Sigal

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Sot që po kryejmë këtë komunikim jemi vetëm pesë muaj e 27 ditë larg zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor.

Zgjedhjet janë proces politik i shqiptarëve, bëhen për ta, nuk bëhen për KQZ-në dhe as për partitë politike. Ndaj kanë rëndësi përgjegjshmëria publike e aktorëve politikë dhe institucionalë, transparenca e administrimit të procesit dhe llogaridhënia përpara elektoratit. Në emër të kësaj transparence, llogaridhënie dhe përgjegjëshmërie publike, KQZ-ja tërheq sot vëmendjen e partive politike të interesuara për zgjedhjet për sa vijon:

Kodi Zgjedhor ngarkon partitë me detyrën e administrimit të procesit dhe administrimi i procesit zgjedhor fillon me ngritjen e KZAZ-ve. Deri më datë 18 mars, këto parti duhet të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve).

Pas tyre ngrihen komisionet e qendrave të votimit (KQV-të), afati për të cilat partive u skadon më datë 30 maj, si dhe grupet e numërimit të votave (GNV-të), detyrim që partitë duhet ta plotësojnë përpara datës 18 qershor.

Në rast se partitë nuk e respektojnë këtë afat, kjo e drejtë zbret tek partitë e tjera parlamentare të të njejtit grupim dhe, në instancë të fundit, tek KQZ-ja, e cila do të emërojë kryesisht komisionerët deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.

Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve.

KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, prandaj u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për përzgjedhjen e kandidaturave për komisionerët zgjedhorë.

Afati ligjor për regjistrimin e partive politike për këto zgjedhje mbaron më datë 21 prill, kurse për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ mbaron më datë 1 maj. Regjistrimi bëhet si gjithmonë pranë KQZ-së.

Nëse partitë politike nuk respektojnë afatin e parë, ato nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Nëse nuk respektojnë afatin e dytë, ato nuk mund të konkurrojnë si koalicione zgjedhore.

Në të shkuarën KQZ -ja është kritikuar nga misionet vëzhguese ndërkombëtare për regjistrimin e subjekteve zgjedhore përtej afateve ligjore, ndaj është veçanërisht e vendosur këtë herë që të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në aplikimin për regjistrim.

KQZ-ja u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për plotësimin dhe depozitimin e dokumentacionit të regjistrimit.

Sipas Kodit, depozitimi i listave shumemërore të kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe kandidatëve për kryetar bashkie duhet të bëhet jo më vonë se data 13 maj.

Nëse partitë politike nuk e respektojnë këtë afat, ato do çregjistrohen dhe nuk do figurojnë në fletën e votimit. Sot ato janë në kohë për të organizuar punën, sipas procedurave të brendshme statutore, për të përzgjedhur kandidatët dhe për të plotësuar dokumentacionin e kandidimit.

Sipas nenit 77 të Kodit Zgjedhor periudha e fushatës zgjedhore fillon në datën 31 maj.

Në të shkuarën, vëzhguesit e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë kanë kritikuar praktikën e disa partive politike që kanë zhvilluar veprimtari fushate përpara fillimit të periudhës së fushatës.

KQZ-ja u bën thirrje publike partive politike dhe emisarëve publikë të tyre që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe vetëkufizim në këtë pragzgjedhje. Kryerja e veprimtarive të fushatës përpara fillimit zyrtar të saj prish barazinë e garës në zgjedhje, e bën procesin të disbalancuar dhe të pandershëm, e bën atë që të nisë keq.

KQZ-ja i bën thirrje medias të tregohet e vëmendshme ndaj kësaj forme të cënimit të barazisë së garës, të distancohet dhe ta denoncojë publikisht atë, në emër të mbrojtjes së lirive themelore të ndjekësve të tyre.

Partitë politike kanë detyrimin të depozitojnë në KQZ para datës 3 qershor të numrit të llogarisë bankare për pranimin e dhurimeve të fondeve jo publike, sikurse kanë detyrimin që të depozitojnë në KQZ para datës 31 mars raportet financiare për vitin kalendarik 2018.

Mosrespektimi i detyrimeve lidhur me transparencën financiare është i lidhur me aplikimin e sanksioneve të rrepta administrative.

Partitë politike duhet të marrin seriozisht e të respektojnë pikë për pikë detyrimet ligjore për financimin e fushatës dhe llogaridhënien, pasi me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës fillon puna për  vënien në lëvizje të mekanizmave të brendshëm të mbajtjes së llogarive të fushatës dhe me plotësimin e dokumentacionit ligjor të donacioneve dhe të shpenzimeve. Transparenca e plotë e financave është shëndërruar në gur prove për politikën, prandaj KQZ-ja tërheq sot vëmendjen për çështjet e financimit të partive politike.

Faleminderit!