Lulzim Basha: “Fjalët e bukura janë vetëm makijazh për t’iu fshehur qytetarëve planet e errëta”

445
Sigal

Kryetari i PD-së e cilëson mbledhjen e qeverisë “Rama” në Vlorë “një takim privat, me qeverinë e tij private”

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar mbledhjen e maxhorancës së re qeverisëse në qytetin e Vlorës. Basha nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” e ka etiketuar mbledhjen si ‘organizim okult për të detajuar planet e z.Rama dhe maxhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike’. Basha thekson se, larg syve të medias, Rama po vendos për ndarjen e tortës së pushtetit, për caktimin e linjave të përfitimit për të dhe aleatët e tij.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës

Edi Rama bëri sot (dje) një takim privat, me qeverinë e tij private, në një ndërtesë private, dhe gjithçka që u bisedua atje mbeti private. Kryeministri i ardhshëm ka mbyllur dyert për mediat, edhe pse kur ka lajmëruar këtë mbledhje qeverie në rrjetin social ka folur për përgjegjshmëri e transparencë.

Por ne e dimë se ka arsye të forta për z.Rama për të mbyllur dyert.

E para, sepse ky është stili i tij i qeverisjes. E ka treguar për vite të tëra në Bashkinë e Tiranës.

E dyta, sepse këto nuk janë mbledhje kabineti, por janë organizime okulte për të detajuar planet e z.Rama dhe maxhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike.

Dhe e treta, ku më mirë se buzë detit, në një hotel luksoz, larg syve të botës, mund të vendoset për ndarjen e tortës së pushtetit, për caktimin e linjave të përfitimit për z.Rama dhe aleatët e tij. Kjo është mbledhja e vërtetë dhe arsyeja e vërtetë e këtyre takimeve të z.Rama. Deklaratat me fjalë të bukura janë vetëm makijazh për t’iu fshehur qytetarëve planet e errëta, dhe për t’i bërë bisht premtimeve zgjedhore stratosferike. L.Basha

 Bashkia e Tiranës: “ U liruan  në mbi 300 raste hapësirat publike”

Policia Bashkiake ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike. Aksioni është përqendruar dje përgjatë Rrugës së Kavajës, nga qendra deri tek Pallati me Shigjeta, ku shitës ambulantë dhe subjekte tregtare kishin zaptuar trotuaret me aktivitetin e tyre. Përveç vendosjes së gjobave, Policia Bashkiake ka sekuestruar edhe objekte, si çadra, tavolina e karrige dhe produkte që tregtoheshin nga shitës ambulantë. Sekuestrimi i tyre erdhi pas mosbindjes së subjekteve dhe shitësve ambulantë, për lirimin e hapësirave publike. “24 orë përpara, çdo subjekti i është lënë edhe akti i konstatimit, për zaptim të hapësirave publike. Këto subjekte nuk kanë zbatuar urdhrat e Policisë Bashkiake, për lirimin e hapësirave publike, ndaj Policia Bashkiake ka marrë përsipër të bllokojë dhe të vendosë gjoba mbi të gjithë këto subjekte që janë në kundërshtim me ligjin, në pjesën ku qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të ecin lirshëm dhe të mos pengohen nga subjekte të ndryshëm që vendosin tavolina, çadra, hekura apo zinxhirë. Aktualisht, mund t’ju them se nga momenti kur ka filluar kjo punë, deri tani janë mbi 300 raste të liruara nga Policia Bashkiake, raste që konsistonin me vendosje zinxhirësh, bllokime rrugësh, zënie trotuaresh dhe në të gjithë rastet që do të konstatojmë në vijim, do të zbatojmë vetëm ligjin dhe detyrat me të cilat e ngarkon ligji Policinë Bashkiake”, – u shpreh drejtori i Policisë Bashkiake z.Vullnet Topalli. Kurse për zonën e ish-Bllokut, Topalli tha se në sajë të aksionit të Policisë Bashkiake, të gjitha hapësirat do të lirohen. “Edhe në zonën e ish-Bllokut janë “pastruar” disa nga rrugicat atje, por puna e Policisë Bashkiake do të vazhdojë në vijim dhe absolutisht që të gjithë rrugët e Tiranës do të jenë të lira, trotuaret do të jenë të lira dhe brenda blloqeve të banimit, siç kemi vazhduar deri më sot, do të vijojmë të presim zinxhirë të atyre parkingjeve që kanë zaptuar apo i vendosin privatisht dhe jo bazuar në ligj. Do vazhdojmë t’i presim, do vazhdojmë të lirojmë hapësirat jo vetëm në rrugë kryesore, por edhe në blloqet e banimit”.