BE e bëri të qartë: Nëse nuk e meritojmë, nuk do të pranohemi, strategjia e KE dhe pengesat drejt Evropës

773
“BE e bëri të qartë: Nëse nuk e meritojmë, nuk do të pranohemi”
Intervista/ Prof. As. Dr. Edmond Hoxha, ish-zëvendësministër i Integrimit Evropian, analizon Strategjinë e KE për Shqipërinë
Edmond Hoxha, ish-zëvendësministër i Integrimit Evropian, në një intervistë për “Telegraf” analizon Strategjinë e Komisionit Evropian për Shqipërinë, si dhe shanset e vendit tonë për të qenë anëtar i BE-së.

Si e vlerësoni Strategjinë e publikuar nga KE, specifikisht për Shqipërinë? 
“Së pari, më lejoni të kujtoj dhe informoj publikun se Strategjia e fundit për Rajonin e Ballkanit është miratuar në Selanik në vitin 2003. Qysh atëherë, pra pas 15 vjetësh situata në Rajon dhe në Evropë ka ndryshuar dhe ky fakt dikton rishikimin e Strategjisë ekzistuese dhe hartimin e një të reje. Të rejat apo ndryshimet, nëse mund të quhen, që sjell kjo Strategji janë disa: Fillimisht ky dokument rivlerëson dhe njeh rolin pozitiv të Rajonit në përputhje me kushtet e reja, sidomos pas krizës së fundit të refugjatëve, gjë që përbën një ri-ndërgjegjësim për vetë BE-në, për domosdoshmërinë e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE; përcakton disa drejtime të rëndësishme për të ardhmen; si dhe është i shoqëruar me një Plan Veprimi 2-vjeçar konkret për periudhën 2018-2019. Padyshim që në situatën aktuale, kjo Strategji përbën një lajm dhe hap pozitiv përpara. Përgjithësisht ajo rikonfirmon edhe njëherë gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të përfshirë Ballkanin në gjirin e Evropës; Ka më shumë ndërgjegjësim për faktin absurd se Ballkani Perëndimor është gjeografikisht një pjesë e Evropës, e rrethuar nga anëtarë të BE-së, ka një trashëgimi dhe histori të përbashkët, por në mënyrë absurde nuk është pjesë e Komunitetit Evropian. Nga ana tjetër ri-bën edhe njëherë një apel të qartë duke ritheksuar se ky (BE) është një sistem i bazuar në meritë, dhe se këto vende do të pranohen vetëm mbasi ata të jenë të përgatitur në përputhje me Standardet Evropiane. Ky apel duket qartë qysh në fillim të këtij dokumenti, ku Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker thotë: “Nëse duam më shumë stabilitet në rajonin tonë, atëherë duhet të mbajmë një qëndrim të besueshëm lidhur me perspektivën e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Është e qartë se nuk do të ketë më zgjerim gjatë mandatit të këtij Komisioni dhe këtij Parlamenti. Asnjë kandidat nuk është gati. Por sigurisht Bashkimi Evropian do të jetë më i madh se 27 në numër. Kandidatët duhet të kenë prioritet sigurimin e sundimit të ligjit, të drejtësisë dhe të të drejtave themelore që do jenë prioritet në negociata”. Më tej në dokument thuhet qartë se “perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Meritë është në interes të politikës, sigurisë dhe ekonomisë së Bashkimit Evropian. Ky është një investim gjeostrategjik për të ndërtuar një Evropë të Bashkuar të qëndrueshme, të fortë dhe me vlera të përbashkëta”. Pra edhe njëherë na bëhet e qartë se nëse nuk e meritojmë nuk do të pranohemi.

Lidhur me Planin e Veprimit do të thosha, se është pozitiv dhe i veçantë, fakti që Bashkimi Evropian i vendos edhe vetes një afat të qartë të realizimit të këtij procesi. Ai ka vendosur vitin 2025 si afat për fillimin e zgjerimit, duke e përcaktuar këtë zgjerim si “….investim në Sigurinë e BE-së, për të rritur fuqinë ekonomike, influencën e tij, si dhe aftësinë e tij për të mbrojtur qytetarët e tij”. Kjo do të thotë së pari se deri në 2025, asnjë vend i Ballkanit nuk do të mund të anëtarësohet. Së dyti, po të shikohet me kujdes theksohen çështje të sigurisë dhe influencës dhe unë besoj se kjo ka lidhje me ekspansionin rus dhe kinez në Evropë. Pra në njëfarë mënyre duket “një sforcim” i detyruar i BE-së për zgjerim. Megjithatë përsëri BE bën të qartë se përpara se të zgjerohet, pra të pranohen anëtarë të rinj BE-ja, duhet të forcohet: “Megjithatë Unioni ynë duhet të jetë më i fortë dhe më solid, përpara se të jetë më i madh”. Përveç Planit të Veprimit, Strategjia përcakton edhe 6 Iniciativa kryesore të rëndësishme, ku do të përqendrohet mbështetja e BE-së për të transformuar Ballkanin Perëndimor ,si dhe puna e vetë Vendeve Kandidate. Këto Iniciativa (Flag Intiatives) janë: (1) Zbatimi i Ligjit; (2) Rritja e angazhimit për Sigurinë dhe Emigracionin; (3) Rritja e mbështetjes për zhvillimin social-ekonomik; (4) Përmirësimi i Sistemit të transportit dhe shpërndarjes së energjisë; (5) Agjenda digjitale; (6) Mbështetja e procesit të Pajtimit dhe Marrëdhënieve të mira me fqinjët.

Nëse analizojmë çfarë ofron konkretisht për vendet e Rajonit kjo Strategji do të shikojmë që: Serbia dhe Mali i Zi kanë një afat të qartë, duke përcaktuar vitin 2025 si datë të anëtarësimit. Sigurisht edhe në këtë rast kërkohen reforma dhe zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjeve me fqinjët. Por gjithashtu BE-ja paralajmëron që kjo datë është “një perspektivë ekstremisht ambicioze. Vendet e Ballkanit Perëndimor tani kanë një dritare historike të mundësisë për të vendosur në mënyrë të vendosur dhe pa dyshim që të lidhin të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian. Ata do të duhet të veprojnë me vendosmëri”. Fjalia e fundit besoj se është një thirrje e hapur për Serbinë, duke parë “lojën” e saj të dyfishtë me Rusinë dhe Kinën”.

Më konkretisht për Shqipërinë…
“Lidhur me atë që na intereson ne, Komisioni është shprehur me rezerva dhe me terma të përgjithshëm. Në Strategji thuhet se “Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të përmbushjes së kushteve”. E thënë shqip, kjo Deklaratë përkthehet: Shqipëria nuk është akoma gati. Kjo do të thotë që ne kemi akoma probleme serioze, Bashkimi Evropian po na monitoron dhe nuk ka një konkluzion përfundimtar për Shqipërinë. Për më tepër shumica e çështjeve problematike të Shqipërisë janë të përfshira në Planin e Veprimit 2018-2020, gjë që më bën të besoj se do jetë e vështirë që të hapen Negociatat me Shqipërinë, edhe pse teorikisht nuk është e pamundur, që të jepet një bonus motivues. Grupi i fundit Bosnja dhe Kosova janë më mbrapa në agjendën e Integrimit dhe kanë akoma më shumë punë për të bërë. Së fundi kjo Strategji jep një perspektivë të përbashkët, të qartë dhe konkrete për integrimin në Bashkimin Evropian. Secili vend ka specifikat e veta por drejtimi është i njëjtë: Integrimi në BE. Kjo Strategji të le të kuptosh se vendet e Ballkanit Perëndimor ose do të kenë sukses së bashku, ose do të dështojnë së bashku”. 

Shpeshherë shqiptarët janë “bombarduar” me afate dhe strategji. Çfarë duhet të kuptojnë shqiptarët nga një Strategji e tillë? 
“Në përgjigje të pyetjes tuaj, mendoj se jo vetëm shqiptarët, por gjithë Rajoni është ‘bombarduar’ me afate dhe strategji dhe kjo është një gjë e zakonshme në politikë, si atë evropiane, ashtu edhe rajonale. Megjithatë besoj se kjo Strategji ka shumë arsye që të jetë më e besueshme për publikun. Kjo ka të bëjë, përveçse me dëshirën e BE-së për t’u zgjeruar, edhe me shumë faktorë ndërkombëtarë të politikës globale si; ekspansioni rus dhe kinez; terrorizmi ndërkombëtar; nevoja për siguri më të lartë të vetë Evropës; rënia ekonomike dhe zvogëlimi i tregjeve; rënia e influencës ndërkombëtare të vetë Evropës për shkak të problemeve të brendshme; ndryshimet politike vetë brenda Evropës, etj. Pra në fund të fundit, ashtu si BE-ja kërkon që vende të veçanta të Ballkanit Perëndimor, ta ndajnë mendjen dhe të vendosin,me vendosmëri, nëse duan të jenë në BE, apo jo, e njëjta vendimmarrje vlen edhe për BE-në, nëse e do Ballkanin Perëndimor në gjirin e vet apo jo. Marrë në konsideratë këta faktorë dhe të tjerë mendoj se Bashkimi Evropian është më serioz në këtë Strategji. Lidhur me afatet e përcaktuara, ashtu si thotë edhe vetë Bashkimi Evropian kjo agjendë është ekstremisht ambicioze, dhe çdo gjë do të varet nga progresi i vetë vendeve të Rajonit. Ajo që duhet të kuptojnë shqiptarët, në mënyrë specifike, nga kjo Strategji është fakti, që Bashkimi Evropian po përpiqet që të përshpejtojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por fundi i kësaj rruge dhe shpejtësia me të cilën do shkohet atje është në dorën e Shqipërisë. Këtu e kam fjalën për politikën shqiptare, e cila duhet përfundimisht të veprojë ashtu siç thotë Bashkimi Evropian “me vendosmëri”, duke e ndarë mendjen që do të shkojnë në Evropë, duke pranuar edhe sakrificat që kërkon ky proces, apo do të vazhdojë të qëndrojë në tranzicion. Kam parasysh këtu faktin që tranzicioni ynë ka filluar qysh në vitin 1991 dhe deri tani kanë kaluar 27 vjet, periudhë kjo ekstremisht e gjatë.

Shqiptarët duhet të kuptojnë gjithashtu se ky proces do të jetë i gjatë dhe përveç përfitimeve ka edhe detyrime reciproke. Mos të kujtojmë se thjesht hyrja në BE do të na përmirësojë çdo gjë, pa punuar dhe u zhvilluar vetë. Sigurisht që anëtarësimi në BE na jep shumë mbështetje, por përsëri do jetë puna jonë ajo që do na çojë atje ku dëshirojmë. Ne vërtet, ashtu si edhe deri tani, do të përfitojmë nga zhvillimi i 6 Iniciativave te reja kryesore, në projekte, investime, arsimim, komunikim, lëvizje të lirë, por do të duhet gjithashtu që të punojmë fort për të plotësuar ato standarde që kërkon Bashkimi Evropian si në fushën e demokracisë, zbatimit të ligjit, por edhe detyrimet tona ekonomike”. 

Cila është pengesa kryesore e afrimit me BE? 
“Për mendimin tim, Shqipëria mund t’i kishte hapur negociatat përpara Serbisë. Sepse është e pakuptueshme që një vend që vetëm luftëra ka shkaktuar në Ballkan, të jetë përpara Shqipërisë, e cila vetëm paqe dhe stabilitet ka prodhuar. Megjithatë tani jemi këtu ku jemi dhe në rastin e Shqipërisë, vonesa në procesin e integrimit ka ardhur për arsye dhe pengesa të ndryshme. Ato kanë qenë të karakterit faktor i brendshëm dhe i jashtëm. Por edhe pse në disa raste faktori i jashtëm, apo veprimi i vetë BE-së me dy standarde ka qenë i rëndësishëm, pengesa dhe shkaku i vetëm dhe kryesor i vonesave ka qenë dhe është faktori i brendshëm, politika shqiptare dhe mungesa e Konsensusit Kombëtar për ta vënë integrimin në BE sipër interesave partiake. Mungesa e këtij konsensusi ka sjellë: vonesa në zbatimin e reformave të kërkuara, në veçanti ajo e Drejtësisë; mungesën e zbatimit të ligjit në përgjithësi; nivelin e lartë të korrupsionit; rritjen e krimit; problemet e kultivimit të drogës; çimentimin e kulturës së mosndëshkueshmërisë; zvarritjen pa fund të çështjeve të pronësisë; politizimin në ekstrem të administratës publike etj, etj, etj pa fund”. 

Nëse duhet bërë një parashikim, kur mund të hyjë Shqipëria në BE?
“Raporti specifik për Shqipërinë do të botohet në muajin Prill dhe vetëm atëherë mund të kemi një pamje më të qartë të rrugës që do të ndjekë Shqipëria, por gjithsesi duke marrë në konsideratë situatën aktuale ne Evropë; procedurat që ndiqen në këto procese; shpejtësinë e realizimit të reformave në Shqipëri dhe faktorë të tjerë, është e vështirë që të bëhet një parashikim i saktë, por mund të them se: sikur ne të jemi aq fatlumë dhe negociatat të hapen këtë vit, pra 2018, thjesht për procedura të negocimit me të gjitha vendet anëtare, ratifikimit me parlamentet e çdo vendi anëtar dhe në fund miratimi përfundimtar, Shqipërisë do t’i duhen edhe 8-10 vjet të tjera. Do të uroja që ky proces të ishte më i shpejtë, por praktikisht besoj që është e vështirë. Sigurisht Bashkimi Evropian do të ketë ndryshuar mbas 10 vjetësh dhe ata mund të marrin një vendim për të pranuar Rajonin në Bllok dhe kjo do të ishte skenar tjetër, por në kushtet e sotme mendoj se Shqipëria do të jetë vend Anëtar i Bashkimit Evropian afërsisht në vitin 2028. Kjo është e vërteta, sado e pakëndshme që të na duket neve! Kështu që është në dobinë tonë që të mësohemi dhe të pranojmë këtë realitet dhe t’i shtrohemi punës për zbatimin urgjent të reformave të përcaktuara qartë nga Bashkimi Evropian”.
Sigal