30 qershori, pengu i mungesës së Gjykatës Kushtetuese

107

30 qershori apo jo? Dilema që do duhej ta zgjidhte Gjykata Kushtetuese Presidenti, Ilir Meta, Kryeministri dhe Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i referohet Kushtetutës kur e cilëson 30 qershorin si datë të panegociueshme për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Presidenti Ilir Meta iu referua po ashtu Kushtetutës kur nënkuptoi këtë të premte se mund të ndërhyhet edhe me mirëkuptimin e palëve për ta shtyrë këtë datë. Por, çfarë thotë Kushtetuta? Ligji themeltar, në germën gj) të nenit 92 caktimin e datës së zgjedhjeve ja jep si kompetencë Presidentit të Republikës. Ndërkohë, Kodi Zgjedhor thotë se normat e përcaktimit të datës për zgjedhjet e Kuvendit vlejnë edhe për zgjedhjet vendore. Për zgjedhjet për Kuvendin Kushtetuta shprehet në nenin 65 të saj se zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen nga Kodi Zgjedhor në nenin 8 të tij. “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin, apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”, thuhet në këtë nen. Periudha e dytë, pra nga 15 shtatori deri më 30 nëntor është pas përfundimit të mandateve të kryetarëve aktualë të bashkive, që do të thotë se mbajtja e procesit zgjedhor në këtë periudhë shkel Kushtetutën. Këtyre rregullave u referohet Kryeministri Edi Rama kur këmbëngul për të mos negociuar 30 qershorin. “Ka ardhur koha që në këtë vend të vendosim ca rregulla dhe t’i zbatojmë ato rregulla, duke nisur që nga Kushtetuta”, deklaronte ai në një studio televizive pak ditë më parë. Pas kësaj deklarate, Rama vetë dhe anëtarë të tjerë të mazhorancës kanë këmbëngulur se shtyrja e zgjedhjeve do të shkelte Kushtetutën. Por, Presidenti Meta, veç nenit që i ngarkon tagrin e caktimit të datës së zgjedhjeve, i referohet edhe një tjetër neni të Kushtetutës. Bëhet fjalë për nenin 3 të saj. “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”, saktësohet në këtë nen. Si institucion në ruajtje të Kushtetutës, Presidenti Meta mendon se mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor pa pjesëmarrjen e opozitës shkel këtë nen duke rrezikuar pluralizmin. Disa parti opozitare janë regjistruar në zgjedhje, por ato nuk janë në gjendje që të plotësojnë kriteret e Kodit Zgjedhor për të garuar në të gjithë territorin e vendit, ndaj nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në fund të qershorit, në më shumë se gjysmën e bashkive do të kandidonte vetëm emri i propozuar nga PS. Socialistët mbrohen duke deklaruar se opozita është vetëpërjashtuar. “Zhvillimi i zgjedhjeve me 30 qershor është afat kushtetues dhe nuk e luan topi. Kush do të tentojë të pengojë qoftë edhe një qendër votimi, do të hasë në forcën e ligjit”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla si përgjigje ndaj deklaratës së Ilir Metës. A shkelet pluralizmi nëse zgjedhjet zhvillohen më 30 qershor? A mund t’i shtyjë Ilir Meta këto zgjedhje me këtë argumentim? Këto pyetje ndajnë edhe juristët. Një pjesë rreshtohen në krah të argumentit të dhënë nga Presidenti i Republikës, një pjesë mbron 30 qershorin si datë zgjedhjesh, ndërsa një pjesë tjetër mendon se përgjigjen e tyre do të duhej ta jepte Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë është jashtë funksionit dhe pikërisht për mungesën e kësaj gjykate dhe të Gjykatës së Lartë, Presidenti Ilir Meta e cilësoi një dështim reformën në drejtësi.