Prof. Dr. Pirro Miso*/ Bunkerizimi i arkivave të QSA, paralizon studimet albanologjike

524
Fondet shkencore të Institutit të QSA përbëjnë thesarin unikal më të pasur të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar të mbledhur në 200 vjetëshin e fundit. Këto fonde janë sistemuar nga profesorët e mëhershëm sipas veçorive dhe janë organizuar në mjaft seksione arkivore, sipas kategorive përkatëse e janë shfrytëzuar gjërësisht në të gjitha periudhat kohore të ekzistencës së tyre nga një numër i gjërë studiuesish e përdoruesish të kategorive të ndryshme me një strategji nga më faforizuese për ta. Por, si u trajtuan nga QSA dhe IAKSA këto vlera unikale në shërbim të studimeve albanologjike, veçanërisht në procesin e reformës universitare, të filluar para disa vjetësh, nën drejtimin e mësuesit të frëngjishtes, “Prof” Ardian Marashi i cili, me kurajon e një profani, mori përsipër të drejtonte qëndrën më madhore te studimeve albanologjike? 
Slloganet mediatike, të përsëritura rëndom nga ky drejtues se: “Arkivat shkencore të Audiotekës, të Videotekës, të Fototekës, ………, i japin albanologjisë peshën që meriton në studimet kombëtare e ato ndërkombëtare, të sotme e të ardhme….”, etj., mbroçkulla të tilla, për të ruajtur mbetjen tjetër të ngrehinës së tij kashtore mbas heqjes së statusit, nuk i përgjigjen realitetit, izolimit tërësorë të arkivave nga QSA. Pamundësia e shfrytëzimit nga studiuesit në procesin e realizimit të kërkimeve shkencore që lidhen me trashëgiminë kulturore albanologjike si dhe të studentëve që kërkonin materiale arkivore në mbrojtje të tezave të tyre, ishin një eksperience e shëmtuar që paralizoi tërësisht kërkimin shkencorë në studimet e ndërmarra nga profesorët e jashtëm si dhe të temave të masterave profesionale të studentëve të U. të Arteve, në procesin e reformës arsimore, Por, për hir të së vërtetës, duhet theksuar se, kjo nuk ndodhi me punonjësit e brendshëm të kësaj qendre të cilët kanë patur të gjithë komoditetin e nevojshëm të merrnin gjithçka që u është nevojitur, madje edhe daljen nga fondet e QSA të objekteve arkivore në demonstrimet e rëndomta televizive, në kundërshtim të plotë me rregulloret arkivore të kësaj qendre. 
Drejtori Marashi ankohet shpesh se qendrës së tij i kanë munguar e i mungojnë fondet e kërkimit, të ekspeditave etj. etj.. Por, duhet të vihet në dukje se, sa ky drejtor është i informuar: 1. rreth teknikave të mbledhjes e pasurimit të materialeve arkivale; 2. të shfrytëzimit të tyre nga studiuesit, të studentëve në mbrojtjen e tezave të kualifikimit shkencore universitar për kërkime në punën e tyre studimore? Po japim vetëm dy shembuj konkret që i përkasin kohëve të fundit rreth paaftësisë së këtij drejtuesi rreth një rasti tepër komod ku QSA-ke mund të pasuronte arkivat e saja, tërësisht pa shpenzime monetare, pa humbur kohë e shpenzime të tjera e, pa i lodhur duart e punonjësve të kësaj qendre të “telendiseshin” për të marrë dietat përkatëse në rastet e ekspeditave kërkimore në terren. 
1. Një humbje e madhe shkencore e monetare për pasurimin e Arkivave audiovizuale shtetërore të IAKSA, pranë QSA
Besimi i verbër që Ministria e Kulturës i dha QSA e veçanërisht IAKSA në organizimin shkencorë të FFKtë GJ-ës, veç të tjerash, i solli për pasojë, një tjetër dëm madhorë trashëgimisë kulturore, studimeve albanologjike, sistemit të arsimit të lartë e veçanërisht pasurimit të arkivave audiovizuale për të cilat “Prof” A. Marashi mburret në intervistat e shumta me pasuritë arkivale në sloganet e tij, duke mos patur as edhe informacionin më të vogël rreth mënyrës së funksionimit e të pasurimit të mëtejshëm të arkivave të QSA, të administruara nga ai vetë. 
Një ndër mundësitë ekonomike e më fitimprurëse të mbledhjes e pasurimit të arkivave audiovizuale ka qenë tradicionalisht mundësia e regjistrimeve ne mjediset e eventeve madhore që organizoheshin në FF rajonale vjetore e veçanërisht në FFK të Gj-ës, e barasvlershme me shpenzimet e qindra e qindra ekspeditave kërkimore të kushtueshme në terren. Përse edhe këtë radhë, mes angazhimeve të tjera mediatike madhore të dhëna nga punonjësit e IAKSA, të përcaktuara edhe në statutin përkatës, nuk u realizua, me të tjerash edhe ky zë i rëndësishëm i FFK të Gj-ës? 
A është në dijeni “Prof” Marashi se në festivalet e mëparshme edhe kur mjetet regjistruese kanë qenë më të pakta e me një cilësi edhe më të dobët se sa ato aktuale, u aplikua një praktikë e suksesshme në regjistrimin e grumbullimin e një materiali mjaft të pasur arkivorë në mjediset e këtij eventi madhorë? A është i informuar ky drejtues se kjo praktikë, më shumë se në dy dekada të shkuara, por, edhe këtë radhë nuk u aplikua duke krijuar një boshllëk mjaft të ndjeshëm në fondet arkivale të kësaj qendre? 
Këto arkiva kanë më se dy dekada që nuk furnizohen me materiale të traditës përmes ekspeditave kërkimore, jo vetëm për mungesë fondesh siç thuhet rëndom por, për paaftësinë e drejtuesve të institucionit që ai drejton. Grumbullimi i grupeve më të kualifikuara të traditës muzikore në FFK të Gj-ës ishte realisht edhe këtë radhë një mundësi madhore për pasurimin e arkivave të IAKSA pranë QSA, mes krijimit të një qendre të mundshme regjistruese cilësore digjitale e cila mund të instalohej posaçërisht në mjedisin e festivalit. Një qendër e tillë regjistruese do bënte të mundur pasurimin e mëtejshëm sasiorë e cilësorë të shtatë arkivave që ndodhen pranë QSA e veçanërisht atë muzikorë pranë këtij institucioni, të konsideruara nga ndërkombëtarët si arkivat më të rëndësishme të vendit e nga më të njohurit në qarqet ballkanike e më tej. Regjistrimet audiovizive, me mjete cilësore digjitale, që aktualisht gjenden me shumicë, me një realizim të mundshëm, një ditë para konkurrimit të çdo grupi, ishin edhe këtë radhë një mundësi reale, ndërkohë që të gjithë grupet artistike ishin mbledhur në mjedisin e festivalit. Këto regjistrime do pasuronin fondin e etnomuzikologjisë, koleksionin e instrumenteve muzikorë me materiale audiovizive, si: fonotekën, fototekën, filmotekën, vetë koleksionin e instrumenteve muzikorë, etj., një praktikë e harruar, e pa vlerësuar, tërësisht tashmë nga injoranca, neglizhenca dhe paaftësia e kësaj qendre madhore albanologjike.
Arkivit audiovizual i humbi një mundësi madhore për grumbullimin e një materiali të pasur audio-viziv tradicional për të cilën shtetit dhe qendrave studimore shkencore, veçanërisht atij muzikor, pranë QSA, do t’i duheshin shpenzime monetare të pa llogaritshme dhe kohë për t’i mbledhur përmes ekspeditave tepër të kushtueshme në terren në të gjitha hapësirat ku banojnë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, ndërkohë që këtë pasuri e kishin përpara syve të tyre. Edhe kjo praktikë e munguar e traditës së organizimeve të FFK të Gjirokastrës i shkaktoi shtetit si edhe institucioneve studimore një dëm të pa rikthyeshëm. 
Regjistrimet audiovizive që zakonisht realizohen nga mediat, drejt për drejt nga skena, shërbejnë vetëm për transmetim, me një kualitet të pa pranueshëm, të pa vlefshme për t’i patur ato në fondet arkivale për studime, propagandim e demonstrime shkencore, për të ndërtuar edhe aspektet historike zhvillimore të traditës, as edhe për blerje nga persona të interesuar si studiues vendorë e të huaj, amatorë, etj., për t’i patur ato në VCD-itë e krijuara nga këto regjistrime. Kjo për arsyen e vetme pasi mënyra e regjistrimeve aktuale nga skena realizohet në kushte jo normale, ku dëgjohen zhurma të kategorive të ndryshme si trokitjet e këmbëve të valltarëve, fëshfërima të presionit të erës, zhurmat e spektatorëve, drita të pamjaftueshme, ndërprerje nga defektet teknike që këtë radhë edhe kanë qenë mjaft të shpeshta, etj., etj.. Me cilësinë e këtyre regjistrimeve është e pa mundur të hulumtosh rreth dukurive identifikuese shkencore, t’i notizosh e t’i paraqitësh ato në studimet përkatëse. 
2. Trajtimi i arkivave të QSA një gjest mesjetar i drejtuesve të institucioneve të saj.
Eshtë një dukuri e njohur që profesorët albanologë shqiptarë janë më pak të lire se çdo albanolog e studiues të një vendi tjetër në planet. Kjo lidhet, dikur me izolimin e tashmë edhe pse të lire në lëvizje, të varfër e të pa mundur në realizime të tilla në një vizion më të plotë shkencorë. Fjala bie, një studiues i albanologjisë shqiptare ndryshon rrënjësisht nga një i tillë i huaj pasi nuk ka asnjë shans që, për hulumtimin e dukurive të prejardhjes apo krahasimit me kulturat e vendeve të origjinës, të eksplorojnë në mjedise jashtë territoreve vendore. Por, kurrsesi, nuk mund të kuptohet që materialet arkivale, të mbledhura nga vetë studiuesit për gjysmë shekulli, t’i mohohen atyre kur ata i kërkojnë, jo për biznes e përfitime por për hulumtime për të cilat ata shpenzojnë kohën e lire e mundin torturues të një studiuesi e në mjaft raste, pa marrë frytet e një mundi të tillë, pa u shpërblyer në bazë të akteve ligjore përkatëse si sjellje të pa përgjegjshme të drejtuesve aktualë të institucioneve studimore. Kjo është e pa shembullt në të gjithë eksperiencat më negative, të ndodhura nën drejtimin e QSA, e drejtuar pikërisht nga “Prof” A. Marashi. 
Pyetjes së gazetares Dh. Hamzai: “Nëse bëhet fjalë për humbje arkivash mund të ketë ndodhur tek të dyja, ose gjatë shpërndarjes?”, në artikullin me titull: “Ndalni kryqëzatën ndaj Qendrës së Albanologjisë”, drejtori Marashi i shmanget, duke qenë kategorik në përgjigje: “Minimumi i punës së një instituti është të ruaj gjërat që ka. Ky është një problem dhe më duket që ka ndodhur me seksionin e gjeografisë kur ai ka kaluar pranë universitetit”…….”Kjo nuk ka ndodhur në mënyrë absolute në asnjë institut të studimeve albanologjike”!! 
Si është e mundur që një drejtor i një qendre madhore studimore albanologjike të jetë i informuar vetëm për vjedhjen e rëndomtë të disa kompiuterave të një qendre tjetër e mos të ketë as edhe informacionin më të vogël rreth dy vjedhjeve, të njëpasnjëshme, më madhore të fondeve të etnografisë që tronditën kombin në periudhën e drejtimit të IK. Popullore të dy nga tre profesorët që punojnë aktualisht në IAKSA, i profilit të letërsisë e një e etnografisë, dale kohët e fundit në pension, të cilëve nuk i hyri as edhe një gjemb i vetëm në këmbë por u rivlerësuan edhe pas këtyre ngjarjeve të shëmtuara nga ju “Profesor”? Për këtë çështje do ketë një tjetër opinion që mund të hedhë dritë më tej rreth degjenerimit të arkivave pranë QSA por edhe këtyre ngjarjeve nga më të shëmtuarat në një prej qendrave më madhore të studimeve albanologjike.
Etnomuzikolog & Etnoorganolog
Sigal