Tepsia dhe frytet e 100 ditëve

81
Bardhyl Berberi

Shqiptarët e duan demokracinë dhe presin si ai zogu me sqepin hapur mirëqenien. Ata nuk bëjnë asnjë kompromis me të drejtat e tyre të ligjshme që të jetojnë si evropianë. Ata nuk do ta kishin pranuar me asnjë çmim këtë degradim, prapakthim dhe këtë regres, përçmim dhe përdhunim të vullnetit politik të keq përdorur nga një grusht politikanësh mashtrues dhe të paaftë, interesaxhinj dhe të korruptuar, të etshëm për pushtet edhe kur nuk e meritojnë atë, që realizojnë jo rrallë herë agjenda të gabuara kundër interesave tona kombëtare. Një politikë sterile si në formë dhe në përmbajtje pa asnjë frymëzim pa ide pa shije, e cila nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e sotme që është ende plot me fukarenj, edhe pse kanë kaluar mbi 27 vite demokraci; me një fshat të rrënuar që presin pyjet për t`u ngrohur në dimër, fshatarë që kthehen të dëshpëruar nga qyteti, pasi kanë shitur lopën për t’ia dhënë bakshish kirurgut që i ka operuar të afërmin në spitalin shtetëror, plot të diplomuar me master që punojnë si kamerierë në Tiranë, fëmijë që udhëtojnë nëpër baltë nga dy orë rrugë në fshatrat e Mokrës që të shkojnë në shkollë. Bujq dhe blegtorë që kultivojnë zarzavate dhe prodhojnë viça hormonalë pa asnjë shije… Por çfarë bilanci bëri qeveria në këto 100 ditë? Shumica e drejtorive të rëndësishme nëpër ministri janë ende të paplotësuara apo jofunksionale, për këtë shkak, ndërsa përplasjet që ka ligji i shërbimit civil me strukturën e re, e rritin edhe më shumë shkallën e vështirësisë. Praktikisht, qeveria ka humbur shumë kohë dhe shteti duket se vazhdon të qeveriset për inerci, por nuk ka asnjë impuls të ri, por vetëm fushata qeverisëse siç po duket në horizont vetëm një fushatë për ujin e pijshëm. Edhe vetë brenda transformimit të administratës ka probleme të forta politike dhe konceptuale. Edi Rama është partizan i idesë së mbajtjes larg të njerëzve militantë të Partisë Socialiste nga “tepsia” e pushtetit, dhe në parim nuk e ka keq, por ata që po përfitojnë në shumë raste, nuk janë. as specialistë dhe as socialistë, por matrapazë që përdorin çarjen që ekziston mes parimeve që shet Edi Rama dhe atyre që shesin vende pune. Disa nga reformat e mëdha të qeverisë, veçanërisht ajo në arsim, akoma nuk është kompletuar me akte nënligjore, projekti i madh i PPP, që filloi me “Rrugën e Arbrit”, ende në horizont nuk është lidhur kontrata e parë, ndërkohë që nuk ka akoma një plan publik për prioritetet e projekteve të tjera. Fushatat si kjo e ujit, ajo e dritave apo e thertoreve dhe bulmetit, janë aksione që përdorin forcën e shtetit dhe forcojnë disiplinën, por nuk janë efekte që vijnë nga një dorë e fortë qeverisje, por fushata që duan të ngulisin rregulla të duhura përmes represionit. Puna e vërtetë e qeverisë është ajo kur qeveria të punojë si ingranazhet e një sahati përmes një strukturimi efektiv afatgjatë, që prodhon ligje dhe rregulla të zbatueshme. Dhe kur në qeveri nuk shkojnë shkresa për firmë, apo në parlament nuk shkojnë ligje për t’u miratuar, është tregues se administrata është në ngërç dhe akoma nuk ka filluar punë….Por edhe anëtarët e kabinetit aktual nuk ta mbushin mendjen përveç ministrit të brendshëm Fatmir Xhafës dhe Pandeli Majkos që kanë sharm dhe aftësi drejtuese disa ministra të tjerë janë fare të zakonshëm pa asnjë peshë specifike që duke si numërorë topi anembanë tavolinës së qeverisë… Situata e krijuar është tragjikomike sepse një palë që presin të ikin ngaqë kanë dëgjuar se do ju iki tepsia, dhe një palë që presin të ulen në karrige se mendojnë se është e tyre tepsia,. Por e vërteta është se në këto 100 ditët e para është një administratë që i vjen rrotull tepsisë që, jo vetëm nuk ngjyen dot në tepsi, por as dhe nuk largohet nga tepsia janë si ata shpendët grabitqarë që presin që t`i lëshohen gjahut dhe të marrin copën e tyre nga tepsia që ua kanë premtuar në fushatë, të cilët për momentin janë duke parë tepsinë nga distanca.