Basha mbledh ekspertët, Halimi: Ne jemi me Venecian, drafti të përmbajë rekomandimet

445
“Ne jemi me Venecian, drafti për reformën në drejtësi duhet të përmbajë një më një të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Kështu deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi, pas takimit mes ekspertëve demokratë dhe liderit Lulzim Basha në selinë e PD-së. Takimi u zhvillua një ditë para mbledhjes së komisionit parlamentar të reformës në drejtësi, ku do të jetë e pranishme edhe opozita. Halimi theksoi se në mbledhjen e komisionit parlamentar, opozita do të këmbëngulë që drafti të pasqyrojë një më një Rekomandimet e Venecias.

“Për PD reforma në drejtësi është jetike. Një reformë në drejtësi e cila duhet të bëjë të mundur largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por ta mbajë sistemin e drejtësisë të pavarur. Të implementojë një nga nj ë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Çdo devijim nga këto rekomandime ka për qëllim kapjen. Edi Rama do të kapë drejtësinë për të mbrojtur kriminelët me të cilët fitoi zgjedhjet dhe me të cilët qeveris. Ky është qëllimi i vetëm që ai ka në këtë proces. PD edhe nesër do të këmbëngulë që drafti të pasqyrojë një më një Rekomandimet e Venecias. Ne jemi me Venecian, e cila thotë se zgjedhja e kupolës me 84 vota çimenton kapjen e drejtësisë”- deklaroi Halimi.
Në takimin me kreun e PD-së ishin të pranishëm Eduard Halimi, Arben Ristani, Enkelejd Alibeaj, Ivi Kaso, Gazmend Bardhi dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Demokratët nuk do të dërgojnë një draft paralel në Venecia, pasi për ta Komisioni i Venecias ka folur njëherë, por shihet mundësia e dërgimit të një letre sqaruese, ku opozita do të shprehë shqetësimin e saj për qëndrimin e mazhorancës si dhe për faktin që ajo nuk ka dhënë dakordësi për draftin. Në mbledhjen e komisionit të posaçëm, opozita do të këmbëngulë që mazhoranca të reflektojë rekomandimet e Venecias.
Sigal

MEDIU: DRAFTI MË I MIRË, AI QË RESPEKTON PIKË PËR PIKË REKOMANDIMET E VENECIAS

“Drafti më i mirë për reformën në drejtësi është ai që respekton pikë për pikë rekomandimet e Komisionit të Venecias”- deklaroi kreu i PR-së Fatmir Mediu pas takimit me liderin demokrat Lulzim Basha në selinë e PD-së. “Ne do të kemi gjykimet tona nesër në komisionin ad-hoc që do zhvillohet në parlament. Opozita ka shprehur tashmë gjykimin dhe shqetësimet e saj. Shpesoj që në komisionin ad hoc të kemi një diskutim sa më të mirë.”- deklaroi Mediu.