Banesat sociale, Bozdo: Veliaj shpërndau banesat që bllokoi Rama

468
Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo e ka cilësuar një farsë shpërndarjen e banesave sociale nga kryetari aktual Erion Veliaj. Përmes një reagimi në Facebook, Bozdo ka deklaruar se, Veliaj sot vetëm sa ka shpërndarë banesat e bëra gati nga administrata e kaluar, por të bllokuara nga kryeministri Rama. 
“Sot Veliaj ka shpërndarë çelësat e banesave sociale. I mirënjohuri Tonin Tërshana përfitoi banesën e shumëpritur prej kohësh, për shkak të bllokimit që Rama, shefi i Veliajt, i bëri këtyre banesave. Tonin Tërshana ishte përfitues prej kohësh i kësaj banese, por Rama zgjodhi të mos ia japë”, ka thënë Bozdo. 
Ai është shprehur se, “Veliaj, me një gjest të shkëlqyer hipokrizie, u mallëngjye dhe i dha atë që prej kohësh i takonte artistit të mirenjohur”. 
“Dhe sigurisht, si gjithmonë, harroi t’i kërkonte falje zotit Tërshana dhe të gjithë përfituesve të tjerë të këtyre banesave për mëpërkëmbjen e shëmtuar për më shumë se një vit”, ka vijuar Bozdo. 
Sipas tij, Veliaj gënjeu duke marrë meritat e të tjerëve, “ashtu siç e shet projektin e çezmave të Tiranës si të vetin, kur në fakt e gjeti gati së bashku me donacionin kuvajtian”. 
“Ashtu siç e shet si të vetën edhe lulishten tek “Ferit Xhajko”, kur në fakt të gjitha i gjeti gati për përurim. Tirana nuk mund të drejtohet duke u mburrur me punët e të tjerëve, duhet të bësh ndonjë pune edhe vetë”, e mbyll postimin e tij Bozdo.
Sigal