Basha-Kryemadhi, konsultime për protestën dhe strategjinë e opozitës

485
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është takuar dje pasdite me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të diskutuar për strategjinë e përbashkët të dy partive opozitare. Në takimin e zhvilluar në selinë e PD, ka marrë pjesë edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Arsyeja e këtij takimi të dy krerëve të partive opozitare mësohet të ketë qenë protesta që është paralajmëruar të zhvillohet në javët e ardhshme. Megjithatë ende nuk janë dhënë detaje se kur do të jetë data e saktë e protestës, ndërsa opozita ka nisur takimet me qytetarët në rrethe. Të dy drejtuesit e partive të opozitës mësohet se do të dalin publikisht gjatë ditës së sotme për të dhënë edhe detaje të planit të opozitës. Pas takimit me kryetaren dhe kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mësohet se ka zhvilluar edhe një konsultë me disa nga drejtuesit e partisë së tij. Burime nga opozita bënë të ditur se një datë e mundshme për protestën e ardhshme është 15 janari, që përkon edhe me rinisjen e punës së Kuvendit. E hëna e treta e janarit përcaktohet si starti i aktivitetit parlamentar, ndërsa seanca e fundit e dhjetorit u mbyll me tensione dhe përleshje, pas kundërshtimit të opozitës ndaj procedurave të zgjedhjes së kryeprokurores së re. Në sesionin e ri, Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, mes të cilave edhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do t’i japë startin zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar, siç përcaktohet edhe në ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016.
Sigal