Arjan Starova: Mosrishikimi i ligjit “Për ndarjen Territoriale”, përligj bojkotin e opozitës nga zgjedhjet vendore

75

Politikani Arjan Starova, në intervistën për “Telegraf”, thotë se mosrishikimi i ligjit për ndarjen Territoriale, përligj bojkotin e PD-së dhe kjo do të ishte një aventurë e rrezikshme për Shqipërinë. Ndërsa për marrëveshjen e arritur në funddhjetorin e 2015-s, zoti Starova, pohon se “kjo marrëveshja nuk ka asnjë vlerë”, përveç se të thyente bojkotin e opozitës. Ndërsa për ndonjë marrëveshje që do të bëhet në Kuvend nga palët për …dekriminalizimin e Kuvendit, zoti Starova thotë se “nuk pres të shoh asgjë prej marrëveshjes që lidhet me dekriminalizimin e Kuvendit. Madje, vendit kjo marrëveshje i ka bërë keq, sepse ia vendos me vetëdije një epitet përçmues parlamentit të vet”.

 -Zoti Starova, si do t’a vlerësonit ju kohëqeverisjen e shumicës së majtë?

Sipas mendimit tim, ka arritje por ka edhe mangësi, madje edhe gabime. Te arritjet do të rreshtoja përpjekjet për të vendosur ligjin dhe rregullin të barabartë për të gjithë, shlyerjen e borxhit të brendshëm për biznesin, reformën në energjetikë, përshpejtimin e procesit të legalizimeve, përshpejtimin e zbatimit të dëmshpërblimeve për ish të përndjekurit politikë, përpjekjet në luftën kundër prodhimit dhe tregtisë së lëndëve narkotike, përpjekjet dhe reformat për shmangien e evazionit fiskal, përfundimin e procesit për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat të BE-së, reforma në arsim, përpjekjet për politika më të dendura bashkëpunuese në rajon dhe në veçanti me Kosovën etj. Ndërkohë, për mua janë mangësi probleme të tillë si, mospërqendrimi i vëmendjes te kthimi dhe kompensimi i pronarëve të vjetër, ndërkohë që po përshpejtohet legalizimi i ndërtimeve pa leje, çka përmban në vetvete një padrejtësi të madhe në lidhje me pronën, (sepse grabitësi shpërblehet, ndërsa trashëguesi i pronës lihet pasdore). Mangësi të tjera duket se janë moszbatimi gjithnjë në mënyrë të barabartë i vendimit për prishjet e ndërtimeve pa leje, mosluftimi si duhet i tregut të fshehtë të shitblerjeve të vendeve të punës, lënia pasdore e luftës kundër korrupsionit, mosbërja e përpjekjeve serioze për të bashkëpunuar me opozitën, zvarritja e përpjekjeve për të bërë reformë në drejtësi, përpjestimi i keqbarazpeshuar ndërmjet propagandës për programin e qeverisë dhe arritjeve konkrete të qeverisë, duke ia lënë vendin kryesor fjalëve në vend të veprave, mosarritja e tërheqjes së investimeve të mëdha nga jashtë dhe thuajse braktisja e investimeve aq të rëndësishme për infrastrukturën rrugore të vendit etj. Ka edhe gabime dukshëm qartë. Të tillë janë qëndrimi në lidhje me ofertën amerikane për prishjen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, (ku për hir të së vërtetës gaboi rëndë edhe opozita), prishja e shumë ndërtimeve të mira, të cilat në fund të fundit kanë qenë mishërim i mundit të shqiptarëve dhe pasuri e tyre, mosdistancimi i qartë prej nostalgjikëve për diktatorin Hoxha, reforma e njëanshme e ndarjes së pushtetit vendor, mosmbajtja e premtimeve zgjedhore për punësimin, vazhdimi i një politike partiake të punësimeve në shkelje të statusit të nëpunësit zyrtar, rritja praktike e taksave të ndryshme për qytetarët shqiptarë të zakonshëm, përplasjet e panevojshme me institucionin e presidentit, shprehjet e njëfarë arrogance dhe mospërfilljeje në marrëdhëniet me opozitën etj.                       

-A janë në kahun e duhur reformat që ka ndërmarrë kjo shumicë qeverisëse?

Besoj se përgjigja e mësipërme flet qartë më shumë për mungesën e shumë reformave, sesa për kahun e tyre. Sipas filozofisë së kësaj qeverisjeje, ato reforma që ajo bën janë në kahun e saj, ndërsa se cili është kahu i duhur mbetet të provohet nga vota e qytetarëve shqiptarë. Një provë e tillë do të jenë zgjedhjet vendore të qershorit 2015. Mendoj se, në këto zgjedhje, votat e shqiptarëve do të shkojnë më shumë për opozitën.

– Cilat janë për ju karakteristikat e kriminalizimit të parlamentit?

Flitet shumë në lidhje me të ashtuquajturin kriminalizim të Kuvendit. Le të sqarojmë pak ide, si fillim. Të gjithë ata që kandidojnë për deputetë, kanë detyrimin që të jenë të provuar si të pakriminalizuar, nëpërmjet dokumenteve ligjorë. Pra, nuk mund të kandidojë dikush që ka probleme me drejtësinë. Mund të ketë pasur njerëz të cilët kanë qenë të dënuar, por përderisa ata e kanë kryer dënimin atëherë ata janë të lirë të gëzojnë të drejtat si të gjithë qytetarët e tjerë, pra edhe të drejtën për t’u zgjedhur deputet. Tani është e qartë se i gjithë dialogu, apo debati për kriminalizimin është i vendosur jo në rrafsh ligjor, por në rrafsh moral. Dhe, nga këndvështrimi moral, edhe një ish i dënuar mund të gjykohet si i përshtatshëm, ose i papërshtatshëm për të qenë deputet i Kuvendit. Sidoqoftë, edhe ky dialog i mbështetur te morali është shumë i vështirë për t’u bërë, sepse ka aq argumente mbështetës, sa edhe kundër. Atëherë, le t’a vendosim idenë që po diskutojmë në rrethana konkrete. Debati i fundit për kriminalizimin nisi pas sjelljes së papranueshme të dy deputetëve të shumicës ndaj një deputeti të opozitës. Shumica nuk bëri asnjë dënim të vetëm të kësaj sjelljeve, ndërkohë që për gjëra edhe fare të parëndësishme, nuk ia kursen kritikën dhe ironinë opozitës. Nga këndvështrimi moral, si ata që kryen atë akt të shëmtuar, edhe ata kolegë të tyre të politikës, që nuk e dënuan atë, janë njëlloj të fajshëm. Nga këndvështrimi ligjor, është drejtësia ajo e cila duhet të thotë fjalën e vet. Megjithatë, edhe kjo e ka të vështirë për shkak të imunitetit të deputetit dhe natyrës së veprimit të kryer nga ata. Nga e gjithë çka thamë, rrjedh se kriminalizimi është diçka që lidhet ose me idenë se në Kuvendin e sotëm ka deputetë, të cilët i kanë shpëtuar drejtësisë, ose ka prej tyre të cilët kryejnë veprimtari kriminale. Në varësi të diskutimit që do të bëjë Kuvendi, edhe sjellja e dhunshme e lartpërmendur mund të quhet kriminale, por deri tani ajo nuk cilësohet si krim i rëndë. Debati për kriminalizimin mori shkas prej idesë se dhuna në parlament përgjithësisht është karakteristikë e rretheve të njerëzve të krimit. Por në rastin tonë, lidhja dhunë-kriminalitet duhet provuar nga drejtësia. Nëse parakuptojmë se ata janë njerëz të kriminalizuar atëherë, partia që i ka zgjedhur, ka shkelur ligjin, duke i futur në Kuvend. Nëse ka të tjerë, që kryejnë veprimtari kriminale, atëherë kjo duhet provuar dhe denoncuar në institucionet e drejtësisë. Pra, siç e mendoj unë, Kuvendi mund të hapë një hetim parlamentar për të parë nëse janë zbatuar si duhet procedurat për futjen e njerëzve të partive në listat e deputetëve. Nëse ka shkelje, atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Nëse ka deputetë që janë të përfshirë më vonë në rrethet e krimit, rruga për t’i hequr ata është ligjërisht e qartë. Përmes këtij arsyetimi, unë jam duke thënë se marrëveshja për dekriminalizimin e Kuvendit është diçka boshe, është një alibi konsensuale në distance për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar të opozitës. Rrugët ligjore për të dënuar njerëzit e kriminalizuar, si ata që janë në listat e kandidatëve për deputetë ashtu edhe ata që kanë arritur të bëhen deputetë, ekzistojnë. Prandaj, nuk pres të shoh asgjë prej marrëveshjes që lidhet me dekriminalizimin e Kuvendit. Madje, vendit kjo marrëveshje i ka bërë keq, sepse ia vendos me vetëdije një epitet përçmues parlamentit të vet.

– Nga cila portë hyri krimi në Kuvend?

Nëse ka kriminelë në Kuvendin tonë, çka duhet të provohet ligjërisht jo vetëm moralisht, ata hynë atje nga portat e partive politike dhe të institucionit ligjor që kontrollon listat e kandidatëve për deputetë.

– A është vetëm një kah i politikës dhe i Kuvendit i kriminalizuar, sikurse akuzon fort opozita?

Unë nuk merrem me këtë gjë. Atë e di drejtësia.

– Cila duhet të jetë refleksioni i politikës për t’u çliruar nga krimi? Thjesht certifikimi i dëshmive penale të çdo deputeti?

Ekzistojnë të gjitha ligjet dhe procedurat ligjore, por ato duhen zbatuar pa lëshime.

– Me çfarë arsyetimi mund të argumentojnë se marrëveshja e arritur shumicë qeverisëse-opozitë në fund vitin 2014 do të funksionojë?

Unë mbroj mendimin se kjo marrëveshja nuk ka asnjë vlerë, përveçse që t’ijepte mundësi përfundimit të bojkotit parlamentar dhe t’i bënte pak makijazhmarrëdhënieveshumicëqeverisëseopozitë,kundrejtinstitucioneve tëBashkimitEuropian.

– Kujt i shërben konflikti i thellë president-shumicë qeverisëse, përderisa Presidenti i riktheu sërish dy dekrete të kësaj shumicë ndërsa Kuvendi i rrëzon sistematikisht dekretet e presidentit?

Nëse ke parasysh vetëm këta dy dekrete, kjo është marrëdhënie mëse normale në një shtet demokratik. Kjo nuk mund të merret si provë konflikti për më tepër kur para fare pak kohëve, kryeministri Rama e cilësoi marrëdhënien e tij me Presidentin si të vështirë por normale.

– Cila është zgjidhja e këtij konflikti institucional?

Ai nuk ka nevojë të zgjidhet, sepse nuk është konflikt. Marrëdhënia president-shumicë qeverisë është brenda një hapësire ligjore të mirëpërcaktuar.

– Nëse shumica qeverisëse nuk do të reflektojë ndaj kritikave të opozitës për ndarjen e re territoriale dhe zgjedhjet vendore bëhen me këtë ndarje të re, a duhet që opozita t’i bojkotojë këto zgjedhje të 21 qershorit?

– Rishikimi i ligjit për ndarjen e re të pushtetit vendor është i domosdoshëm. Shumica qeverisëse nuk duhet t’a vështrojë me kokëfortësi këtë rishikim. Është aq i domosdoshëm, sa e përligj edhe bojkotin e zgjedhjeve. Shkuarja drejt zgjedhjeve vendore me kokëfortësi dhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike, do të ishte një aventurë e rrezikshme jo vetëm për Partinë Socialiste, por para së gjithave për Shqipërinë, e cila do t’u rikthehej proceseve politike turpëruese dhe kohëhumbëse, me të cilët ne kemi qenë gjithnjë shumë të pasur.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA