Agostin Marku: Ku janë ekspertët për vlerësimin e dëmeve?

188

Agostin Marku, ish-deputet socialist: Ku janë ekspertët, për të vlerësuar gjendjen e pallatit?

Nuk mjafton vetëm premtimi se do i zgjidhim, por edhe si dhe kur do zgjidhen

Që në momentet e para të tërmetit të 26 nëntorit nëpërmjet rrjetit social kam paraqitur prova mbi dëmtimet në pallatin tim në Lezhë. Kemi pritur qetësisht për aq sa është e mundur qetësia në të tilla momente ankthi e pasigurie. Së bashku me banorët e këtij pallati kemi mirëpritur ekipin e ekspertëve të Bashkisë Lezhë, të cilët kanë realizuar inspektimin me datë 02.12.2019 (pas 6 ditësh nga tërmeti). Megjithëse si çdo familje shqiptare, që në raste të tilla, kërkon ndihmë, edhe familjet e këtij pallati janë në të drejtën e tyre të kërkojnë ndihmë e përkujdesje, por asnjëri prej tyre nuk e ka kërkuar një gjë të tillë (pavarësisht se nuk banojnë në pallat për pasigurinë), përveçse të dinë diçka shumë, elementare dhe jo me kosto të madhe. A janë të sigurt të qëndrojnë në banesat e tyre? Gjithashtu asnjëri nga banorët e këtij pallati nuk ka ndonjë “merak” që të trajtohet me banesë tjetër. Po presim me padurim, dhe nuk e di deri kur, se sa të sigurt jemi në ketë pallat, kur grupi i ekspertëve të Bashkisë Lezhë, të cilët kanë realizuar inspektimin me datë 02.12.2019 kanë deklaruar se ky pallat ka probleme dhe nuk mund të banohet në të deri sa të vijë edhe një grup me i specializuar të japë mendimin përfundimtar. Edhe sa duhet të presim komisionin e ekspertëve kompetentë për ketë fjalë apo jemi në kohë, sepse ankthi, stresi dhe pasiguria jonë nuk përbën problem?! Kur për të bërë verifikimet nga ekspertët duhet të presim me javë, po për riparimet, larg qoftë, do të presim me muaj, po për ndërtesa të reja, larg qoftë, duhet të presim me vite?! E pra nuk mjafton vetëm premtimi se do i zgjidhim, por edhe si dhe kur do zgjidhen është shumë e rëndësishme! Në fakt, edhe pallatit tonë nuk i është thyer asnjë xham dhe nga një pushtetar i lartë i kësaj qeverie “ekspert i sigurisë” dëgjova se kur nuk janë thyer xhamat pallati është i banueshëm. Në fakt, me gjithë shpirt të gjithë banorët e pallatit ketë dëshirojnë, por vetëm të na vërtetojnë shkencërisht. Pra të shoqëruar me ekspertizë të konfirmuar nga ekspertë të besueshëm. Preferova të shkruaj këtu në rrjetin social, sepse kështu po realizohet edhe qeverisja e këtij vendi. Shumë kush është në hall të madh në ketë vend pas kësaj tragjedie, por e keqja është se ato që duhet të zgjidhin hallin realisht nuk e kanë bërë provë se çfarë është halli. Më duket se e rëndësishme për pushtetarët është të ruajnë pushtetin, qoftë edhe me këtë hall të madh që ka mbi supe ky popull. Si qytetar i këtij vendi hallemadh, si ish-deputet, si ish-prefekt, si ish-drejtues i pushtetit lokal dhe institucioneve administrative në Qarkun Lezhë, si ish-drejtues Politik në rreth e qarkun Lezhë, si Këshilltar i Bashkisë Lezhë, por edhe si familjar që kam të njëjtin hall si shumë banorë të Lezhës e me gjerë i drejtohem publikisht qeverisë, sepse ky hap i shpejtë dhe pa burokracira si deri më tani në çështjen e verifikimit të çdo banesë në zonën e prekur largon panikun dhe shërben për një zgjidhje reale e në kohë të këtij halli të madh që në fakt jemi të përfshirë të gjithë.

Shumë kush është në hall të madh në ketë vend pas kësaj tragjedie, por e keqja është se ato që duhet të zgjidhin hallin realisht nuk e kanë bërë provë se çfarë është halli. Më duket se e rëndësishme për pushtetarët është të ruajnë pushtetin, qoftë edhe me këtë hall të madh që ka mbi supe ky popull

Kjo bën të mundur, që krahas përpjekjes për të mos përhapur panik, të bëjmë të mundur vlerësimin e dëmit real të banorëve, sigurinë e pallateve të certifikuar me akt ekspertize si dhe do të eliminonte panikun, do të minimizonte abuzimet dhe përfituesit e pa drejtë në ketë katastrofë që po ja faturojmë tërmetit, por në fakt e kemi nga harbutëria, babëzia, pa përgjegjshmëria e pushtetarëve në kohë të ndryshme e sidomos të këtij 30-vjeçari, të ashtuquajtur, demokratik shqiptar.