Berisha :Bojkot në Kuvend dhe protesta në shesh

478
Sigal

Kryeministri në ikje paralajmëron mosnjohje të rezultatit dhe bojkot të Kuvendit

Kryeministri në detyrë dhe ish kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar dje, mosnjohje të fitores së socialistëve në zgjedhjet e 23 qershorit, duke paralajmëruar me fjalë të tjera një bojkot të mundshëm të demokratëve. Në prononcimin e djeshëm, ai u shpreh se:“Jam këtu për t’i thënë Z.Edi Rama në mënyrën më të prerë dhe më të hapur: Mos bëj gabimin fatal për të bllokuar numërimin e votave! Sali Berisha ka njohur rezultatin siç u shpall fillimisht. Sali Berisha do të njohë çdo rezultat që del nga numërimi i ndershëm i votave. Ta dijë mirë se nuk do të gëzojë kurrë një pushtet të dalë nga falsifikimi dhe mashtrimi i votës. Ai nuk mund të jetë kurrë Kryeministër që me një thes votash të vjedhura të përfaqësojë Shqipërinë, në Shqipëri, në Evropë dhe në botë”. Më tej, Berisha tha se: “Thirrja është një dhe vetëm një, të numërohet çdo votë dhe unë absolutisht të respektoj njëlloj si atë që është pro dhe ajo që është kundër. Dhe unë e faktova këtë me qëndrimin tim dhe besoj se bëra atë që kërkonte vendi im. Por vendi im kërkon, qytetarët e mi kërkojnë që çdo fletë votimi të rinumërohet dhe asgjë të mos qëndrojë mbi krimin, drogën dhe kartelin e saj.” Duke folur prë zhvillimet e Lezhës Berisha u shpreh: “Ajo që ne pamë në 14 qendrat e Lezhës është fytyra më e shëmtuar në zgjedhjet e 23 viteve të fundit. Partia Demokratike nuk do të njohë kurrë pushtet të dalë nga vota e vjedhur”. Duke komentuar parregullsitë në proces referuar komisionerëve, lideri historik i PD-së, i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit, vlerësoi se, “mes atij që vjedh dhe atij që asiston në vjedhje më i lig është ky i fundit”.  Berisha akuzoi Ramën se ishte ai që kërkoi dikur hapjen e kutive, por tashmë sipas tij, rend pas gjykatave pasi “ka friikë që thesi i votave të vjedhura i kthehet në mullar”. Më poshtë, Sali Berisha tha: “Ndaj dhe unë kërkoj të mos provokohet Partia Demokratike. Kërkoj që mbi bazën e fakteve të gjetura të vazhdojë rinumërimi, të jetë vetë z. Rama i cili ka bërtitur shesheve të Shqipërisë, vite më radhë, hap kutitë jashtë të gjitha afateve. Unë i them të vë interesin e vendit të parin. Unë e vura, unë njoha rezultatin e zgjedhjeve të paçertifikuara nga KQZ-ja dhe mirë bëra sepse ai ishte interesi i vendit. Z. Rama mos blloko se të garantoj se nuk ke potenciale për të mbajtur pushtetin të dalë nga krimi, mashtrimi dhe droga. Kjo gjë ka ndodhur në disa zona, por nuk mund të them se ndodhi në Mirditë. Kur ju e patë se votat dolën një më një siç ishin, me një gabim njerëzor. Një gjë jam krenar, se në asnjë nga ato rrethana nuk janë vota të vjedhura nga Partia Demokratike sepse PD ka një instruksion të qartë për respektimin e votës”

Pastaj duke prekur konkretisht, temën e numëruesve, Berisha tha se: “kanë çeduar komisionerë të saj, janë blerë apo nga frika e terrori, do të hetohet nga prokuroria. Por nga ajo që del, një njeri që pretendon të jetë nesër kryeministër i vendit dhe vrapon në Gjykatë për të bllokuar numërimin e votave nga frika se si i bëhet mullar e garantoj që bën një gabim fatal për vete dhe për partinë e tij dhe në tërësi. Ne pranuam. Kjo është kultura jonë demokratike, por pastaj nëse dikush do diktat, mendon të na diktojë me pushtetin e mashtrimit dhe të votës së vjedhur ne do të përdorim të gjitha mjetet, për ti dalë zot votës së qytetarit. E vërteta është, për të mos pasur frikë, për të nxjerrë para qytetarëve të vërtetën”, përfundoi Berisha. Deklarata e djeshme e Berishës ishte tepër serioze dhe duket se ajo paralajmëron bojkot të ditëve të para të Parlamentit, për të tërhequr edhe vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.

Nard Ndoka: Transparencë dhe ndëshkim për shkaktarët, kjo do jete motoja e opozitës së re.

I pyetur në lidhej me deklaratën e Berishës, Nard Ndpka, kreu i demokristianëve u përgjigj se: Duhet të investohet për transparencën për standardet për garancitë e një procesi në të ardhmen. Nuk ka dyshime për fitoren, por ka dyshime për mënyrën e arritur, ka dyshime dhe fakte për blerje dhe shitje vote. Ka prova tashmë për komisionerë të korriptuar dhe Rama ka përgjegjësinë që të distancohet publikisht dhe të garantojë që përgjegjësit do ndëshkohen dhe që do të punojë për reformimin e Kodit Zgjedhor dhe të japë garanci për të ardhmen. PS luftoi së basku me ne, për hapjen e kutive për tre vite rresht, sot të durojë nën ankthin e fitores së deformuar tre javë transparencë për zgjedhjet. Transparencë dhe ndëshkim për shkaktarët kjo do jetë motoja e opozitës së re.

Idajet Beqiri, kryetari i PUK-ut

 Nga ana e tij, kreu i PUK, Idajet Beqiri, në lidhje em deklaratëne  Berishës, u shpreh se: “I ndodhur para kësaj humbje kaq të thellë, çka erdhi si rrjedhojë e një revolte masive popullore që ziente së brëndëshmi për 23 vjet në saj të një antishqiptarizmi të hapur dhe keqdashësie të paimagjinueshme të tij si në opozitë, ashtu dhe në qeverisje, Berisha e ndjen veten psiqikisht të rënduar sepse prej analizave më të thjeshta që bëhen në situata të tilla, i del që ai ka probleme serioze dhe hesape të mëdha për të larë me drejtësinë dhe historinë. Në situata të tilla, kur një popull i tërë të hedh tutje si lecvkë me neveri me votë plebishitare, do të thotë që për gjithkënd në këtë vend pritshmëria që Berisha të jap llogari për ngjarjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, kur në bashkëpunim me UDB e Serbisë u vranë pa faj 4 dëshmorët e demokracisë është e lartë. Kjo pritshmëri që drejtësia të vihet në vend do të vij natyrshëm edhe për përgjakjen që Berisha i bëri votës së shqiptarëve në 26 maj 1996, për krimet kundër njerëzimit që ai urdhëroi dhe kreu në marsin e 1997, ku mbetën të vrarë mbi 3000 shqiptarë, për vrasjet politike të 4 martirëve të demokracisë të 21 janarit 2011, krim të cilin direkt dhe indirekt Berisha e ka pranuar përmes një numuri deklarimesh të bëra publike etj, etj. Duke qënë se drejtësia dhe historia ka me të probleme kaq të mëdha, kaq të rënda dhe kaq serioze, tashmë që ai është katandisur si një kufomë politike e destinuar vetëm për në dhè, kërkon të lërë “litarin jashtë varrit”! Të ashtuquajturën “vjedhje të votave nga socialistët në Lezhë”, në emër të këtij “litari” Berisha e kishte përgatitur një muaj para ditës së zgjedhjeve, madje edhe me përgatitje fletësh votimi dhe kutish të gatëshme “të rregulluara në shtëpinë e një prej anëtarëve të KQZ, me përvojë familjare në këtë fushë, të cilat do të sistemoheshin në Lundër dhe do të bëhej kjo “lojë” që për fatin e mirë e zbuloi dhe e mbylli Kolegji Zgjedhor me vendimin e ligjshëm që dha dje.

Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PS, rrëzon rinumërimin e KQZ për qarkun e Lezhës

Ngjarjet e djeshme u zhvilluan në mnyrë të shpejtë dhe pak kohë, pas deklaratës së Berishës, Kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e PS-së për të rrëzuar rinumërimin e votave nga KQZ-ja, për Qarkun e Lezhës. Kolegji Zgjedhor është shprehur se, “rinumërimi për këtë qark është i paligjshëm. Pranimi i kësaj kërkese e shndërron në nul të gjithë procesin e rinumërimit për Qarkun e Lezhës, duke mos lejuar që të ndryshojnë tabelat përmbledhëse për Lezhën”. Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor hedh poshtë gjithë aktivitetin e KQZ-së, në lidhje me rinumërimin e kutive të Lezhës.

  Koli Bele: Kolegji lexoi ligjin

 Nënsekretari për çështje zgjedhore të PS-së Koli Bele, tha se : “Kolegji lexoi ligjin ashtu siç duhet ligjin”. Menjëherë pas vendimit ka komentuar për mediat ai nënvizoi se Kolegji ka lexuar ligjin drejt, duke pranuar kërkesën e PS-së. “E rëndësishme është që Kolegji, në ndryshim  nga KQZ-ja,  e lexoi ligjin ashtu siç ligjvënësi e ka shkruajtur, konstatoi që veprimtaria e KQZ në këto shqyrtime administrative, për Lezhën,  por ka efekt edhe për Shkodrën, veprimet e KQZ-së  kanë qenë haptazi në kundërshtim me ligjin. Nuk ka nevojë për stërhollime për të kuptuar se KQZ-ja e urdhëruar politikisht e ka futur këtë fazë të proçesit në një qorrsokak, të cilin Kolegji Zgjedhor e zgjidhi duke kthyer ligjshmërinë në KQZ, e cila  nuk kishte tagër ta fillonte këtë proçes dhe kjo vlen edhe për Shkodrën, pasi askush nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Përveç kësaj fillimi i shqyrtimit administrativ nga ana e KQZ-së në mënyrë të kurumit të kërkuar nga ligji me 5 anëtarë  është një veprim dukshëm dhe haptaz i kundraligjshëm. Çertifikimi i zgjedhjeve dhe proçesi në KQZ ka disa afate kohore të cilat duhen respektuar në mënyrë që votimi plebishitar i shqiptarëve për mazhorancëbn e re të finalizohet me ndarjen e mandateve dhe palët të kenë kohën për tu përgatitur për legjislaturën e re. PS-ja ka bërë një ankim në Kolegjin Zgjedhor edhe proçedurën që po ndodh në Shkodër, dhe që ka të bëjë me përfundimin e afatit 10-ditor që ligji parashikon si kohë maksimale gjatë së cilës KQZ-ja do të mund të shqyrtonte kërkesën ankimore për Shkodrën. Pra kërkesa ankimore e Partisë Republikane është regjistruar në datën 10 Korrik dhe afati ka dy ditë që ka mbaruar”.

 Oert Bylykbashi: Vendimi minon procesin

 Ndërsa eksperti  i PD-së për çështjet zgjedhore Oert Bylykbashi, tha se: “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor,  hedh një hije të rëndë mbi këtë proces”. Sipas Bylykbashit vendimi i djeshëm i kolegjit minon procesin ankimor dhe iu heq të drejtën edhe partive të tjera për të ankimuar. Ai shtoi se në Lezhë u faktua që PS-ja ka vjedhur votat dhe se PD-ja po përgatit një kërkesë të re ankimore. “Vendimi shkakton handikap të madh. Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PS-së për Lezhën, por ky vendim minon procesin e ankimimit, pasi i heq të drejtën partive të mëdha dhe të vogla të kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre në KQZ. Anullon mundësitë e çdo palë, ankimore që në kushtet e një bojkoti politik nga minoranca bën të jetë e pamundur që të bëjë një kërkesë dhe ajo të marrë zgjidhje nga KQZ-ja. Lidhur me këtë duhet të reagojnë legjislatorët dhe t’i jepet zgjidhje këtij handikapi”, tha Bylykbashi. Sipas tij, është parë një vjedhje e madhe dhe e hapur e bërë nga Partia Socialiste. Ai paralajmëroi se nuk do të përfundojë këtu, pasi PD-ja do të dorëzojë një kërkesë ankimore në Kolegj. “Në sytë e të gjtihë shqiptarëve është një vjedhje e hapur nga PS-ja me 1200 vota, PD-së i është vledhur një mandat. Ky vendim ka anulluar një kapitull të tërë të Kodit Zgjedhor. Po ky Kolegj Zgjedhor do të duhet të shqyrtojë çfarë është bërë sot. Ne të gjithë e dimë, ujku ishte aty, dhe është e kotë të kërohen gjurmë të tjera.Askush nuk mund të errësojë atë vjedhje që doli në dritë të diellit”, u shpreh Bylykbashi.Lidhur me qarkun e Shkodrës, Bylykbashi tha se ajo është një çështje tjetër, për të cilën do të ketë një shqyrtim tjetër.

Genc  Gjoncaj: KQZ duhet të ndalë rinumërimin për Shkodrën

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonccaj komenton vendimin më të fundit të Kolegjit Zgjedhor për të shpallur të pavlefshëm rinumërimin e KQZ-së për qarkun Lezhë. Sipas tij, vendimi është i drejtë dhe duhet të zbatohet edhe nga KQZ, e cila sipas Gjonccaj duhet të ndërpresë tashmë rinumërimin për Qarkun e Shkodrës.“Vendimi i Kolegjit ishte një vendim i drejtë, vërtetoi kërkesat tona të ligjshme. Prej 5 ditësh KQZ-ja vazhdon të mos dëgjojë, shpresojmë që të lexojë këtë vendim dhe të ndalojë rinumërimin. Kolegji i ka gjetur të pavlefshme procedurat e ndërmarra nga KQZ-ja. Çështja e Shkodrës në mënyrë të habitshme u fut me të njëjtën procedurë si Lezha, nëse bie vendimmarrja për Lezhën është e kuptueshme që s’mund të vazhdohet edhe me Shkodrën”, tha ai. Gjonccaj komentoi më tej se PS-ja pret që t’i hapet rrugë kërkesës së saj për ta quajtur të pavlefshëm votimin për qarkun e Lezhës, ndërsa la të hapur mundësinë për një rivotim në këtë qark, nëse kërkesa e tyre merret parasysh. “Kemi bindjen se në këtë qark zgjedhjet janë prekur. Ajo që presin është që KQZ-ja të hapë rrugën e mëtejshme, të na sigurojë provat e kërkuara nga ne nga Ministria e Brensdshme dhe sistemi TIMS, e pse jo të ketë rivotim”, tha ai. Kërkesën për tu ndalur rinumërimi për qarkun Shkodër Gjonccaj e bëri me dije edhe gjatë mbledhjes së KQZ-së, por kryetarja Lefterie Lleshi bëri me dije se Kolegji ka vendosur për Lezhën dhe jo për Shkodrën.

Zguri: Do zbatojmë vendimin e Kolegjit Zgjedhor edhe nëse bie ndesh me KQZ-në

Anëtari i KQZ-së, Klement Zguri  vlerësoi se KQZ-ja do të kishte besueshmëri më të madhe po të ishte e plotë, por përbërja e saj nuk ishte në dorë të institucionit.  Nëse Kolegji Zgjedhor do kthente vendimet e marra nga KQZ-ja, Zguri u shpreh se institucioni kryesor i administrimit të votave do të zbatonte dhe mirëpriste vendimin. Ne, në mënyrë institucionale dhe ligjore do respektojmë vendimin, është ai që vendos për përfundimin e zgjedhjeve. “Dhe ne KQZ kemi pasur debate dhe diskutime për kompetencë e KQZ-së. KQZ-ja nëse do kishte refuzuar një ndërhyrje të tillë do kishin djegur një moment që ka të bëjnë me animimin administrativ. Mirëpresim vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe jemi të gatshëm për ta zbatuar”, tha Zguri.

 Dëshira Subashi: KQZ nuk ka kourumin

Nga ana tjetër të pyetur nga “Telegraf”, Dëshira Subashi dhe Kristaq Kume, thanë të njëjtën gjë në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, por ata bënë interpretime të ndryshme. Kështu Dëshira Subashi, tha se: KQZ-ja nuk mund të fillojë të shqyrtojë ankimimet, pa pasurr kourumin e nevojshëm prej 5 anëtarësh”. Kështu sipas saj, “një mbledhje e cila në bazë të ligjit nuk mund të fillojë pa kourumin e nevojshëm, ajo nuk mund të prodhojë vendime për veprime të mëtejshme”. Ndërsa në lidhje me fajtorët nga radhët e numëruesve, të cilët kanë vënë dorë duke ndryshuar mbi procesverbalet, duhet të fillojë ndjekja penale. Sipas saj, kjo bëhet nga KQZ-ja dhe dërgohet në prokurori”.

 Kristaq Kume: Fajtorët të arrestohen

Ndërsa ish kreu i KQZ-së, që ka përfaqësuar Partinë Demokratike, Krustaq Kume, tha se: KQZ-ja nuk ka fuqi të japë asnjë mandat dhe nuk ka mundësi të japë asnjë vendim për rinumërimin e kutive, pa pasur kourumin prej pesë anëtarësh”. Ai shtoi se “KQZ-ja nuk ushtron të drejtë për të marrë vendime të tilla, sepse ato konsiderohen të paligjshme”. Me këtë rast, Kume pranoi se vendimi i Kolegjit është i mbështetur në ligj. Ndërsa për pikën tjetër, atë të manipulimit të votës, Kume tha se, “KQZ duhet të bëjë padinë dhe fajtorët duhet të arrestohen”.

 Neglizhencë e Ministrisë së Brendëshme për listën e zgjedhësve

Ministria e Brendshme neglizhon hetimin e 6 listave të QV-ve të Lezhës”

Ministria e Brendshme neglizhon hetimin e listave të zgjedhësve në gjashtë qendra votimi. “Ende nuk kemi asnjë lloj përgjigjeje nga Ministria e Brendshme për kërkesën e bërë nga Partia Socialiste për listat e votuesve në 6 qendra votimi në Qarkun e Lezhës”, u shpreh kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi. Ndërkaq, Genc Gjonçaj, përfaqësues i Partisë Socialiste në KQZ, deklaroi se është e papranueshme që 6 lista zgjedhësish të mos verifikohen dhe të vonohen kaq shumë. “I takon Ministrisë së Brendshme ta sigurojë këtë informacion dhe kjo çështje nuk mund të lihet në sjellje dëshirore të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, apo Ministrit të Brendshëm. Kjo çështje duhet t’i nënshtrohet disa afateve të përcaktuara nga ju. Ju duhet t’i kërkoni në mënyrë urgjente paraqitjen e rezultatit të analizës së këtyre listave”, u shpreh Gjonçaj.

Hetimi për numëruesit

Të gjithë po flasin për anën ligjore të vendimit të KQZ-së, por askush nuk po merret me fajtorët e manipulimit të votës. Megjithëse në bazë të ligjit ata që vënë dorë mbi votat e kutive dënohen deri në tetë vjet burg, përsëri askush deri tani nuk ka çuar në prokurori ndonjë denoncim për ata që kanë firmosur procesverbalet e zgjedhjeve të në qarkun e Lezhës. Kjo indiferencë e strukturave përkatëse do të krijojë një precedent të rrezikshëm për të gjitha zgjedhjet e ardhshme. Nëse nuk prangosen dhe nëse nuk dalin para gjyqit ata që vunë dorë mbi votat e 23 qershorit, atëherë e njëjta pamje parodike do të përsëritet edhe në të ardhmen. Prandaj, KQZ-ja, pa vonesë duhet të përgatisë denoncimin përkatës për fajtorët dhe menjëherë gjykata duhet të ndëshkojë manipulatorët në bazë të ligjit.

Goxhaj: Të ndëshkohen fajtorët

I të njëjtit mendim është edhe kreu i drejtori i ZMK-së, Altin Goxhaj i cili u shpreh se fajtortë duhet të ndëshkohen. Sipas tij, “Të gjithë po merren me rezultatin por ende askush nga klasa politike s’po merret me komisionerët që kryen krimin penal të prekjes së votës!!! Kam ditë që po them që ky është gabimi! Merruni me identifikimin kryesor të problemit: Ndëshkimin e atyre që prekën votat. Nëse ata nuk ndëshkohen me burg 8 vjet, sa 2 mandate qeverisëse s’do ketë zgjedhje as në 2015, as në 2017, as në 2019 dhe as në 2021!!! Veç nëse çdo komisioner do ta di se ku i ka “shokët” në Shqipëri s’do guxojë kush të vjedhë”, u shpreh Goxhaj!!