Ruleta Ruse me borxhin e shqiptarëve

1108
Sigal

Nga Fatos Çoçoli

Borxhi publik është një borxh i yni. E paguajmë të gjithë nëpërmjet taksave. Buxheti i Shtetit me 4.2 miliardë euro shpenzime u miratua në dhjetor të 2018-s dhe kaloi mes disa debatesh pa bukë “mes vedit”, pra mes socialistëve (në mungesë të opozitës në Kuvend), që politikisht janë të gjithë në një kazan interesash të ngushta partiake. Ndërkohë, ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë nuk u lodh së thëni, se kemi ulur borxhin publik. Kryeministri e konfirmon. Si ekonomist do të kërceja pupthi nga gëzimi, po të ishte një lajm i tillë i vërtetë, pse për ekonominë tonë publike dhe për xhepat e gjithsecilit prej nesh, një dukuri e tillë është shumë pozitive dhe zemërdhënëse. Por disa arsye kokëforta m’i gozhdojnë këmbët në tokë.

Së pari, nga vetë raportimet e Ministrisë sonë të Financave dhe Ekonomisë në paraqitjen e projekt-Buxhetit për vitin 2019, për 2018-ën parashikohet një mosrealizim të ardhurash buxhetore në nivel 60 milionë euro, në krahasim me planin e fillimvitit. Zakonisht një borxh ulet kur ke tejkalim të fortë të ardhurash. Kjo ndodh, si për çdo familje, edhe për Buxhetin e një Shteti! Vetëm ky zë, si një kambanë alarmi, të bën mosbesues ndaj uljes reale të borxhit të shqiptarëve.

Së dyti, sipas KLSH në raportin për zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2017, detyrimet e prapambetura (pagesat ende të pakryera nga Buxheti i Shtetit për punë të kryera nga sipërmarrjet private) për vitin 2017 ishin 19 miliardë lekë, ose 152 milionë euro. Këto detyrime të prapambetura nuk janë raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, por janë konsideruar si shpenzim i periudhave të ardhshme (?!), duke mbajtur artificialisht të ulët deficitin buxhetor. Janë rreth 24 mijë fatura të regjistruara si detyrime, por jo si shpenzime të kryera për vitin 2017! Nuk dihet sa janë të tilla për këtë vit. Është Ministria e Financave dhe Ekonomisë që u ka thënë institucioneve të tjera qendrore dhe qeverive vendore, bashkive: “Këto fatura mos i paguani tani!”, me një plan të qartë në kokë për të mbajtur shpenzimet ulur. Nëse e ulim me pahir këtë deficit buxhetor, duke i kaluar faturat për vitet e ardhshme, kuptohet që do të ulim edhe borxhin.

Së treti, detyrimi për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), po sipas KLSH-së, për vitin 2017 ishte 11 miliardë lekë ose 88 milionë euro. As ai nuk është përfshirë në shpenzimet qeveritare të këtij viti ushtrimor fiskal, edhe pse TVSH-ja në shumicën e bilanceve publike në Evropë e në botë zakonisht përfshihet si shpenzim korent (i tanishëm). Banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, kur doli për raportim në dhjetor 2018 në Kuvend, e ngriti zërin me të drejtë për domosdoshmërinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare në regjistrimin e borxhit. Por diçka nuk shkon me shifrat qeveritare për borxhin. Nëse shpenzimeve të deklaruara nga qeveria për vitin 2017, u shtojmë këto 24 mijë fatura të mbartura enkas për t’u shlyer më vonë dhe detyrimin e TVSH-së, atëherë deficiti buxhetor për vitin 2017 nuk është më nën 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit, sikurse “i doli” qeverisë, por mbi 3 për qind të PBB-së, pra rreth 50 për qind më i lartë! Po ashtu edhe borxhi publik nuk është më 69.9 për qind, sa statistikat zyrtare, por 72% e Produktit të Brendshëm Bruto(PBB) të vendit. Plot 232 milionë euro më shumë! Atëherë, ku shkon, mbi çfarë bazohet premtimi solemn qeveritar i sotëm se do ta ulim borxhin tonë publik deri në 64.9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit për këtë vit, 2019-n!? Me çfarë leve Arkimedi do të ulim borxhin, kur ai synon të ngrihet me vërtik, pse këtë vit nisin pagesat për koncesionet e rrugëve dhe partneritetet publik-privat, që po i japim pa kursim, deri në 3 miliardë euro në këta dy vjet 2018-2019? Duke vijuar të mos i regjistrojmë si borxh? Këto pagesa janë jo pak, por 25 milionë euro për këtë vit. Në vitin 2020 do të dyfishohen dhe një viti më vonë edhe mund të trefishohen! Standardet ndërkombëtare për regjistrimin dhe administrimin e borxhit kërkojnë që pagesat nga Buxheti për koncesionet dhe PPP-të të regjistrohen në borxh. Qeveria duket e vendosur të mos i regjistrojë. Të mbyllë jo vetëm njërin sy, por që të dy, duke deklaruar me butafori se po ul borxhin publik, në një kohë që, duke konsideruar këto regjistrime të papërfshira, ai po rritet kërcënueshëm. Duket një lojë si ruletë ruse. Ndoshta plumbi (pamundësia për të paguar këstet e rënduara të detyrimeve buxhetore nga koncesionet dhe PPP-të) nuk do futet në tytë gjatë këtij viti, ndoshta edhe gjatë vitit 2020 mund të mos futet (dhe këtu qëndron e gjithë loja e qeverisë), mirëpo një ditë pistoleta në këtë ruletë do të kërcasë, duke rrënuar qëndrueshmërinë tonë të brishtë financiare dhe i bërë atentat serioz fateve të zhvillimit ekonomik të vendit për ne dhe për fëmijët tanë.