Gazeta Telegraf/
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot
Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të
Këshillit të Europës, z. Andrej Hunko dhe z. Joseph O’Reilly.
Z. Basha ndau me reporterët e Këshillit të Europës
shqetësimin për drogën, krimin, korrupsionin, shkeljen e lirive dhe të drejtave
të njeriut, lirisë së medias dhe mungesën e vullnetit të qeverisë
për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Zoti Basha theksoi se kanabizimi i vendit me shpejtësi të
madhe është pasojë e marrëveshjes së Kryeministrit me segmentet kriminale, që
çoi edhe në kriminalizimin e parlamentit dhe administratës. Përhapja dramatike
e sipërfaqeve të mbjella me kanabis u vërtetua nga vëzhgimet ajrore dhe nga
tonelatat e kanabisit të kapura në Itali dhe Greqi, është bërë tashmë temë e
mediave prestigjioze ndërkombëtare dhe shqetësim për sigurinë e vendeve të
BE-së.
Grupet e organizuara kriminale që veprojnë me mbrojtje të
segmenteve të caktuara të policisë dhe që kanë lidhje me politikanë të lartë,
përfshirë ministrin e Brendshëm, zotërojnë qindra miliona euro dhe rrjetë të
sofistikuar. Kjo përbën kërcënim për sigurinë e vendit por edhe më gjerë, sepse
bashkëpunimi i këtyre organizatave me terrorizmin ndërkombëtar kërcënon
sigurine e rajonit dhe te vendeve europiabe.
Basha, theksoi se lidhja e krimit me politikën,
paraja e siguruar nga trafiqet, krimi dhe korrupsioni po shkatërrojnë
procesin politik në Shqipëri. Në zgjedhjet e 2015-ës e më pas në ato të Dibrës,
Edi Rama tregoi qartë se paratë e drogës dhe rrjetet kriminale do të përdoren
për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa krimi do blejë pushtet
politik.
Kjo përbën rrezikun më të madh për zgjedhjet e ardhshme.
Rama ka bllokuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe shembull janë
Rroshi, Bushi, Prenga e dhjetëra drejtues tre posteve kyçe në administratë dhe
polici. Nëse nuk zbatohet ligji i dekriminalizimit dhe nuk ndërmerren veprime
energjike, nën presion ndërkombëtar, për ndalimin e kultivimit dhe trafikimit
të kanabisit është e pamundur që vitin e ardhshëm të zhvillohen zgjedhje.
Në mënyrë të qëllimshme, Rama ka vonuar dhe bërë të
pamundur reformën zgjedhore tashmë që pas një muaji fillojnë përgatitjet
zgjedhore. Në këto kushte, standardet e zgjedhjeve demokratike dhe
legjitimiteti i zgjedhjeve do cenohen rëndë.
Z. Basha iu përgjigj interesimit të dy raporterëve në
lidhje me lirinë e medias. Presioni i vazhdueshëm i Edi Ramës ka bërë që
hapësira mediatike për aferat korruptive, presionet kriminale dhe situatën e
rëndë ekonomike të ketë pak ose aspak hapësirë. Rast flagrant është heqja nga
puna e gazetares Alida Tota dhe mbyllja e emisionit investigativ
“Publicus” sepse po hidhnin dritë mbi përgjegjësitë e kryebashkiakut të Tiranës,
Erion Veliaj për vdekjen e 17- vjeçarit, Ardit Gjoklaj.