BE shqyrton rikthimin e vizave: “Dëbohet kush kërkon azil!”

570
Sigal

Komisionarja për Çështje të Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom, brenda 10 ditësh do të vizitojë Tiranën

Ministrat e Brendshëm të disa vendeve të Bashkimit Evropian u takuan dje në Luksemburg, për të diskutuar mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave për disa vende të Ballkanit. Ministrat e BE-së kanë argumentuar se pezullimi i përkohshëm i vizave është i nevojshëm, për të frenuar kërkesat e pabaza për azil. Komisionarja për Çështje të Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom, deklaroi se, keqpërdorimi i sistemi të azilit “është rritur në mënyrë të konsiderueshme” që kur Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë u është dhënë e drejta e udhëtimit pa viza në zonën e Schengenit. Në konferencën për shtyp, që u zhvillua pas takimit, Malmstrom bëri të ditur se brenda 10 ditësh do të vizitojë Tiranën, ku do të zhvillohet një takim ndërministror për të diskutuar rreth masave për parandalimin e azilkërkuesve. “Shumë vende të BE-së janë të shqetësuar. Ky proces është shumë i rëndësishëm për të rritur kontaktet mes njerëzve. Është një proces që duam ta zgjerojmë dhe ta vazhdojmë. Numri i azilkërkuesve është rritur me 75% që nga viti i kaluar. Do ta diskutojmë këtë në Tiranë, në nëntor. Do tu kërkojmë vendeve të Ballkanit perëndimor që të bashkëpunojnë me ne përveç përmirësimit të rregullave të brendshme.”- deklaroi Malmstrom. Ministrja e Brendshme e Qipros, që mban presidencën e radhës të BE-së, i bëri apel vendeve të Ballkanit që të marrin masa për abuzimet me vizat, pasi shifrat e azilkërkuesve janë shqetësuese. Ministrat e BE-së thonë se shumica e azil-kërkuesve nxiten nga motivet ekonomike. Sipas ministrit suedez për Emigracionin, rreth 15 mijë kërkesa për azil politik janë të pabaza, ndërsa vendi më problematik është Serbia.

Raporti

Megjithëse ishte përgatitur që në muajin gusht nga Komisioni, të alarmuar së fundmi nga rritja e numrit të azilkërkuesve, ministrat e brendshëm të BE-së diskutuan në Luksemburg raportin e tretë monitorues pas liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit. Mekanizmi që ndjek respektimin e regjimit pa viza nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit përfshin të dhëna të detajuara mbi azilkërkuesit dhe nxjerr në pah shkaqet kryesore të fenomenit që rrezikon kthimin e regjimit të vizave. Sipas raportit, destinacionet e preferuara mbeten Belgjika, Gjermania, Luksemburgu, Suedia dhe Zvicra. Raporti i sistemit të alarmit “FRONTEX” tregon se numri total i azilkërkuesve nga rajoni ka shënuar rënie në krahasim me raportin paraardhës, për periudhën janar-prill 2012, ndërkohë që një rritje e lehtë u shënua në muajin maj. Rënia ka ardhur kryesisht për shkak të uljes së konsiderueshme të numrit të azilkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia, të cilat mbeten ende dy kombësitë më të larta të azilkërkuesve. Rritja e papritur në muajin maj vjen për shkak të rritjes së rëndësishme, e cila u pasua nga një rënie e rëndësishme, e aplikimeve nga qytetarë shqiptarë, të nxitur nga thashethemet dhe informacionet e gabuara. Në pjesën e raportimit se si i ka zbatuar Shqipëria detyrimet e procesit të liberalizimit të vizave, përfundimet janë të njëjta me ato të raport-progresit në fushat e krimit, korrupsionit apo trafiqeve. Mangësi shënohen edhe në fushat e emigracionit dhe azilit. “Në fushën e emigracionit është arritur një farë progresi. Marrëveshja e rikthimit vijon të zbatohet pa pengesa. Nga nëntori 2011 deri në mars 2012 u shënuan 2 407 raste kthimi. Duhen përforcuar institucionet e ngarkuara me zbatimin e strategjisë dhe planit të veprimit për emigrantët e kthyer. Miratimi i një Strategjie të re Kombëtare për Emigracionin mbetet pezull”, citohej në raport. Përsa i përket azilkërkuesve, shkruhej: “Në fushën e azilit, kuadri ligjor dhe institucional është në vend. Deri në maj të vitit 2012, vendi numëron 82 refugjatë dhe 24 azilkërkues. Gjithsesi, përgatitja në këtë fushë duhet rritur. Asnjë dokument identifikimi nuk i ofrohet ende refugjatëve apo personave me mbrojtje shtesë. Regjimi shqiptar i vizave nuk përputhet ende plotësisht me kërkesat e BE-së”. Sipas raportit të Komisionit, shkaqet kryesore që shtyjnë njerëzit të braktisin vendet e tyre për të kërkuar azil janë ekonomike. “Arsyet më të përsëritura gjatë kërkesave për azil vijojnë të jenë mungesa e kujdesit shëndetësor, papunësia dhe mungesa e shkollimit. Përveç kësaj, një numër në rritje i azilkërkuesve janë nxitur të braktisin vendet e origjinës në bazë të thashethemeve dhe informacioneve të gabuara për marrjen e azilit për arsye ekonomike”, shkruhej në raport. Sipas të njëjtit raport shumica e azilkërkuesve janë nga komuniteti rom, një minoritet ky i cili në të gjitha vendet e rajonit vuan përjashtimin social dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës. Komisioni raporton ndaj vendeve anëtare dhe Parlamentit për këtë proces çdo gjashtë muaj.