen dhe sanksionohen nga vetë Kushtetuta. Pika 3 e nenit 4 të Kushtetutës parashikon se “Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe”, neni 6 po ashtu parashikon se “Organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe.” Pra, një institucion kushtetutës, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të brendshëm, mund ta ketë të normuar me ligj vetëm kur Kushtetuta e përcakton shprehimisht se do të duhet të dalë një ligj për këtë institucion. Edhe sikur Kushtetuta të parashikonte detyrimin për nxjerrjen e një ligji për Presidentin, sërish ky ligj do duhej të rregullonte vetëm mënyrën e organizimit dhe funksionimit, nga pikëpamja administrative. Por kurrsesi nuk mundet të bëjë interpretimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencës kushtetuese. Është absurde të mendosh se mund të miratosh një ligj që të shërbejë si Kushtetutë paralele për kompetencat e Presidentit të Republikës. Ato çështje që mund të rregullohen me ligj sa i përket institucionit të Presidentit të Republikës, janë çështje që kanë të bëjnë me organizmin e këtij institucioni apo me statusin dhe natyrën honorifike të të gjithë ish presidentëve të Republikës pas mbarimit të detyrës. Kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës janë të sanksionuara me Kushtetutë apo me ligje të tjera të autorizuara nga Kushtetuta siç është ligji “Për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe nuk mundet qoftë dhe të detajohen me ligje të tjera të paautorizuara nga Kushtetuta.

– Nga këndvështrimi kushtetues, a mundet Kuvendi të miratojë një ligj të tillë themelor, kur ndërkohë mungon Gjykata Kushtetuese dhe opozita reale nuk është në Parlament dhe pa konsultim të gjerë?

– Një ligj i tillë, pavarësisht faktit që ka apo jo opozitë de facto Kuvendi, është antikushtetues edhe po t’i referohesh vetëm titujve të krerëve që gjenden në përmbajtjen e tij. Është e pamundur që me një ligj për Presidentin e Republikës të zëvendësosh Gjykatën Kushtetuese pasi nëse analizohet ky draft, që në pamje të parë, duket qartazi që është detajuar Kushtetuta në raport me mosmarrëveshjet që maxhoranca ka pasur dhe vijon të ketë me Presidentin e Republikës. Nëpërmjet këtij ligji Kuvendi kërkon që të zëvendësojë Gjykatën Kushtetuese në kompetencën e saj ekskluzive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, ndaj mund të quhet fare mirë një absurd kushtetues që vetëm një Kuvend ilegjitim mund ta ndërmarrë.

– Zoti Braho, në këtë projektligj, në Kreun III shkruhet “Procedura për kompetencat kushtitutive” dhe neni 16 ka titullin “Kufijtë e ushtrimit të kompetencave kushtitutive”. Me termat “Kompetenca kushtitutive” çfarë do të thotë ligjbërësi?

– Nëse do ishte shkruar vetëm një herë, patjetër që do e kuptoja si lapsus, por është shkruar plot pesë herë dhe si titull kreu apo titull neni, ndaj është një terminologji e qëllimshme. Për mendimin tim një neologjizëm hibrid si kjo mes termave “kushtetuese” dhe “normative” nuk është përdorur nga padijenia e autorëve, por me qëllimin e vetëm që në pritje të debatit që do të lindte për shkak të kësaj iniciative, nëpërmjet këtij termi të justifikohen se nuk është një ligj që prek/kufizon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës, por është diçka e ndërmjetme. Ndaj, përdorimi i termave të tillë vetëm do të nxisë mosmarrëveshje dhe krizë të mëtejshme me institucionin e Presidentit të Republikës.

– Sipas Jush, ky projektligj, a është mekanizmi kushtetues që i jep zgjidhje ngërçit kushtetues midis pushteteve, siç pretendon mazhoranca?

– Që kur përkufizohet si ngërç, konflikt apo mosmarrëveshje kushtetuese është e qartë që është një situatë që nuk mund të zgjidhet me ligj, pasi ligji në vetë hierarkinë e normave renditet nën Kushtetutën e nuk mund t’i japë zgjidhje një situate të tillë. Ngërçi, konflikti apo mosmarrëveshja kushtetuese mund te zgjidhet vetëm në një mënyrë kushtetuese – me vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese.

– Përplasjet e fundit Parlament- Kryeministër- Presidencë janë pasojë e vakumit kushtetues/ligjor?

Përplasjet apo mosmarrëveshjet mes këtyre organeve nuk janë pasojë e vakumit kushtetues apo ligjor, por janë pasojë e krizës kushtetuese që ka kapur vendin që nga momenti i mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe qëllimit të mazhorancës në pushtet për të kapur të gjithë pushtetet si dhe për të penguar dhe Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese. Nuk duhet të harrojmë që mosmarrëveshja kryesore është ajo që lindi si pasojë e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe qëllimit të kësaj mazhorance që, diku politikisht nëpërmjet Kuvendit dhe diku nëpërmjet ndonjë anëtari të KED-së, të zvarrisë pafundësisht kthimin në funksionalitet të Gjykatës Kushtetuese që është dhe organi që duhet të zgjidhë këto mosmarrëveshje.

–  Me delegimin e kompetencave kushtetuese që ka deri tani Presidenti i Republikës, sikurse janë e drejta e dekretimit të datës së zgjedhjeve, që mund të vendosë tashmë edhe parlamenti, të dekretimit të ministrave, të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me të drejtën e shkarkimit të Presidentit të Republikës nga Parlamenti, a nuk është de facto marrja e këtyre kompetencave kushtetuese nga kryeministri, derisa mazhoranca e Kuvendit kontrollohet nga kryeministri?

– Një iniciativë e tillë që zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me ligj duke e konsideruar Presidentin e Republikës si thjesht një “hallkë procedurale administrative” për t’u kaluar, ipso jure dhe ipso facto sjell si pasojë edhe kufizimin e kompetencave të Presidentit të Republikës. Mbështetja e kësaj iniciative në faktin që Shqipëria është Republikë parlamentare nuk do të thotë që të kufizohen me ligj kompetencat e Presidentit të Republikës në tejkalim të kompetencave që i jep Kushtetuta. Republika parlamentare është zbatimi i Kushtetutës dhe respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve pavarësisht kompetencave të theksuara të Kuvendit, nuk mundet që me Republikë Parlamentare ta shndërrojmë Republikën në autokraci me forcën e kartonit

Çfarë tendence politike dëshmon kjo nismë e re e mazhorancës, për të bërë ndryshime kushtetuese kaq të thella, pa diskutim të gjerë nga palët e interesuara, pa opozitë parlamentare, pa Gjykatë Kushtetuese, që të gjykojë tek e fundit kushtetutshmërinë e tyre?

– Tendenca është e qartë, institucioni i Presidentit të Republikës është organi i fundit kushtetues me të cilin ka pasur, ka dhe mund të ketë mosmarrëveshje mazhoranca në pushtet, po ashtu është organ që për shkak të parashikimeve kushtetuese ka të drejtën për të emëruar tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht për këto arsye, duke u nisur dhe nga historiku i mosmarrëveshjeve për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca ka gjetur si zgjidhje këtë artificë ligjore antikushtetuese që të shembë të gjitha pengesat kushtetuese për kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe për mosmarrëveshjet e mundshme që mund të lindin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.

– Zoti Braho, sipas këndvështrimit tuaj, ky projektligj çfarë vlera pozitive dhe negative sjell?

– Ky projektligj mund të konsiderohet si hap pas në krizën kushtetuese që ka mbërthyer vendin e për rrjedhojë edhe hap pas në demokracinë shqiptare. Një projektligj i tillë vetëm do të thellojë krizën mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës, një krizë që disafishohet nëse i referohemi momentit aktual të pandemisë, por edhe faktit që Shqipëria është përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të jenë mjaft të rëndësishme edhe për procesin e integrimit të vendit. Nuk besoj se është vlerë pozitive përsëritja e të njëjtave nene të Kushtetutës me fjalë të tjera dhe me gjuhë të pakuptueshme krejtësisht jo në përputhje me teknikën legjislative, apo përcaktimi i numrit të mjekëve që duhen për të vendosur, nëse Presidenti i Republikës është në pamundësi për të ushtruar detyrën – pjesa tjetër reflekton vetëm antikushtetueshmëri.

– Faleminderit!

somario

1

Përplasjet apo mosmarrëveshjet mes këtyre organeve nuk janë pasojë e vakumit kushtetues apo ligjor, por janë pasojë e krizës kushtetuese që ka kapur vendin që nga momenti i mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe qëllimit të mazhorancës në pushtet për të kapur të gjithë pushtetet si dhe për të penguar dhe Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese

2

Mazhoranca ka gjetur si zgjidhje këtë artificë ligjore antikushtetuese, që të shembë të gjitha pengesat kushtetuese për kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe për mosmarrëveshjet e mundshme që mund të lindin në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021

3

Ky projektligj mund të konsiderohet si hap pas në krizën kushtetuese që ka mbërthyer vendin e për rrjedhojë edhe hap pas në demokracinë shqiptare

4

Kjo iniciativë ligjvënëse duket më së shumti si projektligj “Për Ilir Metën” se sa “Për Presidentin e Republikës”

5

Është krejtësisht e pamundur që mosmarrëveshjet kushtetuese që duhet t’i nënshtrohen gjykimit në Gjykatë Kushtetuese, të shmangen e të shndërrohen në ligj, qoftë ky dhe ligj që miratohet me shumicë të cilësuar