Prof. Dr. Mark Tirta/ Gjuha shqipe, një ndërtesë e mermertë dhe gjigante

937
Gjuha amtare e përbashkët, për çdo popull është një nga “shkëmbenjtë” mbështetës më themelorë të shprehjes së njejtësisë së një etnie, të një kombësie, të një kombi të veçantë. Edhe gjuha shqipe ka qenë e është një ndërtesë e mermertë gjigante që e ka ruajtur në të kaluarën e që e ruan dhe sot etninë tonë, kombin, për të mos u shpërbërë. Ka qenë një “hyjni” dritëdhënëse e fuqishme për të mbijetuar, për t’u qytetëruar ky popull si komb i veçantë. Doemos, për qëndresë etnike, kombëtare, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe disa veprues të tjerë të jetës shoqërore si ç’është organizimi shoqëror për bashkëjetesë. Por, më së shumti janë organizuar për t’u mbrojtur nga turma popujsh të tjerë që vinin si plaçkitës, si përdhunues, si pushtues, si skllavërues të këtij populli.
Në këtë organizim mbrojtës e të bashkëjetesës një rol tepër të madh ka luajtur gjuha: “këta janë tonët”, “jemi të një prejardhje e të një gjaku”. Këtu kanë luajtur një rol tepër mbrojtës ligjet popullore që kanë pësuar ndryshime nga koha në kohë. 
Proroilirët në Gadishullit Ballkanik
Protoilirët kanë ardhë në anët perëndimore të Gadishullit Ballkanik në Kohën e Mesme të Bronxit, pra në shekujt XXII-XVIII para Kr., me gjuhë të tyre të veçantë indoeuropiane e këtë e ruajtën ndër shekuj. Bijë e saj është gjuha e Arbërve të Mesjetës, prej nga e ka prejardhjen dhe gjuha shqipe e Kohës së Mesjetës së Vonë, e Kohës së Re e të Sotme. Gjuha jonë ruajti mëvetësinë e saj, së paku për mbi 3000, ndoshta dhe 4000 vjet, natyrisht në zhvillim e në ndryshimësi të vazhdueshme, me të folme sipas krahinave, duke qenë nën zotërime e kolonizime helene, më vonë nën sundimin romak; kur në këto troje erdhën Serbë e Bullgarë, si grabitës e pushtues, në këto kushte, ndër shekuj të ndryshëm, shqipja mori fjalë nga latinishtja, nga helenishtja e më vonë nga greqishtja bizantine, nga Serbët e Bullgarët në Mesjetën e Hershme e deri në shek. XV; nga osmanishtja e turqishtja nga shek. XV deri XX mori jo pak fjalë. Shumë gjuhë, nën zotërime të mbretërive, të perandorive, të shteteve të huaja, u shpërbënë. Gjuha ilire, arbërore, shqipe, vazhdoi të mbijetojë e fuqishme, pa u shpërbërë. Nën sundimin romak një pjesë e Zvicrës, Franca, Spanja, Portugalia, vetë Italia si tërësi, Rumania, i humbën gjuhët e tyre e u latinizuan. Sqarim: Gjuha latine flitej vetëm në një bashkësi të veçantë të Laciumit deri në shekullin IV para Kr., kur ky vend u pushtua nga Romakët. Shumë më vonë latinishtja u bë gjuhë zyrtare e mbizotëroi gjithandej. Gjuhët e tyre quhen neolatine. Pjesë të veçanta të Ballkanit e Anatolia u greqizuan. Trakia e disa vise të tjera afër saj u sllavizuan. Nën zotërimin osman disa vise në Ballkan, në Azi të Vogël e më tej, morën gjuhën turke. 
Sllavizimi i disa viseve shqiptare
Duhet sqaruar se gjatë shekujve të Mesjetës jo pak pjesë anësore të trojeve arbërore, duke qenë të pushtuara, më në veri nga Serbët e më në lindje nga Bullgarët, duke u vendosur në ato vise dhe popullsi sllave, u sllavizuan, diku më shpejt e diku më vonë, diku tërësisht e diku pjesërisht. Më në Jug jo pak popullsi u greqizuan. Në Mesjetën e Herëshme e të Mesme, diku dhe më vonë: në Dalmaci, në Mal të Zi, në Shumadi, në Maqedoni, bashkësi të Arbërve, me gjuhë e me etnokulturën e tyre përkatëse, jetonin si identitet i veçantë e në shkrime të udhëtarëve të ndryshëm, ardhë nga Perëndimi, shkruhej për këta: “popoli di lingua albanese”, pra bashkësi shoqërore që flisnin shqip. E njejta gjë ka ngjarë në Arbërorët, në këta shekuj dhe në pjesë të Greqisë veri-perëndimore. Më vonë këta u shpërbënë. Në këta 100 vjetët e fundit shoqëria shqiptare ka ecur përpara në kulturë, në arsimim, në dije, në kërkime shkencore. Edhe gjuha shqipe, e folur dhe e shkruar, ka bërë përpara; kjo ndihmon shumë në zhvillimin shoqëror; është e ditur se për përparimin e shqipes kanë një meritë të madhe gjuhëtarët me emër, shqiptarë e të huaj, po dhe shkrimtarë, intelektualë të ndryshëm, që e kanë bërë këtë të ecë përpara. 
Fjalë dhe fraza të reja në gjuhën shqipe
Këtu do të përqëndrohemi, jo në gjëra të tjera e që janë me peshë në përparimin shoqëror, por në çështje që janë me rëndësi të veçantë e ku po ecim në marramendje: në hyrje me shumicë të fjalëve e të frazave të gjuhëve të huaja, në të folurit e në të shkruarit e shqipes; së dyti, në disa rrëshqitje marramendëse në drejtshqiptim. Kjo është një prapështi e pafalëshme për gjuhëtarët që kanë peshën qëndrore në shërimin e gjuhës shqipe. Një vend të veçantë në shërimin e kësaj sëmundje të shqipes hyjnore e kanë shkrimtarët, intelektualët që merren me shkrime e ligjërime në kulturën, në dijen shqiptare. Rol shumë të rëndësishëm në këtë shërim e kanë gazetarët: gazetat, radiot, televizionet e ndryshme. Edhe në libra të ndryshme që janë botuar këto 20 vitet e fundit, në shumë raste nuk kanë fare korrektorë letrarë, ose kanë korrektorë sa për emër, ku ato ndryshime që janë bërë nga komisioni i drejtshkrimit e që janë ndreqje të arsyeshme, nuk merren si këshillues për ndreqje gabimesh. Këto ndreqje janë dhënë në Fjalorin Enciklopedik, 3 vëllimësh.
Fjalët e huaja në këto vitet e fundit po hyjnë në të folurit e në të shkruarit e shqipes në një masë tronditëse, sa të bëjnë të vajtosh, të pësosh dridhërima rrënqethëse, kur vëren se si po nëpërkëmbet shqipja. Nuk e kemi fjalën këtu për fjalë që kanë hyrë në gjuhën tonë amtare mbi 100-500 vjet më parë ose dhe deri 2000 vjet të shkuara, se një pjesë e tyre janë përshtatur me shqipen në tingëllim, në strukturë e në kuptime të caktuara. Nuk e kemi fjalën as për termat që kanë hyrë në gjuhën tonë, bashkë me shpikjet shkencore të kohës sonë si: elektrik, internet, informatikë, kompjutër e me radhë, që kanë ardhur nga jashtë bashkë me shpikjet. Është fjala për ato që po hyjnë në gjuhën tonë kur ne i kemi mostrat tona të asaj natyre që u përket e madje me tingllim të ëmbël e joshës, si mund të themi: “të trashëgimisë sonë etnike”. 
Fjalë të huaja të futura barbarisht në shqipen e folur
Me shembuj të kësaj natyre: me fjalë të huaja të futura barbarisht në shqipen e folur e atë të shkruar mund të bëhet një fjalor i madh që nuk mund ta mbash para duarsh, po unë po sjell vetëm disa shembuj të asaj natyre e të tjerat do t’i vëreni në televizorë, në gazeta e nëpër libra të ndryshëm. Ja disa të tilla fjalë të huaja: “është agravuar gjendja” (është rënduar, është përkeqësuar, është tronditur gjendja); “purifikimi i administratës” (pastrimi i administratës); “civilizim” (qytetërim); “individualiteti” (mëvetësia); “pedonale” (shëtitore); “raprezalje” (përdhunim); “u asimiluan” (u shpërbënë, u shpërbënë si etni); “pa limit” (pa kufi, pa kufizim, pa fund); “suportoj” (siguroj); “lëshon batuta” (lëshon therca); “shantazhohet” (kërcënohet); “fokusohem” (përqëndrohem); “atraktiv” (i këndshëm, tërheqës, i pëlqyeshëm, lumturues); “event, eveniment” (ngjarje, rast); “azhornim” (përditësim); “pretendoj” (mëtoj); “avancim” (përparim, kalim përpara); “definitiv” (përfundues, përfundimtar); “investigacion” (hetim, shqyrtim, studim, kërkim); “distancë” (largësi); “erozion” (gërryerje); “komponentë” (përbërës, bashkëpërbërës); “konkordancë” (përputhje, bashkëpërkim); “asistoj” (jam i pranishëm, ndodhem; ndihmoj, i gjendem dikujtë); “posedon” (zotëron, ka në zotërim, ka të vetën); “transformimet politike” (ndryshimësitë politike, shndërrimet politike); “minorenët” (fëmijtë e vegjël, voglushët); “diskretitoj” (poshtëroj, nëpërkëmb, menderos); “lapsus” (gabim); “kapitulli” (kreu); “eliminime” (zhdukje, asgjësime); “anarshi” (rrëmujë, shrregullim, prapështi); “eksplicit” – në fr. eksplisit (i qartë, i thënë qartë); “e ka uzurpuar” (e ka kapur, e ka pushtuar); “konsekuencë” (rrjedhojë); “divergjencë” (mospajtim, kundërshti, kundërshtim).
Në takimet e njerëzve me njëri-tjetrin: në shtëpi a në rrugë, ose kur ndahen, në jo pak raste, sidoemos mosha e re, përshëndeten në gjuhë të huaj: italisht, frengjisht, po më tepër anglisht. Pse e bëjnë këtë? E bëjnë për t’u dukur si njerëz të ditur kur në gjuhë të huaj nuk dijnë më shumë se 20 fjalë e fraza. Shumë keq! Në shqip kemi fjalë e fraza përshëndetëse e falënderimi me brendi, me simbolikë mrekulluese aq sa të huajtë që i kanë përjetuar ato, i kanë vlerësuar si të rëna nga qielli: “Me nderën tënde e mirë se të gjeta”. Përgjigjja: “Qofsh me nderë e mirë se të ka prurë Zoti!”, “T’u ngjatët jeta!”, pra: “T’u shtoftë jeta!”. Ndonjë njeri që me humorin e tij i bën të pranishmit të shkrihen së qeshuri, a se një njeriu që u bën shumë të mira njerëzve në fatkeqësi, i urojnë: “Mos vdeksh kurrë!”, “Rrofsh e qofsh sa të jetë jeta mbi dhé!”, pra të rrojë sa të jetë njerëzimi mbi tokë. Është një shtysë ëmbëltuese e disa njerëzve për të emërtuar rrugë të ndryshme, vende, ndërtime tregtie a të shërbimeve për bashkësinë vendore, fëmijtë e posalindur me emra të huaj nga gjuhë të ndryshme, kur në gjuhën shqipe kemi emra e shprehje shumë të bukura. Ka hyrë emërtimi By-Pass që do të thotë anashkalim, si rrugë, është përdorur dhe unazë a me emra të tjerë shqip. Landfill që do të thotë vendgroposje e mbreturinave. Përdoret: lungomare që do të thotë rrugë buzë detit- rrugë e bregdetit.
Emërtime me fjalë të huaja 
Jo pak njerëz, ndër ta dhe intelektualë që e mbajnë veten si “Mali i dijes”, duan me çdo kusht të venë emërtime me fjalë të huaja, në vende ku zhvillohen veprimtari kulturore ose arsimore. Ka tabela e emërtime në gjuhë të huaja, në sheshe e rrugë, në lokale të ndryshme, në emërtime të disiplinave shkencore. Manija për të ndryshuar emërtimet, duke përdorur terma të gjuhëve të huaja, është tepër marramendëse. Shumë të mirë e tinglluese kanë qenë emërtimet: “Shtëpia e Pionierit”, “Shtëpia e Kulturës”, “Shtëpia e Ushtrisë”. Të tëra ishin vende të veprimtarive kulturore e shoqërore e tani i kanë kthyer në emra të tjerë, tepër të gjatë si grumbull fjalësh. Ai që nuk është i punësuar aty nuk e merr vesh se për çfarë shërbejnë ato. Nxënësi a nxënësja më e mirë në mësime në klasën përkatëse, më e shkathtë, më e mençur, emërohej: “kujdestare e klasës”, për të mbajtur rregull në klasë, për të zbatuar urdhërat e porositë, kur mësuesi a pedagogu nuk ishte në klasë. Emri “kujdestar” a “kujdestare” është me tingllim simbolik shumë të mirë. Tani e quajnë “senatori”, “senatorja”. Pse kështu?! Atëherë edhe mësuesit duhet t’i themi “Bej” a “Bejlereshë”; drejtorit të shkollës t’i themi “Princ” a “Mbret”, ndoshta edhe “President”. Pra do të na bëhen 9000 presidentë. Po “Presidenti i Republikës” çdo të bëjë?
Ka disa intelektualë shqiptarë në Kosovë, në Maqedoni që në të folur e në të shkruar shqip, përdorin jo pak fjalë e shprehje sllave. Çudi! A kaq shumë i duan Serbët?!!
Ka jo pak pronarë tregëtie vetjake, ose dhe njerëz me poste sociale që në emërtime të ndryshme të vendeve me veprimtari ekonomike, shoqërore a kulturore t’u vënë emra nga gjuhët e huaja, si: Lokali Fast-Food, lokali Mateo Romanson, Pijetorja Seven Club, lokali Lavazza Cekisaksojor e shumë e shumë të tjerë të kësaj natyre. Vendit, godinës ku bëhen veprimtari argëtuese i venë emrin “Atraksion”. Përdoret dhe shprehja “Amnistia e dritave” e kështu me radhë. Po ku i kanë gjetur këto llojë emërtimesh?! Shpikës të mëdhenj trutharë! 
Përdorimi i këtyre fjalëve të huaja e jo shqipe në këto emërtime nuk është gjë tjetër veçse një çmenduri. Për më tepër këto i miratojnë organe të caktuara shtetërore. Kjo do të thotë se edhe njerëz të shtetit, të bashkive, kanë kaluar në marramendje. Këto llojë veprimesh antishqiptare, anti-gjuhë shqipe duhet të ndalohen me ligjë. Po dihet se “është dhe ligji dhe Maliqi”.
Duhet thënë se ka dhe jo pak raste, që nga njerëz të kulturuar, nga populli i thjeshtë, përdoren në gjuhë me kujdes fjalët shqipe në emërtime, në shprehje të ndryshme sipas traditës së vjetër të shqipes, me metafora, me simbolika të ndryshme, si fjalë ëmbëltuese (“eufemizma”). Ballë një dyqani ku shiten lule vërejmë emërtimin “Shtëpia e luleve”, një gjetje kjo shumë joshëse, e mençur, domethënëse. Hapësirës para Pallatit të Kulturës, populli i thjeshtë e njerëzit e shkolluar e me mend në kokë e quajnë “Sheshi Skënderbej”, ashtu si është quajtur që më 1929 kur e bënë me druj gjelbërues e me ndejse për vizitorët. Tani politikanët e quajnë “Pjaca Skënderbej”. A është shesh argëtues ai vend ku u prenë tërë drunjtë gjelbërues e u bë një rreth çimentoje për të mos hyrë njeri në atë vend? Vendit ku flitet në Kuvend, nga Podium, i është vënë emri Foltorja, ky një emër shqip tërheqës. Por kur dalin disa politikanë e flasin fjalë tepër të ndyra, ai vend duhet quajtur Mendere. Edhe kjo fjalë shqipe është.
Kur flasim për pastrimin e gjuhës shqipe, nga fjalët e huaja, është fjala kryesisht për ato që kanë hyrë në shqipe që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej dhe kur ato i kanë dhe në shqip simotrat e tyre me të njëjtat kuptime. Pse të themi Intervenim e të mos themi Ndërhyrje?! Kemi fjalë të huaja që kanë hyrë në shqipe në një kohë të herëshme dhe janë përshtatur tërësisht me tingllime shqipe, nuk është fjala që këto të mënjanohen. Kemi shumë fjalë të huaja të hyra në përdorim, të përshtatura në shqipe e simotrat (sinonimet) e tyre në shqipe janë zhdukur pa lënë gjurmë. Si na e thonë albanologët e mëdhenj gjermanë, si na e vërteton i madhi Eqrem Çabej, fjalët Bukë, Bujk, Bujqësi e kanë prejardhjen nga latinishtja. Edhe para se të pushtoheshim më 168 para Krishtit nga Perandoria Romake, Ilirët hanin bukë, pra doemos i kishin këto fjalë si sipër dhe në ilirisht, gjë që më vonë u zhdukën pa lënë gjurmë e u zëvendësuan me njejtësimet e tyre të gjuhës latine. Fjalë të kësaj natyre ashtu do të mbeten; përshtaten në shqip po jo të mënjanohen. Kam dëgjuar se disa njerëz, sidoemos gra, celularit i thonë Folësi. Më duket një fjalë e gjetur me mençuri. Të vjen shumë keq, të dhëmb koka kur vëren se disa fjalë e shprehje shqipe të vjetra po humbasin, po zhduken nga jeta, nga që radiot, televizorët apo gazetat po i zëvendësojnë me fjalë e shprehje të huaja. Këtë e bëjnë dhe autorë e përkthyes të librave. Këta autorë, shkrues, folës e mësojnë keq lexuesin, njerëzit e thjeshtë, dëgjuesin e radios e shikuesin e televizorit. Futet e keqja në kulturën e njeriut. I pengon njerëzit që ta flasin e ta shkruajnë pastër gjuhën e stërgjyshërve tanë. Edhe drejtshkrimi i shqipes deri tani nuk është në rrugë të mbarë, edhe pse nga gjuhëtarët sidoemos, po dhe nga intelektualë shkrues e folës në mjete publike, është punuar me të shkruarit e të folurit e saj. Është ecur përpara në të shkruarit e sajë si drejtshkrim, por sot ka dhe një rrëmujë në disa norma të të shkruarit. Këto shtrembërime në norma filluan që më 1965; u ligjësuan më 1973 në Kongresin e Drejtshkrimit. Ky kongres qe një arritje në ecjen përpara në të përmirësuarit e të shkruarit të gjuhës shqipe. Po në vendimet e tij pati dhe shumë shtrembërime.
Normat e drejtshkrimit
Edhe më parë ka pasur staf të posaçëm gjuhëtarësh ku është diskutuar e është vendosur për normat e drejtshkrimit, siç është ai i vitit 1967 e me radhë. Në këto komisione kanë qenë dhe Eqrem Çabej, Mahir Domi e të tjerë, po gjithnjë kryetar ishte Androkli Kostallari e mendimet e tij kanë qenë mbizotëruese, mbështetur në drejtshkrimin e Moskës. Ky ndikim na ka prurë disa shtrembërime të drejtshkrimit të shqipes që po i vuajmë edhe sot. Eqrem Çabej si dijetar i shquar, me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, atyre normave të dhëna shtrembër nuk u përmbahej: Në shkrimet e tij vërejmë “Europa” e jo “Evropa”. Fjalët me prejardhja latine i shkruante: “proçes” e jo “proces”, “reçensë” e jo “recensë”, “proçedurë” e jo “procedurë”, “liçensim” e jo “licensim” e me radhë. Prof. Çabej dhe etnonimet, si shkronjë e parë, i shkruante me shkronjë të madhe, ashtu si bëhej në Europën e qytetëruar. Shkruante “Ilirët”, “Arbërit e Mesjetës”, “Gjermanët” e me radhë. E. Çabej në përgjithësi u përmbahej rregullave të “Drejtshkrimit të Shqipes”, po aty ku ishin bërë pa mbështetje shkencore, në të shkruar i ndryshonte, sipas kodit shkencor të të shkruarit në Botën Perëndimore.
Unë kam diskutuar shumë me E. Çabejn për dukuri të drejtshkrimit, ashtu si dhe për shumë probleme shkencore të etnokulturës shqiptare. Ai më ka shpjeguar se për natyrën e të shqiptuarit në gjuhët sllave, në qoftë se nuk gabohem, më ka thënë dhe për në greqisht, shqiptohet “Evropë” e pra po kështu duhet shkruar. Natyra e të shqiptuarit në shqip e kërkon të shkruhet “Europë”. Në fjalët me burim latin e që kanë në trup një ç-c, në gjuhët sllave shqiptimi bëhet me “c” e kështu duhet shkruar. Në tingllimin shqip të fjalëve të kësaj natyre, duhet shqiptuar me “ç” e po kështu të shkruhet. Profesori i nderuar E.Çabej më ka arsyetuar në thellësi e në gjithanshmëri për etnonimet që duhen shkruar me shkronjë të madhe, si fillim fjale. E kam pyetë Profesorin se pse në “Drejtshkrimin e shqipes” është shënuar “Fani” e “Ndërfana”, ndërsa nga ai, në shkrimet e tij, shkruhet “Fandi” e “Ndërfanda”. Ai më thotë se edhe unë “a-në” para n-ësë e shqiptoj me theks hundor, pra duhet “d-hi”; së dyti, ashtu e gjejmë të shkruar në dëshmi të ndryshme historike; së treti, fjalë të kësaj natyre gjejmë në çdo vis shqiptar e nuk mund ta përjashtojmë “nd-ënë” nga të shkruarit. Më thekson se nëse do ta heqim këtë “nd” në Mirditë, duhet të bëjmë nga një kod drejtshkrimi për çdo krahinë. Dallime krahinore të kësaj natyre gjejmë në gjithfarë llojë fjalësh e frazash, po gjuha e kombit është një dhe krejtësisht e njejtësuar. Dallime krahinore ka dhe në popuj të tjerë, shumë më të përparuar se ne, po të shkruarit e kanë sipas një kodi krejtë të njejtësuar. Disa gjuhëtarë që merren me drejtshkrimin duan të heqin shumë “ë-ha”, “d-ha”, “s-ha” e tjerë nga shkrimi. Kjo është gjë e gabuar. Këtë nuk e bëjnë në Perëndim edhe pse kanë tinguj që nuk shqiptohen në të folur. Deri më 1965 poezitë e poetëve e poezitë popullore në çdo rrjesht fillimi i fjalës së parë (të vargut) shkruhej me shkronjë të madhe; pas këtij viti filloi të shkruhet me shkronjë të vogël. Pse? Në Perëndim kam vënë re se fillimi i çdo vargu fillon me shkronjë të madhe. Shkruajmë për lexuesin e këtë duhet ta bëjmë ashtu si është më mirë, më i kuptueshëm për të tjerët.
Probleme në shqipen e shkruar
Në disa libra e gazeta nuk zbatohet rregulli i kryerreshtit që i ndanë dukuritë e veçanta a mendimet si zbërthim në paragrafë të veçantë. Ky është një veprim aspak i arsyetuar. Përdorimi i shkronjës “ë” ose “ç” në shumë vende në shpjegimet në televizor, në libra ose gazeta nuk shkruhen si duhet. “ë-hi” është “ë-h” e “e-ja” “e”, “ç-hi” është “ç-h” e “c-hi” është “c”. Duhet të respektoni kulturën e të shkruarit, lexuesin. Në libra, në gazeta, në shkrime të ndryshme, në të folur e në shpjegime të shkruara në televizorë, të bie në sy, në jo pak raste të shkruarit, a i të shqiptuarit gabim të trajtës së shkurtër të përemërit vetor: “atij-i” dhe “atyre-u”. Duhet thënë e shkruar: “U themi atyre” e “I themi atij”. Këtë na e kanë rrënjosë në mendje mësuesit që në fillore. Si ndodh që kjo të shkruhet gabim?: “Atyre i themi”, kur kjo bëhet nga njerëz me arsim të lartë, madje dhe me tituj e grada shkencore: doktor, profesor, akademik? Pse ndodh kjo?
Duhet t’i përdorim në një shumësi të madhe ato fjalë të shqipes, ato shprehje metaforike, ato të folura simbolike që populli ka trashëguar ndër shekuj si vlera madhore të mëvetësisë, të identitetit kombëtar, që ato të mos vdesin se kështu vdes dhe gjuha jonë. Kur vdes gjuha vdes dhe kombi. Sa mirë i përdor në veprat e tij i madhi Ismail Kadare: fjalë e fraza popullore, marrë nga krahina të ndryshme, mandej dhe nga Eposi i Kreshnikëve, nga trashëgimi të ndryshme folklorike. Ka marrë jo vetëm fjalë, por dhe shprehje simbolike shumë ëmbëltuese. Fjalë e shprehje, terma me rrjedhje nga herëshmëritë e gjeniut popull vërejmë në shkrimet shkencore të studiuesit Ali Muka, të studjueses Andromaqi Gjergji e te disa të tjerë. Fatbardha Shkupi në shkrimet e saj shkencore ka përdorur me shumicë fjalë e terma popullore që ishin në humbje e sipër; kjo si studjuese e artit në dru në shtëpi e në kisha e xhamia, i ka mbledhur këto fjalë e terma e i ka përdorur në shkrimet e saj. Të vjen shumë keq që ajo u nda shpejt nga jeta!
Sa mirë në Top-Chanel kam dëgjuar 2 herë të përdoret fjala “dorëzënë” (“dorëzanë”) e jo termin e huaj “garant”. Diku dëgjohet të përdoret termi simbolik “gozhdoj”: “Provat gozhdojnë Rusinë” ose “përtëritje” për “evolucion”. Pra i kemi termat, shprehjet simbolike të ardhura nga herëshmëria, po ato duhet t’i rigjallërojmë, duke i përshtatur me të tashmen në vështrim të të shprehurit, në ndërtim gramatikor e në të shqiptuarit. Duhet të mos i lëmë të asgjesohen, të ikin nga jeta, të varrosen, këto fjalë e shprehje, me metafora e simbolika ëmbëltuese të shqipes “nënë”, të shqipes “gjyshe”, që na ka ruajtur njejtësinë kombëtare ndër shumë e shumë shekuj pa u shpërbërë. Të përzëmë prej këtej me forcë fjalët e shprehjet nga gjuhët e huaja. Këto janë sunduese, plaçkitëse, përdhunuese për ne, siç ishin dhe popujt pushtues, ta zëmë, Osmanët, Fashistët italianë, Nazistët Gjermanë, Grekët e dikurshëm të Megallo-Idesë.
Kjo detyrë u përket kryesisht gjuhëtarëve që kanë bërë dukshëm për këtë “nënë” të kombit. Duhet të bëjnë dhe shumë më tepër. Mbrojtja me forcë e pastërtisë së fjalës shqipe është detyrë e tërë intelektualëve që merren me shkrime. Shumë detyra kanë këtu dhe hartuesit e folsit e programeve televizive. Për mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe, duhet të ketë ligje që t’i dënojnë rëndshëm nëpërkëmbësit e gjuhës nënë. Të kujtojmë porositë shenjtëruese të Sami Frashërit për gjuhën shqipe që këtë ta ruajmë e ta zhvillojmë, të pastruar nga fjalët e huaja. Ky është një mësim shumë mbresëlënës për ne.
Naim Frashëri shprehet dhe në poezi për gjuhën tonë:
“Të shkruajmë gjuhën tënë,
Kombin të ndritojmë!
Gjithë ç’është e ç’ka qenë
Ngadalëzë ta mësojmë!
Pa shihni ç’gjuhë e mirë,
Sa shije ka e hije,
Ç’e bukur dhe e lirë,
Si gjuhë perëndie!”
Edhe Ndre Mjeda do të shprehet me shumë dashuri e mallëngjim për gjuhën shqipe:
“Përmbi za qi lëshon bylbyli
Gjuha shqipe m’shungullon!
Përmbi erë qi nep zymbyli,
Pa da zemrën ma ngushllon.
Ndër kombe tjerë, ndër dhena tjera
Ku e shkoj jetën tash sa mot,
Veç për ty, m’rreh zemra e mjera
E prej mallit derdhi lot!
Njikto gjuhë qi jam tuj ndie
Janë të bukra me temel;
Por prap kjo si diell pa hije
Për mua t’tanave ju del!”
Këta njerëz të mëdhenj të kombit tonë jetonin jashtë Shqipërisë, por dashurinë për gjuhën shqipe, për ripërtëritjen e saj të veçantë, as në gjumë nuk e hiqnin nga mendja, ashtu si bënin me zemër e me shpirt për mëvetësinë e përparimin e atdheut ku kishin lindur. Të marrim mësime e të frymëzohemi dhe prej këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë. Këta kanë qenë, po dhe të jenë yje ndriçues për ne.
Sigal