Frank Shkreli: “Pse na vratë, o vëllezër shqiptarë”?!

573
Sigal



Siç është njoftuar tanimë nga Vatikani si edhe nga Kisha
Katolike Shqiptare, ceremonia e lumturimit të 38-martirëve katolikë do të
celebrohet në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër më 5 nëntor 2016. Aktivitete
të ndryshme kulturore dhe fetare prej pothuaj një jave, po i paraprijnë
ceremonisë solemne. Ceremonia fetare do të kryesohet nga përfaqësuesi
i posaçëm i Vatikanit, Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e
Shenjtërve, Angelo Amato. Në këtë ngjarje historike për Shqipërinë dhe
shqiptarët do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Kishës Katolike nga Evropa
dhe mbarë bota. Në një shenjë ringjalljeje të Kishës Katolike shqiptare, do të
jenë të pranishëm në ceremoni mbi 300 meshtarë nga të gjitha trojet shqiptare
në Ballkan si dhe nga diaspora. Në shenjë simbolike të unitetit kombëtar janë ftuar
të marrin pjesë në këtë ceremoni edhe udhëheqësit më të lartë politikë dhe
shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Kisha do
të jetë e hapur për të gjithë pa dallim dhe përveç mediave të shumta kombëtare
dhe ndërkombëtare që do të mbulojnë këtë ngjarje, pritet që i gjithë ky kremtim
të transmetohet aty për aty nga televizioni publik shqiptar, TVSH. Lumturimi i
këtyre heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që
vjen, shenjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe
emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje
nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerëzore dhe e shfarosjes së një numri të madh
të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. Këto tre vendime historike
të Vatikanit ndaj Kishës Katolike shqiptare, në të vërtetë, janë një njohje edhe
nga mbarë bota – e dhunës dhe e shkeljeve që i janë bërë këtij kombi të vogël për
pothuaj një gjysmë shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje
ose krahine, megjithëse proporcionalisht, kleri katolik e pësoi rëndë nga ky
regjim duke pasur numrin më të madh të viktimave. Në të vërtetë, me njohjen dhe
me kurorëzimin e heroizmit fizik dhe shpirtëror të këtyre klerikëve katolikë
shqiptarë duke i shpallur të lumtur, Kisha Katolike si një institucion botëror,
siç thuhet edhe në një njoftim të Radio Vatikanit, akordoi këtë njohje të
merituar jo vetëm martirëve katolikë, por është njëkohësisht edhe një shenjë
simbolike mirënjohjeje nga ana e Vatikanit për të gjithë ata burra, gra, pleq e
fëmijë, të cilët, si pasojë e një ideologjie ateiste, krejt të huaj për botën
shqiptare, u dënuan padrejtësisht gjatë pothuaj një gjysmë shekulli, duke
pësuar si pasojë torturat nga më çnjerëzoret që kishte njohur shekulli i
kaluar. Si të tillë, këta të lumtur nuk i përkasin vetëm Kishës Katolike por
janë edhe heronj të Kombit shqiptar, të cilët trimërisht, në heshtje dhe plot
dinjitet i qëndruan dhunës së bishës së kuqe komuniste sllavo-aziatike të
imponuar mbi shqiptarët. Ata ishin dhe janë simbol i qëndresës kombëtare –
atëherë dhe sot – ndaj të keqes që i është kanosur këtij kombi të vogël të
shumë-vuajtur, i përbuzur dhe i sulmuar gjithmonë nga të huajt, i cili diti që
përballë sfidave të mëdha historike gjatë shekujve të ruante vlerat dhe virtytet
më të larta njerëzore, traditën, gjuhën dhe kulturën, jo vetëm në fushën fetare
por edhe atdhetare. Por megjithë këtë histori të tmerrshme dhune, madje edhe
sot 25-vjet post-komunizëm, në nivelet më të larta të institucioneve të qeverisë
dhe të shtetit shqiptar, ka ende individë, përfshirë pseudo-historianë dhe
grupe të ndryshme të shoqërisë, të cilët vazhdojnë të fshehin të vërtetën dhe
ex-catedra arsyetojnë gjithnjë viktimizimin e këtyre të pafajshëmve dhe të
tjerëve si këta se gjoja, sipas tyre, ata kanë na paskan bashkëpunuar me
pushtuesin dhe si rrjedhim i meritonin mundimet dhe vuajtjet dhe asgjë më pak
se zhdukjen e tyre fizike nga shpellarët e ish-regjimit komunist. Është theksuar
shpesh, por më kot, nga shumë vrojtues vendas dhe ndërkombëtarë gjatë 25 viteve
të kaluara, sidomos nga miqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, se autoritetet shqiptare
dhe shoqëria në përgjithësi duhet pa tjetër të përballen me të vërtetën e kësaj
historie tragjike duke u ërë thirrje që të hapin dosjet e ish-Sigurimit famëkeq
të shtetit, me qëllim që të mësohet e vërteta e kësaj historie tragjike. Para
disa ditësh, Zëri i Amerikës, nëpërmjet korrespondentit Ilirian Agolli, në një
kronikë nga Tirana raportoi, se apeli më i fundit drejtuar pushtetarëve të
Tiranës në lidhje me këtë çështje, erdhi nga Kryetari i Zyrës së OSBE-së në
Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt. Në takimin, “Hapja e dosjeve të Sigurimit
– Sa më shpejt aq më mirë”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer,
ambasadori Borchardt u shpreh se
vetëm
zbulimi, trajtimi dhe diskutimi i padrejtësive të shkuara, nuk lejon që e
kaluara të bëhet barrë për të ardhmen. Çfarë të ardhme duan për vendin e vet,
autoritetet shqiptare që për 25 vjet tani kanë refuzuar hapjen e dosjeve të
komunizmit për të zbardhur krimet e komunizmit, përfshirë vrasjet e 38-martirëve
që do të lumturohen këtë fund jave në Shkodër. Zëri i Amerikës njoftoi gjithashtu
nga konferenca se, “Politikanë dhe zyrtarë, socialistë dhe demokratë, morën
fjalën për të bërë një mori sqarimesh ligjore dhe procedurash parlamentare, pa
mundur të shpjegojnë, se si ka ndodhur që pas 25 vjetësh demokraci, përsëri ka
mbi një vit që nuk zbatohet as ligji i moderuar i hapjes së dosjeve, që i ofron
ato vetëm për studime dhe jo për lustrime”. Një shenjë tjetër kjo e arrogancës
dhe e mos-veprimit të autoriteteve shqiptare për një çerek shekulli
post-komunizëm, në lidhje me hapjen e dosjeve të komunizmit. Ky nuk është vetëm
një qëndrim arrogant i Tiranës zyrtare, por është edhe një sjellje fyese dhe
përbuzëse ndaj të gjitha viktimave të komunizmit në veçanti dhe ndaj publikut
shqiptar në përgjithësi dhe është një faqe e zezë në biografinë e këtyre
pushtetarëve të cilët kanë patur përgjegjësinë, mundësinë dhe autoritetin për
të bërë një gjë të tillë.
Prandaj për derisa autoritetet
shqiptare nuk hapin dosjet ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Evropës
Lindore dhe për derisa disa pseudo-historianë shqiptarë vazhdojnë të hedhin
baltë mbi viktimat e pafajshme të një regjimi kriminal, të cilit ata i shërbyen
gjithë jetën, Shqipëria as shqiptarët nuk do të ecin përpara. Por një gjë është
e sigurt, duan a s’duan këto mbeturina të regjimit komunist, bota po e zbulon
të vërtetën. Këta martirë shqiptarë që sot i njeh bota si të tillë, si dhe
pasardhësit e tyre të gjallë, janë vëllezër e motra, pjesëtarë të denjë të një
Atdheu të përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa dallim. Publiciteti që u jepet
në media mendimeve të këtyre nostalgjikëve të shëmtuar dhe të diskredituar të
komunizmit në këtë kohë, nuk është diçka e rastit. Këta apologjetë të regjimit
vëllavrasës, madje edhe 70-vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore,
vazhdojnë të mbjellin urrejtje dhe inate midis shqiptarëve duke e mbajtur
shoqërinë shqiptare peng dhe në një konflikt të përhershëm, trashëgimi e një
regjimi diktatorial dhe të një ideologjie të vdekur. Por këta nostalgjikë të
komunizmit ende nuk e kanë kuptuar, se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të
mbahen të mbyllura për gjithmonë në çmendurinë e mentalitetit të Enver Hoxhës,
ku ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë. Mos mashtroni veten se ju nuk
jeni aspak më të mirë e më të denjë të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit
Skënderbe, të Shqipërisë së Ismail Qemalit, të Fan Nolit, Bajram Currit, të
Luigj Gurakuqit e shumë të tjerëve. Në krahasim me martirët dhe të persekutuarit
e tjerë të atij regjimi komunist diktatorial që ju gjithnjë gjeni forcën morale
ta mbroni. Jo, jo mos e gënjeni veten se nuk jeni aspak më të mirë. Përkundrazi,
me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja, ju nuk i bëni nder as
vetes as kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur peng Shqipërinë e mjerë,
ndërkohë që viktimat e komunizmit po i vrisni për së dyti, për së treti e për
së katërti, në të vërtetë sa herë që hapni gojën. Dhe jo vetëm këta të lumturuarit
e Kishës dhe të Kombit, por të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri, të
cilët nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve, tani kundër vullnetit tuaj,
bota e njeh sadopak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgut të
regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi. Jo
vetëm historia e kombit shqiptar pret përgjigje për 25 vjet, tani prej
autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve të këtyre krimeve të institucioneve
të dhunës komuniste, por presin përgjigje edhe martirët që do të lumturohen në
Shkodër këtë fund jave. Ata duan dhe kërkojnë të dinë pse-në. Duan të dinë ,se
pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe
pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit dhe nga nostalgjikët
e regjimit enverist. E gjithë kjo në një shtet që pretendon të jetë demokratik
dhe që mburret me anëtarësimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO. Vetë
martirët e Kishës Katolike Shqiptare por as pasardhësit e tyre, ditën e
lumturimit të tyre më 5 nëntor në Shkodër, nuk kërkojnë as hakmarrje e as dënime
kundër askujt, pasi në prag të martirizimit të tyre, ata i kishin falur
xhelatët komunistë. Por u kërkojnë autoriteteve shqiptare zbulimin e të
vërtetës të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës
–kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre sot, një përgjigje ndaj këtyre
pyetjeve:

“Pse na vratë,
o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o
stërnipa të Kastriotit, ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm
kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e
Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër
gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë
fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej
ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike,
që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem
në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé
e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi? … Por nuk ka gjâ… mbasi na jemi këtu… këtu âsht
toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú,
për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u
ringjallë s’bashkut!
(Shënim nga vepra
“Çinarët” e Françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, marrë nga Radio Vatikani).

Ka ardhur koha për veprim. Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta boshe
që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra se më në fund pas 25 vite
post-komunizëm jeni gati – institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni dhe të
njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerëzore të regjimit të Enver Hoxhës, duke
hapur dosjet e regjimit famëkeq. Sepse për
shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ish-ambasadorit gjerman Helmut
Hoffman në Tiranë, është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist-
të gjallë e të vdekur – në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u kthehet një pjesë
e dinjitetit të tyre.”
Kthejani pra dinjitetin dhe nderin jo vetëm
viktimave të komunizmit, por mbarë kombit shqiptar! Hapni
dosjet e Sigurimit famëkeq!

Frank Shkreli