Basha: Rama-Meta rritën taksat për qytetarët dhe morën 700 mln $ borxh

43
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me të rinjtë në qytetin e Lushnjës. Zoti Basha ka denoncuar rritjen e borxhit publik nga qeveria e cila sot ka hapur një gropë të madhe prej 700 milionë dollarësh të cilat i ka marrë borxh. Sot halleve dhe problemeve të qytetarëve të cilët nuk kanë punë dhe duhet të paguajnë fatura më të larta të energjisë dhe karburantit i shtohen dhe 240 mije lekë që duhet të paguajnë nga borxhi që ka marrë qeveria.
“I rritën taksat që të vjelin e të mjelin popullin por jo t’ua kthejnë ju, as me shërbime as me punësime, as me investime, as me larje borxhi. E pyesim ku janë vendet e punës që premtove, ai thotë po mbyll një gropë të madhe; e pyesim pse janë rritur çmimet, po mbyll një gropë të madhe, përgjigjet; pse e ke rritur çmimin e energjisë, pse i ke rritur faturat abuzive, po mbyll një gropë të madhe. Cila është kjo gropë? Është gropa e borxhit sipas tij por Edi Rama ka marrë 700 milionë dollarë më shumë borxh se qeveria paraardhëse dhe s’ka larë asnjë lek borxh qe i bie 240 mije leke të vjetra për frymë shqiptari nga foshnja tek më plaku”, u shpreh Basha.
Nuk mund të ketë prioritet më të madh për një parti politike dhe për liderët e saj se sa hallet dhe problemet e qytetarëve, tha zoti Basha. Çfarë mund të ketë më prioritet se alternativat e zgjidhjes së krizës ekonomike ku e ka zhytur Rama – Meta vendin, ofrimin e shanseve për punësim në mënyrë që qytetarët të sigurojnë bukën e fëmijëve të tyre, theksoi kryetari i PD Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë e Lushnjës.
“Sulmet ndaj opozitës, sulmet ndaj meje çfarë tregojnë? Se nuk kanë ofertë, nuk kanë zgjidhje për ju. Sot ju them se për ne, prioriteti numër 1 është punësimi, lufta kundër varfërisë, lufta për paga të larta, pensione të lart, për punë dhe dinjitet, asnjë prioritet tjetër nuk kemi mbi këto.Në 21 qershor, këta nuk i kanë kartonat, kartonat i ka populli dhe me kartonat e popullit ne do ta ulim 25% çmimin e energjisë dhe do falim kamatë-vonesat për të gjithë shqiptarët. Ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin me taksën më të ulët në Ballkan. Uljen e tarifave për të gjitha universitetet dhe për të rihapur filialet e universiteteve publike kudo ku ato janë mbyllur. Oligarkia nuk do të na ndalë dot për rritjen e rrogave, për rritjen e pensioneve, për rikthimin në listën e ndihmës ekonomike të të gjithë personave të larguar me të padrejtë, për kompesimin me vlerë tregu të gjithë objekteve të prishura në mënyrë të paligjshme”, tha Basha.