Shpendi TOPOLLAJ / Ziliqarë! Mjaft e sulmuat Kadarenë

715
Sigal

Rreth tymnajës dashakeqe mediatike ndaj shkrimtarit të madh Ismail Kadare në prag të “Nobel”-it

Sa herë afron dita e dhënies së atij çmimi që, Alfred Nobel na e la me testament qysh nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kovaçhanat e errëta dhe të zymta të ziliqarëve tanë, pra atje ku ngrenë rrjetat e tyre merimangat, farkëtohen armët e ndryshkura për të sulmuar Nderin e Kombit, shkrimtarin e shquar, të vlerësuar dhe të respektuar në të gjithë botën, Ismail Kadare. Të mësuar me këto lagësira, prej kohe, as çuditet kush dhe as nuk na bën përshtypje fushata kundër tij. Por puna ka shkuar deri atje, sa edhe nëpër ekrane televizorësh apo edhe nëpër gazeta, gojët e liga nuk kanë lënë pa ngacmuar, shpifur dhe fyer edhe familjen e tij. Vetë Kadareja si gjithmonë është treguar dinjitoz dhe ka heshtur. Ashtu sikurse kam përmendur edhe në një rast tjetër, xhuxhëve të Aufenbergut që duke hipur në shpatullat e gjigandit, kujtojnë se janë më të mëdhenj se ai, u duhet treguar vendi.  Fatkeqësisht, ndaj shqetësimeve dhe brengave që mund t`i kenë shkaktuar atij, kanë heshtur në përgjithësi edhe intelektualët dhe njerëzit e tjerë që e admiruan dhe u mrekulluan me veprën e tij ndër vite. Kësaj radhe, kritikuesit mjeranë ndërruan taktikë. Ata zhbiruan, dhe me nuhatjen e njohur të komplotistëve, “zbuluan” letrën që Kadareja, më 15 qershor të vitit 1982, i dërgonte Nexhmije Hoxhës. Qëllimi është i qartë: ta mposhtin atë me armët e tij, duke bindur kë të mundin se Kadareja i ka shërbyer me besnikëri komunizmit dhe paçka se atij nuk mund t`i vihet në dyshim talenti, të paktën t`i merret parasysh qëndrimi politik në favor të tij. Në të gjithë veprën e tij, ku ka punuar sipas postulatit të E. Joneskos se letërsia është një deshifrim i të pathënave, edhe Kadareja ka qenë i detyruar të përballej me mosbesimin e përhershëm të udhëheqësit paranojak dhe makiavelist, me vigjilencën e sigurimit apo urrejtjen dhe intrigat e ambiciozëve. Veç mençurisë së tij, kush do ta mbronte aso kohe atë, kur shumë, edhe sot në demokraci, nuk marrin mundimin të polemizojnë me ata që vazhdojnë po atë avaz, për të denigruar me djallëzi, figurat e shquara të Kombit? Mos vallë Ismail Kadareja nuk e dinte sesi kishin përfunduar të tjerët, deri dhe burra të mëdhenj shteti dhe familjet e tyre, madje pa bërë absolutisht asgjë kundër vendit të tyre? A nuk duhej të  reagonte ai kur shihte se po i hapnin gropën? E ç`mund të bënte tjetër veçse t`u drejtohej me një letër atyre “zotave” që kishin në dorë fatet dhe jetët tona? Sot është e lehtë të flasësh, por vetiu të lind një pyetje: Po ju të nderuar qortues të Kadaresë, në ç`vrimë ishit futur aso kohe? Apo nuk e dini atë ndodhinë e N. Hrushovit në atë kongresin e famshëm që letrës anonime të një delegati se ku qe ai në kohën e Stalinit, iu përgjigj: “Unë isha atëherë, atje ku je ti tani.” Krahasoni atë që (s`)bëtë ju kundër diktaturës, me veprën e Kadaresë që për secilën prej tyre nuk iu ndanë kokëçarjet dhe andrallat dhe do të shihni se kush ishte antikomunisti më i madh. Ju që s`thatë një fjalë të keqe qoftë dhe me nënkuptim, kundër Partisë, socializmit dhe Komandantit, apo Ismail Kadareja që është përgojuar, kritikuar, anatemuar e akuzuar se punon me hile kundër sistemit?! Për të mos u ngrënë hakun, ata në këtë pikë nuk gabonin aspak. Ai që e ka njohur nga afër Kadarenë e ka të qartë si drita e diellit, se ai në asgjë nuk ngjiste dhe nuk të kujtonte komunistin. Përkundrazi, i urrente dhe fliste me neveri për fanatikët dhe bëmat e tyre. Por për këtë, akoma më qartë flet e gjithë krijimtaria e tij letrare, ç`ka bëri që të kryqëzohej në atë plenumin e njohur të Lidhjes së Shkrimtarëve për atë Pallatin imagjinar të Ëndrrave. Dhe atje nuk para bëhej shaka me këto gjëra. Ai vetë e dinte se me kurajon e penës së tij po rrezikonte. Por edhe kjo e kishte një kufi; këtu qe ndërtuar një shtet policor dhe nga ana tjetër propaganda ua kishte topitur njerëzve mendjet deri atje, sa me sinjalin më të vogël, e gjithë egërsia dhe i gjithë tërbimi, ndofta të pa provuara më parë, do të binin mbi të. Për dekada të tëra, diktaturën më të pashembullt në Evropë, nuk arritën ta bënin të padëmshme supershtete, e jo më i brishti Ismail Kadare. Ai e njihte mirë atë konstatimin e nobelistit Odisea Elitis se letërsia nuk do ndryshonte botën, por ajo mund të ndryshonte ndërgjegjen e njerëzve të cilët me veprimet e tyre, mund të ndryshojnë botën. Dhe bota nga ana e saj e dinte se diktatura në vendin tonë do të shembej vetiu, por deri sa të vinte kjo ditë, Ismailit nuk do t`i kishte mbetur as nami e as nishani. Dhe ai, sikurse e pohon vetë, nuk ishte aq budalla sa të vetësakrifikohej duke qëndruar duar lidhur edhe pas atakimit në Plenumin e fundit të Partisë. Ndaj bëri zgjidhjen më oportune, duke i shkruar gruas së diktatorit, gjykimi dhe ndikimi i së cilës, qe më i madh se ai i Herës në Olimp, pasi kjo e fundit vetëm për martesat dhe dashurinë bashkëshortore kishte pushtet, kurse Nexhmija, veçse gruaja e Zeusit qe dhe anëtare influente e Komitetit Qendror dhe Drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste – leniniste. E çfarë i thotë ai asaj, përveç atyre që do të thoshim të gjithë ne në raste analoge? Por mediokërit e vërtetë, sot janë sofistikuar. Të tillë janë edhe ata që duke u bërë trima pas beteje, pandehin se mund të baltosin me lloj – lloj mënyrash, shkrimtarin tonë më të dashur dhe duke mprehur shpatat e ndryshkura mesjetare, harrojnë thënien e Ciceronit se “Lapsi është më i fortë se shpata.” Dhe është fat për të gjithë ne që Ismail Kadareja e ka vënë në jetë si askush tjetër atë konstatimin e V. Havelit se: “Aktualiteti politik është i natyrshëm për shkrimtarin. Një shkrimtar është më i njohur se qytetarët e tjerë për të cilët ka përgjegjësi. Prandaj është i detyruar të shprehë mendimin e vet për problemet politike e shoqërore.” Ai s`ka qëndruar asnjëherë sehirxhi, veçanërisht për çështjet madhore si ai i Kosovës etj. ku si rrallë kush ka  shkëlqyer me rrezatimin e një brilanti. Kadareja nuk i është shmangur asnjëherë këtij qëllimi, pa u merakosur se dikush nuk do të jetë i një mendjeje me të. Ai, i pari ka ndjekur shembullin e vetë Alfred Nobelit që u mor tërë jetën me shkencën e barutit dhe lëndëve plasëse dhe e la dhënien e çmimit për atë që punonte për paqen. Kadareja i ka dhënë shumë paqes e demokracisë, prandaj nderohet kudo nëpër botë, duke i bërë kështu Atdheut një shërbim ku e ku më të vyer se të gjithë ata që punojnë skutave të errëta, pa menduar se kështu do të mbesin liliputë të përjetshëm.