Është cenuar rendi kushtetues, Prokuroria të lëvizë

485
Sigal

Presidenti Meta pret një përfaqësi të banorëve të “Unazës së Re”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti dje me kërkesë të tyre një përfaqësi të banorëve të “Unazës së Re”, banesat dhe pronat e të cilëve preken nga projekti i segmentit rrugor “Mbikalimi i pallatit me shigjeta-Rrethrrotullimi i sheshit ‘Shqiponja’”. Gjatë kësaj dëgjese me qytetarët, Presidenti Meta u informua në detaje, në lidhje me të gjitha shqetësimet dhe problematikat e këtij komuniteti që ende nuk janë zgjidhur nga institucionet përkatëse. Presidenti Meta theksoi se e ka ndjekur me shumë shqetësim dhe vëmendje maksimale situatën, si dhe ka kërkuar prej kohësh me insistim informacion zyrtar shterues nga të gjitha instancat shtetërore përgjegjëse për këtë çështje. Presidenti Meta u garantoi banorëve të “Unazës së Re” se së shpejti do të mbajë një qëndrim të qartë zyrtar, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë në përputhje me kornizën kushtetuese e ligjore, si dhe në interesin më të mirë publik e qytetar.

Mosdhënia e informacionit të kërkuar nga Kreu i Shtetit është jashtë çdo logjike

Presidenti i Republikës, e ka ndjekur me vëmendje dhe shumë shqetësim situatën konfliktuale të krijuar midis banorëve dhe autoriteteve publike përgjegjëse, për shkak të realizimit të projektit të zgjerimit të segmentit rrugor “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”.

ARGUMENTET E PRESIDENTIT

– Presidenti i Republikës, vlerëson se kjo sjellje e institucioneve publike për mosdhënien e informacionit të kërkuar nga Kreu i Shtetit është jashtë çdo logjike normale të funksionimit të institucioneve shtetërore në një vend demokratik.

– Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë kryer një shkelje të rëndë të nenit 92/h të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi që përcakton kushtet e së drejtës së informimit, pasi kanë shmangur zbatimin dhe detyrimin kushtetues dhe ligjor me mosdhënien e informacionit ndaj Presidentit të Republikës.

– Mosdhënia e informacionit ndaj Presidentit të Republikës, i cili është kërkuar në mënyrë të përsëritur prej Tij, forcon bindjen se, këtij projekti i ka munguar qëllimisht transparenca në çdo hallkë të procesit në kundërshtim me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Shqipërisë.

– Presidenti i Republikës, inkurajon Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë që të kryejë një hetim të gjithanshëm mbi këtë çështje në të gjitha dimensionet e saj, pasi shkeljet në realizimin e këtij projekti janë të rënda, evidente dhe në kundërshtim me gjithë rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Reagimi i kryeministrit Rama: Drejtuesi më serioz i opozitës, qeverinë e urren njësoj si ata

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimit të Presidentit Meta dhe publikimit prej tij të argumenteve për shkeljet e konstatuara në projektin e “Unazës së Re” me një mesazh në Twitter: Kryeministri Rama në Twitter: E vërteta është se IM (Ilir Meta) është drejtuesi më serioz i opozitës. Kushtetutën e lexon njësoj si ata. Qeverinë e urren njësoj si ata. Rrëmujën e uron njësoj si ata. Po ndryshe nga ata, ai i ul vartësit të mbushin çarçafë me dokrra “ligjore” dhe budallallëkut i del për zot pa pikën e gajles.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi: 100 për qind e qytetarëve e neveritin KORRUPSIONIN e pacipë dhe KRIMINAL të Unazës së Re!

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i është përgjigjur kryeministri Edi Rama, pas reagimit të këtij të fundit për “Unazën e Re”. Reagimi i Blushi: 100 për qind e qytetarëve e neveritin KORRUPSIONIN e pacipë dhe KRIMINAL të Unazës së Re! Në procedurën e tenderimit:

-Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” – Loti 1 .

-Vlera e fondit limit të tenderit të shpallur nga ARRSH për Lotin 1 ka qenë = 2 246 450 297 Lekë OSE 18 116 534 EURO.

-Vlera e kontratës së lidhur me kompaninë fiktive “DH Albania” = 2 246 450 000 Lekë ose 18 116 532 EURO.

-Sigurimi i Kontratës prej 10 % te vlerës së kontratës në shumën = 224 645 000 lekë të reja OSE 1 811 653 EURO.

Sipas “dokrrave ligjore” që kanë përgatitur vartësit e tij, lindin disa pyetje për Kryeministrin:

-A ka kërkuar sipas rregullave të prokurimit publik qeveria dhe ARRSH konfiskimin e kësaj vlere (sigurimin e kontratës) për llogari të Shtetit Shqiptar, pasi u faktua se kontratën e kishin lidhur me një kompani fantazmë?

-A ka mundur shteti të garantojë interesin publik në këtë rast, duke konfiskuar sigurimin e kontratës, apo edhe ky dokument (sigurimi i kontratës) ka qenë i falsifikuar?!

Këto dhe shumë detyra të tjera, ligji ia ngarkon Kryeministrit dhe vartësve të tij që t’i bëjnë. “Shtëpia me tjegulla dhe shteti me rregulla”, thotë populli ynë.

Banorët e “Unazës së Re” mbrëmë në protestë: E duam Shqipërinë pa Edi Ramën!

Banorët e “Unazës së Re” kanë dalë sërish në protestë mbrëmjen e djeshme, ku kanë kërkuar anulimin e projektit korruptim. Nën thirrjet “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën! Të shporrim këtë të papërgjegjshëm”, protestuesit kanë kërkuar që përgjegjësit e këtij projekti korruptim të shkojnë para drejtësisë. Protestuesit janë të vendosur që të mbrojnë shtëpitë e tyre edhe me jetën e tyre, në qoftë se qeveria nuk u dëmshpërblen 100 për 100 për prishjen e shtëpive të tyre.