Vet i prishëm, nuk na i prishën të tjerët!

558
Nga Ergys ALUSHI

“Dëgjesat për bashkëqeverisjen me njerëzit vazhdojnë. 
1. Restaurimi dhe pastrimi i depove të ujit të pijshëm. 
2. Ndërtimi me beton i kanalit vaditës për fushën e Beratit.
3. Dëmshpërblimi i banorëve për dëmtimin e shtëpive nga erozioni. 
4. Investim në aparatura për qendrën shëndetësore të Beratit. 
5. Ndërtimi i urës qe lidh fshatin me Fushën.
6. Sigurimi i ujit të pijshëm për banorët që jetojnë në Fushë….”

Ky ishte një nga shumë postimet e një deputeti të PS në qarkun e Vlorës në lidhje me dëgjesat publike që deputetët socialistë po zhvillojnë në të gjithë vendin. Shqiptarët kanë nisur të kërkojnë ato që i kishin deri 25 – 27 vjet më parë, por i shkatërruan, grabitën e dogjën si komuniste e pronë shtetërore. Kërkojnë ujë të pijshëm, kanale vaditëse, pastrimin e kanaleve, rezervuarëve, restaurimin e shkollave, ndërtime stallash, qendrash shëndetësore e gjithçka tjetër që ka të bëjë me jetën e tyre të përditshme.

Në arkivin e gazetës lokale të Vlorës “Zëri i Vlorës” të vitit 1991 por edhe 1992, gjen artikuj të shumtë që të informojnë pikërisht për atë se çfarë ka ndodhur në fshatrat e Vlorës, në muajt e parë të pas vitit 1990, kur nisën lëvizjet demokratike. Ishte viti që shqiptarët po dilnin nga një regjim totalitar dhe gjithçka të ndërtuar deri atëherë prej vetë tyre, filluan ta shkatërronin, digjnin e grabisnin. 

Në faqet e gazetës gjen tituj të tillë si “Misri dhe pranvera” që ka si nëntitull “Moti po punon për bujqësinë! Po ne ç’po bëjmë?!”, ku ndër të tjera në shkrim theksohet se fshatarët po harrohen në debate politike dhe po harrojnë të mbjellin misër. Në një tjetër artikull me titull “Ç’lidhje kanë mbjelljet me votimet” lexon ndër të tjera se …”Na thonë që pas votimeve çdo gjë do të marrë një udhë, mirëpo as luledielli, as gruri, nuk presin deri atëherë…”. Në një tjetër artikull me titull “Fshatit po i nxjerrin themelin” shkruhet për situatën e krijuar në fshatrat e Drashovicës, Armenit, Shushicës, ku ka nisur një batërdi e vërtetë. “Në kooperativën e Drashovicës u shkatërruan nga themelet një pjesë e magazinave, vatra e kulturës dhe po vazhdohet me prishjen në masë të të mbjellave. E njëjta pamje makabre na u shfaq edhe në Shushicë. Në një ngastër disa hektarëshe të mbjellë me misër, kishin hyrë disa fshatarë e po korrnin me radhë që nga rrënjët. Situata ishte e ngjashme edhe në shumë fshatra të rrethit të Vlorës. Kudo në fshatrat e Vlorës, por edhe të Shqipërisë po shkatërroheshin gjithçka, duke mos harruar as kanalet vaditëse, ujëmbledhësat, shkollat, hidrovorët, fushat me të mbjella që i zaptuan dhe i kthyen në toka djerrë.

Sot, në fshatin shqiptar, po i kërkojnë nga e para të gjitha këto. Sepse pa ujë nuk jetohet, por edhe toka kërkon të vaditet që të prodhojë. Që nga dëmtimi e shkatërrimi i të gjitha këtyre objekteve, fshati shqiptar përjetoi një krizë të madhe të zhvillimit, ku treguesi më i mirë janë toka të tëra të lëna djerrë, për shkak të mungesës së infrastrukturës për punimin dhe ujitjen e tyre. Mendoni për një çast sikur asgjë të mos ishte prishur në ato muaj e vite të vështira sesa ndryshe do të ishte sot fshati shqiptar dhe bujqësia. Vet i prishëm, nuk na i prishën të tjerët.
Sigal