Agron Duka: “PR-ja do të ketë grupin e vet parlamentar në Kuvend”

549
Sigal

Agron Duka, tashmë si deputet i PR-së, në intervistën për “Telegraf”, thotë se, Kryeministri Rama nuk ka në programin e tij qeverisës premtimet elektorale dhe ajo që ia vlen për të diskutuar është se ku do t’i gjejë Rama burimet financiare që të realizojë programin qeverisës. Zoti Duka beson te fjalët e Metës, se do të bëjë transparencë në Parlament, por edhe ai nuk është i lirë, ngaqë do të varet nga platforma e maxhorancës. Sipas zotit Duka, PR-ja do të ketë grupin e vet parlamentar, duke marrë formalisht 3 deputetë nga PD-ja.

– Zoti Duka, programi qeverisës i Kryeministrit Rama a ka në përmbajtje ato premtime elektorale që dha PS-ja, por edhe LSI-ja?

Mendoj që programi qeverisës i së Majtës nuk reflekton premtimet e tyre elektorale. Ka disa ndryshime. Një gjë mund ta them me bindje. Çfarë tha Rama për sportet, vazhdimisht kur bënte  takime  për programin elektoral të PS-së për sportin, thuhej që sporti do të zinte një vend më vete, do të kishte ministri më vete, apo një komitet shtetëror. Faktikisht, nuk ndodhi kështu. Rama sportin e bashkoi me Ministrinë e Arsimit. Kjo mua më duket, që në fillim braktisje të premtimeve që dha për sportin, duke e nënvlerësuar atë. Në programim elektoral thuhet se, do hiqej TVSH e imputeve bujqësore.  Ndërkohë, në programin qeverisës, pashë që të reduktohet TVSH-ja në produktet bujqësore dhe jo të bëhet zero. Gjithashtu, ne  kemi thënë që do të hiqet çmimi i diferencave (kur zoti Duka ishte hartues i programit bujqësor të PS-së). Ndërsa tani, në programin qeverisës, nuk e pashë këtë premtim. Agjencia Kombëtare e Ushqimit, që ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve ishte programuar të atashohej pranë Ministrisë së Bujqësisë, tani varet nga Ministria e Shëndetësisë. Duhet parë, mënyra e vendosjes së institucioneve të ndryshme në varësi të institucioneve të ndryshme. Çmimin e diferencave për  lëndët e para që përdoret në blegtori, si misër e grurë, që importohen. Pashë, gjithashtu, që në përgjithësi, ka ngjashmëri, por ka edhe ndryshime. Por ajo që bie në sy, për të keq, në programin qeverisës, nuk pashë afate kohore. Më tej, për rehabilitimin e veprave ujitëse dhe kulluese, kishte një shifër, rreth 160 milionë dollarë, që është edhe në programin elektoral, por nuk i përgjigjet kërkesave për veprat ujitëse e kulluese, që arrin në 450 milionë dollarë.

Mendoni, se premtimet elektorale u dhanë me qëllimin e vetëm, për të fituar votën, edhe pse kishin bindjen, se është vështirë t’i realizonin?

– Natyrisht, programi elektoral, është diçka për të rrëmbyer votën. Po, më kujtohet, që Rama ka thënë që do të hiqet akciza e naftës për bujqësinë, por nuk e kishte të shkruar, që do hiqet TVSH-ja dhe taksa e qarkullimit. Edhe në kohë, kur do ta bëjë këtë, ndërsa në program elektoral, kishin premtuar se, sapo ne të marrim pushtetin, do të heqim akcizën e naftës, tvsh-në dhe lejen e qarkullimit për bujqësinë, gjë që, nuk është pasqyruar në programin elektoral.

– Çfarë mungon në program dhe ku ka vend për diskutime?

– Kostoja e këtyre angazhimeve që merren dhe burimet financiare nga ku do nxirren këto para.

– 8 votat që mori Ilir Meta, në zgjedhjen e tij si Kryetari i Kuvendit, kanë domethënien e përçarjes së opozitës, apo është preferencë personale e deputetit për personin e Metës?

Sipas gjykimit tim, është e dyta. Ka një preferencë personale, opozita nuk mund të cilësohet për këtë e përçarë. Aleatët deklaruan votën kundër Metës, kështu, ndoshta, ndonjë nga PD-ja, apo edhe ndonjë nga aleatët, nuk e ka marrë shumë seriozisht këtë votim. Nuk u bë një punë e organizuar mirë, që të mblidheshin kryetarët e partive, sepse kryetarët e grupeve parlamentare nuk janë zgjedhur dhe të jepnin orientim politik. Gjithsesi, 8 votat e rrjedhura nuk është ndonjë gjë shqetësuese.

U bë edhe aludim ndaj jush, që mund të keni votuar ju, nisur nga afrimiteti familjar me politikanë  të rrethit të Metës.

– Unë ju them në mënyrë bindëse absolute, që votova kundër. Sikur të kisha dhënë votën “pro”, nuk do ta mohoja tani. Unë e kam deklaruar me kohë, që jam i djathtë dhe nuk kam arsye që të jap votën time majtas. Nuk është momenti që të paragjykojmë që tani, sepse nuk është kjo rrjedhje e 8 votave, që do të përçajë opozitën. Do të kemi kohë më vonë, që të shikojmë e të themi realisht, ka apo nuk ka përçarje të opozitës.

Zoti Duka, mendoni se edhe votëbesimi i qeverisë do t’i kalojë 83 vota?

– Jo, nuk besoj, se mund të ngjasë kjo. Atëherë, nëse ndodh, do të kemi një problem serioz për vetë opozitën. Do të kemi të bëjmë me të vërtetë, me një përçarje të opozitës. Sepse, kështu do të ndodhë, edhe sikur të ishte anasjelltas. Votimi është politik dhe nuk pa pse të ketë tolerancë.

PS-ja premtoi se do të ndodhte jo thjesht një rotacion, por edhe një rilindje në politikëbërjen. Por ajo që ndodhi, që në seancat e para, dëshmoi  që marrëdhëniet pozitë-opozitë do të rrëshqasin në shinat e mentalitetit të vjetër të konfliktualitetit shterp, të frymëzuar nga qëllimi partiak.

Nuk mund të jap një opinion, sepse pamë vetëm një shenjë, një shfaqje negative. Patëm njëfarë konfliktualiteti, përsa i përket programit qeverisës. Opozita kërkoi kohë të studionte programin qeverisës, fillimisht kjo kohë nuk iu dha, maxhoranca u përgjigj në mënyrë arrogante. Më vonë u arrit njëfarë konsensusi. Shenjat e para të marrëdhënieve që do ndërtohen pozitë- opozitë nuk janë pozitive. Të shikojmë çdo të ndodhë në të ardhmen.

– Mendoni se qëndrimi fillestar mohues për dhënien kohë opozitës të studionte programin qeverisës,  i zotit Ruçi, si kryetari i grupit parlamentar të PS-së shprehte thelbin e Rregullores, apo këndvështrimin e pozitës ndaj opozitës?

– Nëse është e vërtetë që Ruçi shprehu qëndrim të atillë mohues, siç u aludua, për mua është një shenjë negative. Shpresojmë që të mos vazhdojë kështu sjellja politike e maxhorancës ndaj opozitës, në të ardhmen. Politika jonë ka nevojë për një mentalitet të ri të të menduarit e të të vepruarit, sipas standardeve të demokracisë europiane.

Përse? Cili është qëllimi, që PR-ja të ketë grupin parlamentar me gjysmën e deputetëve të PD-së?

– Sepse, pavarësisht se programet e PR-së dhe PD-së janë të ngjashme, gjithsesi, kanë edhe specifikat e tyre. Duke patur grupin parlamentar të përhershëm, është më tepër e mundshme që të mbrojë idetë e saj, të shprehë programin elektoral të saj.

– Po, deputetët e PD-së, që do të plotësojnë grupin parlamentar të PR-së, sa mund të shprehen me programin tuaj?

Nuk është e thënë, unë e kuptoj dhe e mirëkuptoj që ata do të shprehin mendimin  dhe programin e PD-së, por vetë Rregullorja e Kuvendit e kërkon që të krijohet grupi parlamentar me 7 veta, kështu që bashkimi nuk është organik, por është një bashkim formal.

Sipas gjykimit tuaj, cili duhet të jetë roli i Berishës në grupin parlamentar të PD-së dhe në politikë?

Përderisa është deputet në Parlament, ka rolin që ka çdo deputet. Natyrisht, duke qenë lideri historik i PD-së, roli i tij del më në dukje se i çdo deputeti tjetër.

Ilir Metën e besoj, por edhe ai nuk është i lirë në qëndrimet politike

A e shikoni Ilir Metën te bashkëqeverisja me Ramën, si një garanci që të politikëbërja të prodhojë kompromisin apo konsensusin, në çështje madhore e vendimtare për zhvillimin e integrimin?

– Shpresojmë që konsensusi të jetë më i mundshëm, duke shpresuar edhe te kohë. Avancojmë edhe në kohë, ka edhe një ripërtëritje e freskim të Parlamentit, ka mbi 50 deputetë të rinj. Ndërsa figurat kryesore, të themi të drejtën, janë pothuajse, po ata. Ndaj shpresojmë që të kemi një fryme të re politike dhe një sjellje të re parlamentare.

– Shikoni te Ilir Meta atë vullnet të mirë, që do të përpiqet të arrijë kompromisin, pavarësisht konjukturave politike, meqë ai deri tani nuk ka qenë politika i konfrontimeve totale?

– Individualisht, unë besoj se, Ilir Meta i tha seriozisht ato fjalë, që do të përpiqet për transparencë dhe bashkëpunim. Domethënë, flas gjithmonë, për personin e tij. Por, gjithsesi, duke qenë një individ, duke qenë pjesë e një së tëre, pjesë e maxhorancës, nuk është i lirë të shprehë gjithmonë mendimin e tij, por do t’i duhet t’i nënshtrohet mendimit të shumicës së tij. Kështu, që, pavarësisht pikëpamjeve, këndvështrimit tim pozitiv përsa i përket personazhit Meta, sjellja politike nuk varet plotësisht nga ai, por nga platforma e maxhorancës.