Solidaritet, po zullumqarët ku janë?

1024
Sigal

Solidaritet, solidaritet, po zullumqarët ku janë apo mos iu faj ka Zoti?!

Nga Hyqmet Zane

Qameti i një tërmeti është i madh dhe i vogël se në histori ka fakte se janë zhdukur qytete apo fshatra kudo në botë. Ne shqiptarëve na kanë ndjekur gjithnjë fatkeqësi që janë bërë nga situata si kjo nga tërmetet në kohë të ndryshme, por edhe nga “tërmetet” e shkaktuara nga njerëz dhe qeverisje, nga zullumqarë të pashpirt, të pangopshëm në ligësitë e tyre dhe në fatkeqësitë që u janë krijuar në kohë dhe në hapësirë banorëve të kësaj treve të kombit shqiptar.

Sidoqë të jetë, njerëzit mes tyre kanë treguar solidaritet për të përballuar të keqen që u ka pllakosur, si nga fuqia e të Madhit Zot, por edhe nga “tërmetet” e shkaktuara nga njerëz dhe ideologji, nga mendje të krisura apo nga solidarë në ligësitë e tyre. Dhe gjithnjë shqiptarët ia kanë dalë, por gjithnjë shtrohet një pyetje : sa janë të ndërgjegjshëm shqiptarët se bëjnë vepra të mira dhe të besojnë në vlerat e veprave të mira. Se për fatin e keq në shumë e shumë herë kemi harruar të besojmë tek fuqia e Zotit që edhe “ndëshkon” të ligjtë. Ne shqiptarët nuk jemi të tillë, por mes nesh gjenerojnë ca të tillë dhe me ose pa dashje në bëhemi bashkudhëtarë me ta dhe një ditë kur na ndodhin fatkeqësitë, kujtohemi të kthejmë sytë nga Zoti dhe i lutemi atij për ndihmë.

Por do të doja që ky popull brenda territorit të Shqipërisë të tregonte solidaritet dhe adhurim jo kaq shumë për politikanët, por për t’iu lutur të Madhit Zot që të tregohet i mëshirshëm ndaj këtij populli dhe të ndëshkojë ata, keqbërësit, ata që japin leje për pallate dhe qe bëjnë ndërtime të paligjshme jashtë çdo standardi të ndërtimeve me leje qeveritare dhe kryetarësh të bashkive. Sa herë që ndodhin situata të tilla, mendja na shkon tek ai fakti që para shumë e shumë vjetësh,e dhe pse në diktaturë dhe kur kishim “tërmete” shpirtërore në jetesën tonë, ndërtimet bëheshin me sisteme të standardeve të konsiderueshme ku pika kulmore janë hidrocentralet. Dhe për një fakt të tillë, kur kanë pyetur profesor Farudin Hoxhën nëse kanë rrezik këto vepra të mëdha? Ai u përgjigj se “Jo, se ato nuk janë bërë me tender”, çka nënkupton abuzimin e madh që bëhet me tenderët dhe me ndërtimet në vendin tonë.
Pas shumë fjalësh, ne sot jemi në një situatë të rëndë ku para shumë dëmeve materiale, kemi fatkeqësi njerëzore, kemi humbje të njerëzve të dashur të familjeve të tyre të moshave të ndryshme dhe me dhimbje të mëdha. Në një situatë të tillë më shumë se 45 të ndarë nga jeta, me mbi 750 të plagosur dhe fatmirësisht me mbi 50 të shpëtuar jemi përballë realitetit të përballimit të situatës së rëndë që janë njerëzit, familje të tëra në kushte të papërballueshme në prag-dimri që kërkohet ndihmë dhe urgjencë për sistemimin e tyre se humbjet e njerëzve janë një stres më vete  që shkakton edhe situata tmerri në një gjendje të tillë të jashtëzakonshme.

Menjëherë u shfaq në skenë solidariteti i paparë. Solidariteti i treguar nga shtetet fqinjë dhe më tej, nga miqtë që ka kombi shqiptar, ku Kosova renditet e para në angazhimin e vet solidar me profesionistë dhe trupa e gjithçka tjetër edhe brenda vendit kanë filluar refleksionet e këtij solidariteti. Qartësisht themi se është shumë mirë që e tregojnë këtë solidaritet. Pamë edhe politikanë dhe ministra dhe mbi ta edhe kryeministrin që manifeston solidaritet. Ndërkohë që në mendje më shkon mendimi se një herë të vetme duhet të kërkonte ndjesë  jo se ai e ka fajin, por se me mënyrën e qeverisjes së tij ka harruar se çfarë detyrimesh ka në raste të tilla fatkeqësish se paratë e shqiptarëve u bënë PPP me koncesionet dhe në një ditë si kjo e gjen me duar në xhepa dhe të “kryqëzuar” para fatkeqësive që i ndodhin bashkështetasve të tij. Ndoshta sa më pak të dilte ekraneve të televizioneve do të bënte mirë dhe më shumë të merrej me emergjencat dhe si një kryeqeveritar të tregonte aftësitë e tij si menaxhues në solidaritetin e sinqertë të shteteve dhe njerëzve mes tyre.
Sa do të doja që të dëgjoja se solidarizuesit e parë të këtij vendi të ishin ata, deputetët e pangopshëm të Parlamentit Shqiptar që marrin rroga të majme dhe që u dridhet dora për të dhënë një rrogë mujore në ndihmë të këtyre fatkeqëve. Se janë këta deputetë e politikanë  që vilat e tyre i kanë të siguruara dhe nuk u është cenuar asgjë se i kanë blerë me çmime marramendëse dhe asnjëherë nuk kanë çarë kokën të ngrenë dorën për t’i thënë ndal atyre firmave të ndërtimit që ndërtuan në rërën e plazhit, atyre që ndërtojnë në mes të pallateve të dikurshme, që ndërtojnë e ku nuk mund të ndërtohet dhe nuk ka asnjë kontroll për cilësinë e atyre ndërtimeve, sa bien faqet e pallateve nga lëkundjet e tërmetëve sikur të jenë bërë me shtufë e pa asnjë lloj lidhje. Të jepnin këta deputetë një muaj rrogën e tyre siç dha 50 euro ajo gruaja kosovare me sëmundje të rëndë kanceroze por që ndjeu keqardhje kur pa fatkeqësinë në Shqipëri.
Po le të vijmë tek ata që duhet të jenë solidarët e vërtetë, ata ndërtuesit e pallateve që i kanë lënë bosh dhe të falin apartamente për këta të mjerë që u “ndëshkuan” kaq keq nga fati që u ra mbi kokë. Të bëhen këta ndërtues aq solidarë me fatkeqësinë se u kanë mbetur pallate bosh kudo ku ndërtohet në Tiranë, Durrës apo gjetkë. Le të falin si një ndjesë  e madhe para Zotit për mëkatet që kanë bërë se shpërblimin e madh do ta kenë. Të bëhen një herë zemërgjerë se vëllezërit dhe motrat e tyre kanë humbu gjithçka dhe tu vijnë në ndihmë me apartamentet e tyre që rrinë bosh në pritje të fitimeve të mëdha.

Kurrsesi nuk mund të harrojmë se solidariteti është një vlerë e madhe, po aq sa edhe ndëshkimi për zullumqarët e ndërtimeve, se faji nuk është i të Madhit Zot, por i papërgjegjshmërisë  së një qeverisjeje, të një  ndërtuesit, të një ideje të gabuar për të fituar në një kohë edhe pse një ditë do të duhet të japin llogari faqe botës dhe para Zotit për mëkatet që kanë bërë..

Pak histori për tërmete e fuqishme që kanë rënë në Shqipëri .
Shqipëria ka përjetuar tërmete shumë më të fuqishëm, të cilët kanë sjellë edhe pasoja të mëdha njerëzore dhe dëme materiale të konsiderueshme.
Po cilët janë 10 tërmetet më të fuqishëm në historinë e vendit tonë, duke filluar që nga ai i vitit 1851 i cili la pas mbi 400 të vdekur?

17 Tetor 1851

Rajoni i Beratit, goditet nga një tërmet i fuqishëm me pasoja të rënda. Mbi 400 të vdekur dhe shkatërrime të shumta në ndërtesa. Plasaritje të mëdha, rrëshqitje toke dhe pluhur me squfur.

Korrik-Gusht 1855

Shkodra ndjen lëkundje të forta që shkaktojnë shkatërrimin e Bushatit, Jubanit, Kozmaçit, Vaut të Dejës dhe fshatra të tjerë në Shkodër, Karme, Dushan, Toplane dhe Bruç, çarje të mëdha në tokë.

22 Dhjetor 1919

Leskovik-Konicë ndihet tërmeti 6.1 ballë i shkallës Rihter. Shumë shtëpi të shkatërruara në zonën shqiptare si dhe në fshatrat grekë Isboros, Plavoli, Belthonsi dhe Kapaztiko. I gjithë rajoni i shkatërruar. Nuk ka të dhëna për viktima.

18 Dhjetor 1920

Elbasanit i shkatërrohen totalisht 173 shtëpi dhe dhjetëra persona plagosen. Pasojat e tërmetit me epiqendër në Elbasan më së shumti u ndjenë në Peqin ku 14 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën rëndë.

30 Mars 1921

Nuk ka të dhëna për dëme në njerëz, por dhjetëra shtëpi janë shkatërruar në Peshkopi dhe Dibër e madhe .

27 Gusht 1948

NënShkodra preket nga tërmeti 5.5 ballë. Dëmtime serioze të shtratit të lumit Buna dhe në qytetin e Shkodrës. Dëmet më të mëdha raportohen në Trush (1 i vdekur dhe 27 të plagosur). Shkatërrime objektesh ka pasur edhe në Oblike e Barbullush.

1 Shtator 1959

Shkatërrime në Lushnjë, Fier, Rrogozhinë, Peqin, Kuçovë dhe Berat. Në total 944 shtëpi të shkatërruara. Kryesisht në Karbunarë të Lushnjës. Dëmtime të mëdha në objekte industriale, shkolla, spitale dhe objektet kulturore. çarje të tokave bujqësore.

30 Nëntor 1967

Librazhd-Dibër, 6.6 ballë. Dëme të mëdha në 13 lokalitete dhe 177 fshatra. Së bashku me Iliridë e prekur nga tërmet, raportohen 6,336 ndërtesa të shkatërruara. Raportohet për 12 të vdekur dhe 174 të plagosur.

15 Prill, 1976

Tërmeti 8 ballë godet Shkodrën duke shkaktuar viktima dhe dëmtime të mëdha. Fatkeqësisht 40 persona humbën jetën në Shkodër-Lezhë. U dëmtuan 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.