Ruben Avxhiu: Media e sëmurë, në demokracinë e sëmurë

592
Sigal

“Kur nuk shkon Muhameti te mali, shkon mali te Muhameti”,
thotë një shprehje vjetër. Ata që nervozoheshin se Shqipëria nuk po bëhej me
shpejtësinë e duhur një demokraci si Amerika, mund të ngushëllohen tashmë në
faktin se kjo e fundit ka filluar t’i ngjajë Ballkanit. Shumë muaj më parë,
disa shqiptarë nga SHBA shkruan një numër opinionesh plot tërsëllim, për
mënyrën sesi kryeministri Rama kishte shpërfytyruar një traditë të bukur
amerikane. Kishte ftuar gazetarët për një takim vjetor, mirëpo në vend të shpotive
me humor, me të cilat presidenti amerikan thumbon sa veten aq edhe kritikët e
tij në media, udhëheqësi shqiptar kishte shfryrë ndaj të ftuarve të tij dufin e
mbledhur nga kritikat sipas tij të pabazuara në media. Më keq akoma, disa
gazetarë të mbledhur u ankuan se ata që kishin shkruar kritikat më të rënda
ishin ata që refuzuan ftesën. Domethënë që Rama në vend që të shpërblente ata
që ishin më pozitivë ndaj tij u kishte përvëluar veshët për inat të atyre që
meiguri kishin kaluar një mbrëmje më të këndshme diku tjetër. Ata që e kishin
sharë nuk kishin arsye pse të pendoheshin, po disa nga ata që nuk e kishin
kritikuar mbase u kishte ardhur inat aty që nuk ia kishin plasur edhe ata.
Sigurisht, nuk munguan edhe reagimet se ndryshe nga Berisha në vitet 1990, Rama
ende nuk kishte futur ndonjë gazetar në burg, nuk ia kishte djegur ndokujt
makinën po më keq të gjithë redaksinë (si e akuzuan për shkatërrimin e selisë
së gazetës “Koha Jonë” në 1997). Krahasuar me ato, ca fjalë të rënda, kur je
duke rrufisur pije me kolegët, ndërsa kryeministri tregon se pse nuk e ka
merituar sharjen, nuk është edhe aq keq. Kohët kanë ndryshuar për median në
Shqipëri, po kjo jo edhe aq për shkak të edukimit të shoqërisë shqiptare, sesa
për shkak se politikanët shqiptarë e kanë kuptuar më në fund se fuqia e medias
është e kufizuar. Ajo mund t’ua marrë fytyrën po jo pushtetin. Plus ajo çfarë i
bëjnë politikanët në Kuvend njëri-tjetrit, media nuk ua bën dot. Po ashtu
politikanët kanë zbuluar se është më e lehtë të korruptosh botuesit dhe
pronarët e saj, sesa të përplasesh me kritikat e diplomatëve të fuqishëm të
Perëndimit. Botuesit gjithashtu kanë kuptuar se pavarësia editoriale vetëm nder
të jep dhe asgjë tjetër. Dhe nderi në Shqipëri është si “derri maç” në atë
lojën e vjetër me letra, që gjithësekush përpiqet t’ia lërë tjetrit në dorë.
Sigurisht ende ka pak gazetari, nganjëherë e fshehur jo edhe aq në emisionet e
lajmeve dhe faqet e gazetave, sesa në programet gjysëm humoristike si ajo
“Striscia la notizia” shqiptare. Metodat aty janë të debatueshme nga ana etike,
po nuk habitem kur justifikohen në një shoqëri ku qytetari dhe ligji janë shumë
të dobët përballë politikanit. Mirëpo, edhe aty, “viktima” është pothuajse
gjithmonë një drejtues i nivelit të ulët, pavarësisht se në fund reflekton edhe
mbi drejtuesve kryesorë të vendit. Këto raste tregojnë se si teknologjia ka
potencial për të fuqizuar median, por në kontekstin e përgjithshëm media është
dobësuar shumë prej saj. Sidomos media e shkruar, ndoshta së shpejti një relike
e të kaluarës. Në sajë, të teknologjisë, politikanët tani mund ta anashkalojnë
median dhe të përcjellin mesazhin në rrjetet shoqërore. Në fakt, sot, falë
rrjeteve sociale, një njeri që nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë, mund të
shkruajë diçka që mund të lexohet nga shumë më tepër njerëz sesa një gazetar i
njohur. Kjo është sa çliruese dhe fuqizuese për qytetarin sa është edhe
sabotuese ndaj tij. Epoka sinjalizon fillimin e fundit të medias të organizuar
në formë organizatash si pushtet më vete në strukturën e demokracisë. Në këtë
periudhë kalimtare, ndonjë gazetar apo aktivist i marrë që ende guxon të
sfidojë pushtetin, rrallë që mund të ndikojë për të sjellë ndryshim. (Me
përjashtim të rasteve si protesta kundër sjelljes së armëve kimike siriane apo
të ripërpunimit të mbeturinave, ku reagimi bëhet masiv më shumë nga prirja e
shoqërisë për panik masiv sesa nga media e përgjegjshme apo aftësia aktivizmit
qytetar). Për shqiptarët që vajtojnë këtë rrokullisje, ngushëllimi mund të jetë
që gazetaria shqiptare nuk është e vetmja që po rrënohet nga progresi
teknologjik dhe regresi politik, në epokën e populizmit. Dhe nuk mbaron aty.
Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump, i cili ka ngjashmëri të
jashtëzakonshme me politikanët që prodhon Ballkani, mblodhi në një takim disa
nga emrat më të njohur të gazetarisë amerikane, ku “iu hoqi veshin”, në mënyra
që po të kishte qenë Edi Rama, Sali Berisha apo Lulzim Basha, kundërshtarët e
tyre në komunitetin shqiptar do të kishin qëndisur një numër shkrimesh për
mënyrat sesi përdhoset shembulli i bukur i demokracisë liberale amerikane. Në
mbrojtje të presidentit të sapozgjedhur amerikan, media këtu nuk është më ajo
që ka qenë 20-30 vjet më parë. As ishte kundërshtarja e tij, Hillary Clinton,
ndonjë model për sjelljen me median. Mirëpo, në mitingjet e saj, nuk bëheshin
thirrje për linçim gazetarësh dhe as ajo vetë nuk i fyente nga podium, në vend
që të përqendrohej në mesazhin e fushatës si vepronte Donald Trump. Ai thjesht
po sjellë në Shtëpinë e Bardhë banalitetin e premtuar gjatë fushatës. Trump nuk
është ngritur kundër “Zotit” këtu. Opinionet e medias kanë qenë në shumicën e
rasteve të njëanshme kundër tij. Ndonëse shpesh me të drejtë. Mirëpo,
reporterët e abuzuar prej mbështetësve të tij nuk i meritonin ulurimat e as
paranojën që u zbraz mbi ta. Ajo që duhet pranuar është se koha e artë e medias
amerikane po venitet. Institucionet e mëdha po brehen dita ditës nga çetat
partizane e komitët e internetit. Me pak vetë, me pak shpenzime, e mbi të
gjitha pa ndonjë ndjenjë përgjegjësie historike që sjellin me vete
institucionet shekullore si “The New York Times” e “Washington Post”, këto
portale të vogla po ua marrin lexuesit, trokitësit, reklamuesit gjithnjë e më
të rrallë. Sikur të mos mjaftonin këta, tani kanë filluar edhe portalet e lajmeve
fallso. Gjatë kësaj fushate presidenciale, ato kanë tërhequr masivisht
vëmendjen e miliona vetëve. Dhe nëse gjykoj nga çfarë shoh në Facebook, po
bëhen shpejt një preferencë edhe për shqiptarët që lexojnë në anglisht. (Ky
rrezik që po shkakton alarm tani në median amerikane, nuk rrezikon atë
shqiptare, ku praktika e lajmeve të pavërteta është tashmë e vjetër dhe shihet
si normale). Humbja e një institucioni të besueshëm për informacionin,
zëvendësimi i tij me median partizane dhe atë të skandaleve dhe lajmeve të
bujshme, është e lidhur pashmangshmërisht me dobësimin e demokracive
perëndimore. E gërshetuar me rënien ekonomike, kërcënimin terrorizmit dhe
panikut të ciklit 24-orësh të lajmeve, shoqëritë e tyre do të sprovohen si
rrallë herë në kohën moderne. Pasojat do t’i ndjejë e gjithë bota, po më shumë
popujt që janë në prag të derës, as brenda e as jashtë, si për shembull
shqiptarët. Jo më kot, në Perëndim, njerëzit po nxitojnë të çpluhurosin metodat
e vjetra të politikës. Një media kritike ndaj pushtetit, e shëndetëshme dhe e
pavarur, i shërben më mirë politikanëve dhe shoqërisë së saj, në plan
afatgjatë. Politikanët shqiptarë mund të ndihmohen më shumë nga ata që i
kritikojnë sesa nga ata që ua ledhatojnë sedrën përditë. Kundërshtari më shumë
se servili të detyron të kesh sukses në jetë. Po largpamësia, me ndonjë
përjashtim, nuk ka qenë virtyt i udhëheqësve tanë. Dhe nuk do të fillojë të
jetë tani, kur edhe demokracitë e vjetra duket sikur po veniten.